Nobeli i Obamës, një çmim për Amerikën

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Nobeli i Obamës, një çmim për Amerikën

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Dec 15, 2009 3:06 am

Nobeli i Obamës, një çmim për Amerikën

Ruben Avxhiu
Ne jemi dëshmitarët e “luftës së drejtë”
Janë
të shumtë ata që dyshojnë nëse Barack Obama e meritonte marrjen e
Çmimit Nobel, mirëpo pothuajse të gjithë bien dakord se fjalimi i tij
me rastin e ceremonisë zyrtare në Oslo, ishte një nga më të fuqishmit
të dhënë ndonjëherë nga kjo foltore. Mjafton të përmendim se fjalimi i
Presidentit Obama u duartrokit edhe nga armiqtë e tij më të mëdhenj në
krahun e djathtë të politikës amerikane, nga njerëz si Newt Gingrich
apo Sarah Palin, që kritikën ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë e kanë
ritual të përditshëm.
Ceremonia në Oslo të Norvegjisë nuk ishte një moment i lehtë për
Presidentin e Shteteve të Bashkuara në shumë kuptime. Pavarësisht se ai
ka luajtur që nga fillimi një rol zbutës në konfliktet ndërkombëtare,
ai nuk ka arritur asnjë marrëveshje paqeje, nuk ka shuar ndonjë
konflikt apo nuk ka shënuar një akt historik ndërkombëtar gjatë vitit
të parë të presidencës së tij. Nëse do ta shikojmë me sytë e
historianëve të presidencave amerikane, Obama është ende duke e mësuar
“zanatin” e tij.
Çmimin Nobel për Paqen nuk e ka marrë (ende), për shembull, Bill
Clinton, Presidenti i fundit demokrat përpara Obamës. Clinton gjatë
tetë viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë u bë presidenti që ndërmjetësoi
marrëveshjen më gjithëpërfshirëse të paqes në Lindjen e Mesme,
pikërisht në Oslo, duke bërë që Arafat dhe Rabin t’i jepnin dorën
njëri-tjetrit publikisht. Ai përfshiu për herë të parë Sirinë në
procesin e paqes dhe ishte i pari udhëheqës në historinë botërore që
për pak e mbylli përgjithmonë konfliktin izraelito-palestinez në
bisedimet e vitit 2000. Për të mos përmendur këtu Paqen në Irlandën e
Veriut në vitin 1995 apo paqëtimin e Ballkanit, etj.
Përballë kësaj rezymeje, Obama ka arsye të ndjehet modest ndërsa
vendos në raftin e tij të trofeve Nobelin për Paqen. Ky çmim i jepet
zakonisht për të shpërblyer udhëheqës që luftojnë e veprojnë nën kushte
terrori e diktature, por edhe ata që frymëzojnë ndryshime të mëdha.
Ndërsa vetë nuk ka vendosur paqe askund, Obama gjithsesi me retorikën e
tij përfshirëse e qetësuese ka frymëzuar një etapë zbutjeje tensionesh
në skenën ndërkombëtare dhe kjo me sa duket ka shtyrë Komisionin e
Nobelit që të nderojë Presidentin amerikan.
Nga ana tjetër, Obama udhëtonte në Oslo, vetëm pak ditë pasi kishte
dhënë urdhër që 30 mijë ushtarë tjerë amerikanë të dërgoheshin në
Afganistan për të rritur sulmet kundër Talibanëve që janë fuqizuar
përsëri disa vjet pas rrëzimit nga pushteti. A është njeri i paqes ai
që drejton luftën?
Pikërisht, duke mos iu shmangur kësaj dileme por duke u përballur
drejtpërdrejt me të, Barack Obama fitoi lavdërime për fjalimin e tij.
Në “tempullin e paqes” ai mbrojti luftën. Ai argumentoi se jo të gjitha
luftërat janë të këqija dhe se ekziston ajo që quhet “luftë e drejtë”.
“Me nisma paqeje Hitleri nuk do të ishte mundur kurrë”, tha ai. “As
udhëheqësit e Al Kaidës nuk do t’i kishin ulur kurrë armët”. Presidenti
Obama pranoi publikisht, ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera, gabimet
në politikën e jashtme amerikane, ambiciet e tepruara ushtarake dhe
injorimin e aleatëve dhe interesave të vendeve tjera. Por, ai tha se
nuk duhet harruar “se për gati gjashtë dekada, Amerika i ka vënë
shpatullat sigurisë mbarëbotërore duke mos kursyer gjakun e djemve dhe
vajzave të saj për të shpëtuar popujt e tjerë”.
Këto fjalë u duartrokitën në mbarë botën, sidomos në SHBA, ku e
djathta druhet se zbutja e politikës nga Obama po bëhet në dëm të një
historie sakrificash amerikane që po harrohen në modën e re të kërkimit
të faljes për viktimat e pafajshme apo teprimet ushtarake. Ashtu si
amerikanët, edhe ne shqiptarët si këtu në diasporë ashtu edhe në atdhe,
kemi arsye të duartrokasim. Ne jemi dëshmitarët e mëdhenj si të “luftës
së drejtë”, ashtu edhe të “sakrificës amerikane”. Në vitin 1999, duke
injoruar protestat e pacifistëve të radhës që preferojnë më mirë të
shohin një popull që shtypet në tokë sesa bombat që bien nga qielli,
SHBA’ja udhëhoqi NATO-n në një luftë që ndaloi një gjenocid dhe shmangu
një katastrofë humanitare duke shpëtuar popullin e Kosovës nga makina
gjakatare diktatoriale e Serbisë.
Duke zgjidhur një situatë të vështirë pas kritikave për meritën,
Obama nuk foli për veten por për Amerikën. Ndonëse ishte aty për t’u
nderuar personalisht, ai e ktheu ceremoninë në një nderim për Amerikën,
ashtu siç kishte bërë të qartë më parë se këtë çmim do ta pranonte në
emër të Amerikës. E në këtë prizëm, nuk ka si të ketë një çmim më të
merituar.

Autori është kryeredaktor i gazetës “Illyria” në New York.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi