Ri – sh - krimi

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Ri – sh - krimi

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Dec 11, 2009 5:16 pm

Ri – sh - krimi

Shaip Beqiri
Fytyra e busullës

Regjimi stalinist shqiptar punën e parë që bëri në fushë të letërsisë qe likuidimi pothuaj i plotë i të gjithë krijuesve të njëmendtë të saj, pra heqja me një të rënë të vetme e shkrimtarëve të vërtetë. Ky ishte hapi i dytë i bërë njëkohësisht me të parin. Cili qe hapi i parë? Thirrja me urdhër partie e një grup gazetarësh të gjallë e të vdekur, të shquar e të pashquar, të vjetëve `30 duke vënë para tyre përvijat e tërë asaj që do të bënin në vazhdim.
Një përngjasim tmerrësisht identik ndodhi edhe pas gati gjysmë shekulli. Sikundër truma jo e vogël e gazetarëve të atëhershëm që shkallmuan dyert e letërsisë duke kërkuar strehim në gjirin e saj, pas gati gjysmë shekulli pasardhësja e kësaj trume të shumëfishuar hodhi në erë dyer e dritare të asaj ngrehine dhe iu kthye zanatit të vet të parë! Tash dalëngadalë, duke u ngutur gjithnjë, kjo trumë e pafund gazetarësh, publicistësh e analistësh të shpifur, me ambicie të pafshehura e të pafrenuara karrieriste gjithfare, janë shpërndarë ndër redaksi gazetash e mediash të tjera edhe më të shpifura se vetë ata. Këta heronj të lodhur të kohës sonë nuk shkruajnë më as ndonjë poezi rasti, lëre më ndonjë gjë paksa “më të madhe”, sepse para vetes i ka përpirë të tërë kauza e madhe e kombit!
Që nga fillimi i vjetëve `60 e tutje, për tridhjetë vjet me radhë, kritika letrare në Shqipëri dhe një pjesë jo e vogël e asaj në Kosovë nuk ka reshtur së vendnumëruari duke mbllaçitur vetëm tre emra shkrimtarësh: Agolli, Kadare, Arapi. Kjo ishte formula me të cilën zgjidhej çdo problem letrar, qoftë ai i lehtë apo pak më i vështirë. Mbajtja kaq e gjatë mes nofullash e këtyre emrave, sikundër që ndodhte pak a shumë njësoj edhe në Kosovë, natyrisht që i ka rrjedhojat e veta.
Pasi bënë me ngut tëharrjen e veprave të veta nga zgjyra e damkat drastike, disa nga këta shkrimtarë-funksionarë zunë të çirren me të madhe për mundësinë e hapjes së dosjeve, për mosnevojën e ri-sh-krimit të historisë shqiptare dhe të historisë së letërsisë kombëtare.
Në përpjekjet më se dyzetvjeçare të shkrimit të historisë së letërsisë shqiptare, nën dritën e aparaturave të ideologjisë socrealiste, mundimi më i madh ka qenë mbulimi i gropave dhe humnerave të pakapërcyeshme në një fushë kaq të gjerë krijuese. Pra kënaqësia e përçudshme për t`i mënjanuar plotësisht, poende edhe pa i përmendur fare, autorët më të rëndësishëm të letërsisë sonë, tingëllon tepër absurde sidomos kur atë e shoqëron dilema e shtruar tash se a duhet të rishkruhet me kaq vonesë tmerruese historia e plotë e letërsisë shqiptare!? Natyrisht që nuk duhet rishkruar sall ajo, por pikësëpari duhet nisur nga historia e kombit shqiptar dhe shumë histori të tjera të mjera! Derisa dihet mirëfilli se historinë e kombit shqiptar, të gjuhës shqipe, të shkrimit shqip dhe të gjithë kulturës e qytetërimit shqiptar e kanë bërë pikësëpari shkrimtarët shqiptarë, të cilët përfaqësojnë anën më të ndritshme të traditës sonë kombëtare, është krejtësisht e natyrshme që rishkrimi për së mbari dhe i plotë i historisë së qytetërimit shqiptar të fillojë nga shkrimi me themel i një historie të letërsisë shqiptare, duke e dhënë të plotë e të pagjymtuar tërësinë e saj, sa më objektivisht që të jetë e mundshme. Pra, së pari duhet bërë shkrimi i një vepre themeltare të kësaj fushe të krijimtarisë sonë, pastaj ose përnjëherë puna të vazhdohet edhe në shumë të tjera.
Pyetja e parë që shtrohet për këtë punë edhe është më e vështira: kush do ta shkruante atë histori të letërsisë shqiptare, e cila deri tash sall është shkretuar!? Akademitë e tashme dhe institucionet përkatëse profesionale, qofshin në Shqipëri apo në Kosovë, të cilat për një jetë njeriu gjoja janë specializuar për këtë punë, nuk janë të afta dhe as të gatshme për një punë kaq kolosale. Në krye të herës, në përbërjen e tyre ende gjëllin ajo mizëri akademikësh që edhe më parë ka bërë gjithçka tjetër përveç shkencës së vërtetë. Në fund të fundit, po të ndiqen gjurmët e çdolloj krimi që ka përshkuar vazhdimisht luftën e tmerrshme për afër gjysmë shekulli kundër jo pak majave të letërsisë, të artit dhe të kulturës shqiptare, ato të shpien pikërisht para dyerve të atyre akademikëve me firma të praruara! Kjo luftë me taktikë të ndryshuar vazhdon edhe sot. E keqja më e madhe e kësaj lufte nuk është fëlliqësia që ndryn ajo në vete, e cila ndoshta edhe do të lahej disi, por mbajtja gjallë e shpresës së pjesëtarëve të saj se pikërisht ata do ta shpien edhe më tej, deri në pafundësi, rezultatin e krimit (jo krijimit!) të vet të rrallë, duke vërtitur në qiell kurorën e madhe të dafinave që vazhdojnë të mbajnë në duar. /Vijon
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Çerdhet e nepërkave të dijes së çoroditur

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Dec 11, 2009 5:16 pm

Çerdhet e nepërkave të dijes së çoroditur

Shaip Beqiri
Fytyra e busullës (2)

Kjo dorë akademikësh, e cila kishte dalë kryesisht nga shkollat e larta të dijeve socrealiste me origjinë sllave, që në fillim dha provimin e pjekurisë ideologjike duke shkelur me të dyja këmbët mbi çdo vlerë të traditës së mirëfilltë të shkencës, të kulturës, të artit e të letërsisë shqiptare me frymë të njëmendtë kombëtare të orientimit perëndimor. Ajo u mvesh me pancir e me doreza të hekurta pushtetare në përleshje të egër kundër atyre që kaherë u kishte rënë dheu fytyrës ose, në atë turr të ndërkryer, ndonjërit edhe varrin ia zhbëri duke ia hedhur eshtrat në Drin, kurse goditjen më të fortë vazhdoi t`ua jepte atyre që pushteti diktatorial i kishte ndjekur e përndjekur deri prapa diellit, duke ua mbyllur përgjithmonë dyert e atdheut dhe zhbirë emrin e shenjën me mallkim e harrim. Në një klimë të tillë të ndjekjes së shtrigave, akademikët trutredhur shqiptarë, qofshin ata të vjetër, të rinj e më të rinj, vazhduan kryqëzatën më të zezë kundër vlerave kulminante të dijes dhe të artit shqiptar me një vërsulje që mund të krahasohet vetëm me atë që kishte bërë kopeja e akademikëve stalinistë në procesin e spastrimit të antisocrealistëve dikur në vend të vet. Mirëpo kjo nuk është krejt e keqja. Ç`është e vërteta, kopeja jonë akademike është shumë më e re se e kryehershmja staliniste, por ka përvojë shumëfish më të gjatë e më të pasur se amëza e mentalitetit prej së cilës ka dalë. Jona nuk ka pushuar kurrë deri sot. Veprimi i saj nuk ishte e as nuk ka mbetur asnjëherë vetëm një fushatë e kufizuar në një kohë të caktuar. Asaj ende i tingëllon në veshë slogani i përjetësisë së mësimit që ka nxënë përfundi themelit të saj, prandaj nuk ka pasur si të delte prej gëzhojës së vet!
Ndërkaq ana e tmerrshme e çështjes është: kush duhet të shkruajë historinë e vërtetë të kombit shqiptar, historinë e letërsisë shqiptare dhe shumë histori të tjera? Përgjigjja ime është edhe më e tmerrshme: atë punë nuk duan e as nuk mund ta bëjnë kurrë çerdhet e tashme të nepërkave të dijes së çoroditur shqiptare! Argumenti më i fuqishëm për këtë gjë është vetë sjellja kriminale e tyre në tërë periudhën e të ashtuquajturës demokraci e brishtë kalimtare gjithandej në botën shqiptare. Ankthi i këtyre akademikëve dhe titullarëve të tjerë të ngjashëm, sikundër edhe i vetë protagonistëve të tyre, pra shkrimtarëve që gjatë tërë kësaj periudhe të zezë të stalinizmit shqiptar kanë qëndruar në krye të listave të çdo lloji, se gjoja nuk ka ç`të ndryshohet në thelbin e historisë së letërsisë shqiptare dhe paraqitja e rrjedhave të saj nuk mund të ndryshohet dot, përveç një retushimi e përplotësimi që duhet bërë duke futur e rifutur aty disa autorë që janë hequr ose që kanë munguar për një kohë, është një pikëpamje krejtësisht identike me atë të së vejës të Enver Hoxhës, e cila të njëjtën gjë e tha për historinë e kombit shqiptar në mënyrë më të shkoqur e të qartë se sivëllezërit e saj të idesë së mosndryshimit!
Do të vijë një ditë që historia e letërsisë shqiptare do të shkruhet e plotë dhe e tëharrur nga barishtet që kanë vërshuar deri tash çdo përpjekje të sprovave për ta bërë këtë gjë. Nuk do të shkruhet më vetëm një histori letërsie me bekimin ideologjik të pushtetit, i cili gjysmën e shkrimtarëve me vlerat më të larta artistike i konsideron armiq të vet. Ato histori letërsie të njëmendta natyrisht që nuk do të kenë autorë komisarët e dikurshëm të partisë e as komisarët e tashëm të partive të ndryshme, të cilët, edhe në sprovat e vonshme të sponsorizuara njësoj si më parë nga shteti ku ata kanë jo pak pushtet, tërë përqendrimin e tyre antishkencor e kanë te futja e vetes dhe e klanit të vet aty, duke menduar se vetëm ashtu do të mbeten përjetësisht në faqe të pandryshueshme historish! Ata nuk e dinë që ligjësia që përfton jeta shkon ndonjë hap më tej se ajo që shkruajnë ata. Pikësëpari historia e një letërsie nuk shkruhet duke mënjanuar vlerat majake të saj, nuk shkruhet duke kapërcyer e përzgjedhur djallëzisht, duke shmangur e falsifikuar paturpësisht, duke përbuzur e nëpërkëmbur mizorisht, duke shpifur e trumbetuar pafundësisht... Ardhja te vetë procesi i shkrimit të njëmendtë shkencor të një historie letërsie pikësëpari nënkupton shtrimin e tërë lëndës letrare përpara vetes, njohjen e hollësishme të saj, studimin e thelluar e të gjithanshëm të një prodhimi kolosal në ndërlidhje të shumanshme me letërsi të tjera dhe me fenomene të ndërlikuara të brendshme e të jashtme, qofshin ato letrare apo edhe joletrare.
Një punë kaq të stërmadhe nuk është që s`e kanë provuar autorë të shumtë letërsish të tjera të zhvilluara, studimi i të cilave ka një traditë të shkëlqyer me rezultate konkrete. Të ashtuquajturit specialistë shqiptarë të letërsisë, të cilët edhe në variantet më të shkurtë të biobibliografive të veta nuk harrojnë të zënë ngoje shkollimin e tyre ndër shkolla letrare me famë, është koha që nëse kanë zënë me të vërtetë ndonjë mësim, të nisin ta zbatojnë atë praktikisht në punë studimore dhe jo sall në vjedhje licencash kaherë të tejkaluara teorike...
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi