Maqedonia, përballë vetove

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Maqedonia, përballë vetove

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Sep 29, 2009 9:17 pm

Maqedonia, përballë vetove

Qemal Sakajeva


Në marrëveshje për shtjellimin si më poshtë, këto që bën Maqedonia, alias FYROM, le t’i quajmë dhe trimëri të saj, por pa pyetur, a janë trimërira.
Atëherë, nga vjen trimëria e Maqedonisë së vogël?
Së pari, ajo buron nga keqpërdorja e interesit euroatlantik për ekzistencën e Maqedonisë, republika e brishtësisë kulmore, si zgjidhje për shmangien e konfliktit të katërfishtë në gadishull, me Bullgarinë në lindje, Greqinë në jug, Serbinë në veri dhe Shqipërinë në perëndim. Kurajo e politikës maqedonase është paradoks, bash pse ajo merr turr nga pafuqia e vet.
Së dyti, ajo buron nga keqpërdorja e faktorit shqiptar. Për shumë kohë, që nga përpjekja strategjike e maqedonasve jugosllavë për sllavizimin e shqiptarëve duke ua ndryshuar edhe mbiemrat, me prapashtesën e dhunshme -oski, e deri së voni, me mosfutjen e tyre në llogari si popull i dorës së dytë, vendi u shty te lufta e brendshme, mes shtetit të maqedonasve dhe shqiptarëve të shpërfillur. Pas Marrëveshjes së Ohrit, vërehen zhvillime politike të stërholluara dykahëshe: për politikën ndërkombëtare - plotësim me hapa breshke i marrëveshjes, për nacionalizmin maqedonas - çfaktorizim i fuqisë politike të qindra mijra shqiptarëve, sipas mendësisë, përça shqiptarë, sundo mbi të përçarë.
Për të dy këto arsye, Maqedonia gjithmonë guxon, siç, së fundi, bëri edhe me Enciklopedinë, me të cilën, përveç spastrimit potencial të shqiptarëve, me teorinë nacionaliste të klasifikimit të tyre si ardhës dhe si pushtues territoresh të Maqedonisë. Mund të ketë qenë edhe test, i përpjekjeve për t’i ligjëruar pikëpamjet nacionaliste si shkencë dhe për të matur ndjeshmërinë e kundërshtimit të shqiptarëve në rrethanat e një përçarjeje. Shtetet, ashtu si edhe njerëzit, (sepse shteti përbëhen nga populli e drejtohen nga njerëz), vërtetë duhet të jenë të guximshëm, por sidomos duhet të jenë të mençur. Trima të marrë gjen sa të duash, të mençur të marrë nuk ka. Ky vend vetndjehet i shtrënguar në shpërngenjtë politiko - gjeografikë që nga pavarësimi si shtet: Bullgaria nuk ia njeh gjuhën. Greqia nuk ia njeh emrin. Serbia nuk ia njeh Kishën. Dhe kruhet me qindramijë shqiptarë aty, që janë shtetformues, dhe jetë e mot jetojnë në truallin e hisen e vet të Diellit. Edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës, siç presidenti Gjorgje Ivanov drejtoi rreptë kushte, duke thënë që “Maqedonia nuk do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, pa përfunduar edhe milimetri i fundit i procesit të demarkacionit të kufijve mes këtyre vendeve”, a thua se Kosova, për hir të shkëmbimit të ndërsjellë të ambasadorëve e trysnisë maqedonase, duhet të lëshojë territore, qoftë edhe milimetrin!
Kjo politikë, uthull e fortë që pëllcet enën e vet, duhet të rregullojë sjelljen, të kuptojë se Maqedonia nuk ndeshet me një veto, por gjindet përballë plot tri vetosh, të cilat, nëse ajo i shtyn të vihen, veto e parë është ta puthësh në ballë përpara dy të tjerave. Ajo që tashmë dihet - vetoja e Athinës, se çfarë emri duhet të mbajë ky vend për të ikur përgjithmonë nga FYROM, i ka dhënë pasojat: Maqedonia mbeti jashtë NATO-s. Greqia ia përsërit mizorisht: Pa ndryshuar emrin, s’ka NATO! Madje, edhe gjatë ballafaqimit zgjedhor, në televizion, mes kryeministrit Kostas Karamanlis e mëtuesit për kryeministër, Jorgos Papandreu, më 23 shtator 2009, ky i fundit, domethënë socialisti Papandreu, deklaroi prerë se, për çështjen e emrit të Maqedonisë, ka të njëjtën pikëpamje me demokratin Karamanlis dhe, nëse bëhem kryeministër, theksoi ai, do të kryej po atë që ka bërë Karamanlis.
Maqedoninë e kërcënon edhe një veto e dytë e pritshme, ende e pashqiptuar nga askush, për të cilën nuk është thënë asnjë rrokje, qoftë edhe paralajmëruese. Ndoshta, ajo nuk është përmendur ende, sepse mund të jetë menduar me mirësjellje që, Maqedonisë të mos i bëhen dy veto njëherësh, nga që një i del e tepron: le të anëtarësohet në NATO! Të gjithë e dinë se Bullgaria i tha “Po” Maqedonisë për në Aleancën e Atlantikut të veriut, duke u përputhur edhe me strategjinë amerikane. Por, veto bullgare rri si Sëpata e Damokleut. Nuk do të jetë diçka e papritur që, Sofja t’i thotë “Jo” Maqedonisë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian. Nuk përbën kurrfarë çudie që Bullgaria, në kohën që ajo vetë e di, t’i thotë: pa u marrë vesh për gjuhën, s’ka anëtarësim në BE. Kjo vonesë e dytë do të varet nga shkalla e emancipimi politik të Maqedonisë për zgjidhjen e problemeve me bashkëbisedime, e jo përmes trimërive nga keqpërdorja e nevojës për të ekzistuar Republika e Maqedonisë.
Ka dhe një veto të tretë të mundshme, e cila nuk lidhet as me emrin, as me gjuhën, por me mbijetesën e shtetit të Maqedonisë. Kjo veto zotërohet nga shqiptarët, e cila u përdor në mënyrë domethënëse më 2001. Qeveria nacionaliste maqedonase, u mundua ta nëpërkëmbte faktorin shqiptar, gjë që e futi vendin në luftë të brendshme. Ajo dështoi, sepse shqiptarët qenë të përcaktuar deri në fund dhe faktori ndërkombëtar euroatlantik bëri trysninë e domosdoshme, duke i çuar në tryezën e bisedimeve, në Ohër, shtetin maqedonas dhe shqiptarët, prej ku mori jetë marrëveshja e njohur, e cila u jep të drejtë shqiptarëve të jenë shtetformues në Republikën e Maqedonisë. Ato të drejta të ligjshme, qeveritë i lëshojnë me pikatore, në anën tjetër, me politikë të stërholluar, i përçajnë shqiptarët, deri atje sa ata nuk mund të nxjerrin president të vendit, as kryetar të parlamentit dhe as kryeministër, apo të kenë shkolla si maqedonasit. Por shqiptarët aty janë të përhershëm, përçarja mes tyre është e përkohshme. Ata do të bashkohen. Ata do të jenë më të shkolluar. Ata do të jenë më shumë numerikisht. Shqiptarët nuk janë të dënuar të shpërfillen nga nacionalizmi maqedonas në pushtet, akademi e gjithëkund tjetër, por maqedonasit janë të denuar të jenë të vëmendshmëm ndaj shqiptarëve, të cilët zotërojnë çelësin e mbijetesës së Maqedonisë, duke qenë përcaktues si shtetformues. Nëqoftëse Maqedonia do të sillet si me Enciklopedinë, shqiptarët kanë në dorë veton e mundshme ndaj mbijetesës së shtetit të përbashkët. Ky mësim është dhënë i plotë nga historia e pak viteve më parë.
Maqedonia gjindet përballë tri vetove: Vetos së kryer greke për emrin; Vetos së pritshme bullgare për gjuhën; Vetos së mundshme të shqiptarëve, sa herë që nacionalizmi maqedonas do t’u kundërvihet atyre, për t’i quajtur ardhacakë apo për t’i shpërfillur si popull e pjesë e barabartë e vendit.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi