Sfidat e qeverisjes së re shqiptare

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Sfidat e qeverisjes së re shqiptare

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Sep 17, 2009 3:50 pm

Sfidat e qeverisjes së re shqiptare

Astrit PATOZI


Kjo është një datë e shënuar për Parlamentin dhe vendin. Jo thjesht për faktin se pagëzohet dhe merr jetë qeveria e radhës. Por se ne mbështesim dhe votëbesojmë qeverinë më legjitime dhe më përfaqësuese që Shqipëria ka pasur ndonjëherë në historinë e saj. Dhe kjo, jo vetëm se kështu na pëlqen, jo vetëm se kështu na intereson të themi, pasi dihet se kjo është qeveria e kësaj mazhorance. Por se kjo mazhorancë dhe kjo qeveri është e para që del nga zgjedhje qartësisht të lira dhe të ndershme. Raporti final i OSBE-ODIHR nuk është vetëm konfirmim i legjitimitetit të saj absolut, por edhe një pasaportë e re biometrike për Shqipërinë, si një vend që tashmë ka kapërcyer me shumë sukses tranzicionin e vet politik, i cili nuk ka qenë aspak i lehtë, si një vend i cili është shkëputur një herë e përgjithmonë nga harta e atyre që kishin probleme me zgjedhjet, një makth poshtërues që na shoqëronte prej shumë vitesh. Dhe nga ana tjetër, pavarësisht se nuk do të dëshironim shumë të debatonim në distancë, nuk mund të rrimë pa e përmendur se nota e lartë me të cilën u vlerësuan zgjedhjet tona është dëshmi e fortë e një krize të rëndë identiteti dhe përfaqësimi, në të cilën është përfshirë forca kryesore e opozitës, Partia Socialiste, e cila, për fat të keq, mungon sot në Parlament, për shkak të haluçinacioneve jo vetëm politike të kryetarit të saj. Dhe ky është një lajm i keq në radhë të parë për Shqipërinë, për vetë socialistët, por edhe për ne këtu, pavarësisht se jemi kundërshtarët e tyre politikë.
Tashmë kanë rënë përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme të gjitha arsyet e mosarsyes, tashmë kanë rënë të gjitha alibitë dhe e vetmja gjë që pritet me interes nga ne dhe publiku është që Partia Socialiste të ngrihet nga letargjia e pajustifikueshme dhe të vijë këtu për të zhvilluar një debat normal politik dhe të përmbushë detyrimet e veta si forcë politike serioze.
Do të donim dhe shpresonim që në këtë sallë të ishte sot e pranishme edhe opozita. Pavarësisht se e dimë që ata nuk do të vinin këtu për të na përkëdhelur ne dhe qeverinë. Por më mirë të dëgjonim akuza dhe sulme të ekzagjeruara, më mirë të hidhëroheshim pak nga teprimet e deklaratave politike, sesa të rrinim "të qetë" nga memecllëku i tyre absurd. Ne shprehim keqardhjen e thellë për këtë pengmarrje të Partisë Socialiste nga një individ që është në hall. Por sado i madh qoftë halli i një njeriu, ai nuk mund të marrë zvarrë fatin e një force të madhe politike, sepse opozita është institucion i pazëvendësueshëm. Ata nuk vijnë për ne në Parlament, por për të bërë detyrën e tyre ndaj zgjedhësve të vet. Ne, as na takon, dhe as mund ta bëjmë dot rolin e opozitës.
Sot është një ditë e veçantë edhe për një gjë tjetër. Sepse për herë të parë në Shqipëri e djathta dhe e majta qeverisin bashkë dhe se kjo risi, sipas të gjitha gjasave, është qartësisht në të mirën e vendit. Për herë të parë demokratët dhe socialistët, ata që jo vetëm e kërkojnë, por edhe punojnë e luftojnë për integrimin e vendit të tyre, do të jenë njësoj të përfaqësuar në kabinetin, që ne do të votojmë bashkarisht sot. Do të ishte hipokrizi po të thonim se ishte ky synimi ynë para zgjedhjeve, sepse në fakt e kemi menduar dhe deklaruar ndryshe atë që prisnim nga 28 qershori, por është tërësisht e vërtetë se ne e lexuam me shumë pjekuri, realizëm dhe pa asnjë dilemë dhe mëdyshje vendimin e sovranit.
Kjo qeveri ngërthen në vetvete vlerat që bashkojnë të djathtën dhe të majtën europiane, konceptet moderne të politikës, duke e lënë pa asnjë peng dhe pendesë pas krahëve filozofinë primitive të llogoreve të vjetra. Në një shtet modern të së drejtës me demokraci të zhvilluar, kufijtë mes të majtës dhe të djathtës nuk janë mure të larta betoni, por diferenca të ngushta apo të gjera konceptesh, të cilat sigurisht nuk e prekin thelbin e sistemit. Ndaj dhe Shqipëria duhet të ndihet krenare për këtë mazhorancë të re, e cila nga ana e saj ka prodhuar këtë kabinet që ne po votëbesojmë sot.
Kjo është Qeveria e Integrimit dhe mbiemri i saj nuk ka lindur për të mikluar apo marrë me të mirë, LSI-në, forcën politike që iu bashkua pa asnjë kompleks koalicionit të djathtë, por si një dëshmi e vizionit të përbashkët për atë që konsiderohet si sfida më e rëndësishme për Shqipërinë në këtë katërvjeçar. Shqipëria Europiane ka qenë deviza e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Por ne jemi sot këtu për të treguar se Shqipëria Europiane nuk ka qenë për asnjë çast thjesht dhe vetëm një sllogan fushate, por angazhimi i madh i kësaj qeverie që sot do të marrë bekimin dhe besimin e Parlamentit. Dhe Shqipëria Europiane nuk nënkupton thjesht dhe vetëm liberalizimin e vizave, i cili sigurisht që ka rëndësinë e vet jetike për të realizuar ëndrrën e miliona shqiptarëve për të udhëtuar të lirë dhe pa andralla në hapësirën Shengen të kontinentit të cilit i përkasim. Dhe ky natyrisht është një premtim që do të realizohet në kohën e përcaktuar.
Por ne të gjithë e dimë se shqiptarët nuk duan ta gjejnë Europën vetëm duke udhëtuar drejt saj, sepse do të ishte shumë e kushtueshme dhe shumë e pamjaftueshme për ta. Më shumë se një akt politik i mezipritur, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europain do të jetë finalizimi i përpjekjeve të mëdha për të kapur në sa më pak kohë disa parametra të nivelit të jetesës dhe të qeverisjes, të cilat vetëm disa vjet më parë ishte jashtë çdo imagjinate se mund të arriheshin.
Ndaj edhe sfida e kësaj qeverie është rritja e shpejtësisë së zhvillimit të vendit dhe zgjerimi i standardeve në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, shërbime, paga, pensione dhe kudo tjetër. Sepse Shqipëria Europiane nuk është një nocion abstrakt dhe se shqiptarët duan ta gjejnë Europën këtu, në vendin e tyre, dhe se ata e meritojnë plotësisht atë.
Kjo qeveri do t'ia dalë ta fitojë këtë sfidë. Dhe bindja jonë tek suksesi i saj nuk është e verbër. Në radhë të parë se ajo nuk vjen nga boshllëku. Në një kuptim të ngushtë ajo është vijuese e atyre rezultateve të jashtëzakonshme që ne arritëm në katër vjetët e mandatit tonë të parë qeverisës.
Ne jemi sot këtu për të mbështetur dhe nxitur Qeverinë e Integrimit, e cila nis punën duke pasur në dispozicion një trashëgimi të pasur dhe të vyer nga paraardhësja e vet. Është pikërisht kjo hipoteka e suksesit të garantuar të kësaj qeverie. Në katër vjet ne arritëm që të bindim, jo vetëm shqiptarët, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë se ky vend mund të mirë-qeveriset me pasion dhe përkushtim, duke e kapërcyer shumë shpejt dhe me shumë guxim perceptimin publik se vendi ishte zhytur në një batak korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin prej kundërshtarëve tanë politikë, prej të cilit ishte shumë e vështirë për të dalë. Brenda një kohe fare të shkurtër ne nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe disa muaj para zgjedhjeve flamuri shqiptar u ngrit në Bruksel përkrah atyre të vendeve më të fuqishme dhe më demokratike të botës që bëjnë pjesë në Aleancën e Atlantikut. Por për të ardhur deri tek anëtarësimi në NATO, vendi përjetoi një bum zhvillimi të paparë dhe të shumanshëm.
Dyfishuam pagat dhe pensionet, pothuajse dyfishuam të ardhurat buxhetore, të cilat u shndërruan në rrugë, shkolla, spitale dhe vepra të tjera publike në të katër anët e Shqipërisë. I gjithë ky rrugëtim u përshkua nga reformat e gjithanshme të qeverisë së Partisë Demokratike, të cilat u ngjizën dhe morën jetë pikërisht këtu, në sallën e Parlamentit. Vijimi dhe përshpejtimi i tyre do të jetë kryefjala e aktivitetit katër-vjeçar të kësaj qeverie dhe të kësaj mazhorance.
Toleranca zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, dy shtyllat e programit të qeverisë së shkuar, që patën një rol kyç në arritjen e suksesit të saj, do të jenë sërish lajtmotiv i menaxhimit të pushtetit nga mazhoranca, që doli nga zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo qeveri, jo vetëm do ta vijojë këtë linjë të shpallur katër vjet më parë nga i njëjti kryeministër, por ajo do ta përshkallëzojë më tej këtë betejë, duke i dhënë një garanci më shumë qytetarëve shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, se vendi do të mirëqeveriset dhe se nuk ka asnjë shans të vetëm për hapa prapa. Por kjo qeveri e ka një problem, që na duhet t'ia themi në ditën e pagëzimit të saj. Paraardhësen e vet, e cila me sa duket është, sa fati, aq edhe "mallkimi" i saj. Sepse nuk do ta ketë të lehtë që ta fitojë garën me qeverinë "Berisha I". Por ne nuk mund të tolerojmë as barazimin në këtë "ndeshje", edhe pse të gjithë biem dakord se në katër vitet që shkuan bëmë për shqiptarët gjithçka që një qeveri e mirë mund të bënte për qytetarët e vet. Dhe ne e dimë paraprakisht se kjo nuk është aspak një çështje emrash dhe kapacitetesh të reja njerëzore, sa është çështje fryme dhe vizioni për t'iu përgjigjur ritmeve dhe shpejtësive më të mëdha që kërkon koha.
Ndaj edhe ne, jo vetëm e mbështesim dhe e votojmë, jo vetëm e nxisim dhe e inkurajojmë, por duke filluar që sot i kërkojmë me forcë kabinetit të ri të marrë të gjitha përgjegjësitë për të qeverisur më mirë se ekzekutivi i mëparshëm, jo thjesht si qëllim në vetvete, por për të materializuar sa më shpejt Shqipërinë Europiane. Sepse ajo nuk është një ëndërr, por një lartësi e re, një pritshmëri e natyrshme e qytetarëve europianë të këtij vendi.
Punë të mbarë qeverisë më legjitime dhe më përfaqësuese të shqiptarëve!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi