Si ti quajmë ‘Bjeshkë të Nemuna’ apo ‘Alpe Shqiptare’?

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Si ti quajmë ‘Bjeshkë të Nemuna’ apo ‘Alpe Shqiptare’?

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Sep 15, 2009 10:58 pm

Si ti quajmë ‘Bjeshkë të Nemuna’ apo ‘Alpe Shqiptare’?

Prof. dr. Behxhet Mustafa
Sistem malor madhështor

Bjeshkët e Nemuna janë sistem malor i veçantë në Siujdhesën Ballkanike që shtrihen në trekëndëshin ndërmjet Dinarikeve në Veriperëndim, Sistemit të Malit Sharr në Juglindje dhe Rodopeve në Lindje dhe Verilindje. Siç dihet Bjeshkët e Nemuna përfshijnë rreth 3500 km2 të shtrira ndërmjet liqenit të Shkodrës, Rrafshit të Dukagjinit, luginës së Zetës, luginës së Plavës dhe Gucisë. Sistemi i Bjeshkëve të Nemuna përbëhet prej 24 grupeve malore dhe prej 152 majave më të larta se 2000 m, ndërsa numri më i madh i tyre me pjesët më madhështore me numrin më të madh të grykave, kanjoneve, luginave me mbi 1000 km2 shtrihen në territorin e Republikës së Kosovës. Këto masive malore në popull janë të njohura si “Bjeshkë të Nemuna“, “Bjeshkë të Rugovës”, “Alpet Shqiptare” etj., por nga disa njerëz të vendit tonë qoftë nga shkenca qoftë nga politika apo dhe të zakonshëm viteve të fundit po kontestohet emërtimi “Bjeshkët e Nemuna” , sepse kështu për qëllime të caktuara “Prokletije” i ka emërtuar Jovan Cvijiqi një gjeograf i njohur serb, por dhe një nacionalist dhe antishqiptar i madh (Jovan Cvijiqi ishte në përbërje të komisionit për caktimin e kufijve të Shqipërisë më 1913). Për hir të së vërtetës dhe sqarimit për të gjithë ata që nuk e kanë pasur rastin të kenë literaturën nga autor të ndryshëm nga lëmi i gjeologjisë, gjeografisë, botanikës, historisë etj., në lidhje me sistemin malor të Bjeshkëve të Nemuna faktet dokumentojnë se termi “Bjeshkë të Nemuna” është term popullor dhe qysh në vitet e dyzeta të shekullit të 19-të për herë të parë në literaturën shkencore si të tillë e përdorë gjeologu i njohur francez Ami Boue. Të dhënat e para për Malet e Ballkanit qysh në kohën antike i jep Klaudi Ptolemeu, ku siç dihet në hartat e Ptolemeut, Sharri gjendet me emrin “Scardus”, ndërsa Bjeshkët e Nemuna me emrin “Bertiscus”. Në disa harta të vjetra pos emërtimit “Bertiscus” haset edhe emërtimi “Beriseldi”. Rreth 2000 vjet pas Ptolemeut në një publikim të tij Ami Boue më 1840 përdor emërtimin shqip “Bjeshkë të Nemuna” krahas emërtimeve “Alpet shqiptare të Veriut”, “Alpet në Jug të Evropës” dhe “Malet shqiptare të Veriut”, por me këtë emërtim ai sistem malor gjendet edhe në publikimet e më vonshme të tij më 1852, 1866, 1891 etj. Ndërsa më vonë emërtimin “Bjeshkë të Nemuna” në publikimet e tyre e përdorin më pak autor si Yriarte më 1878; Schwarz më 1883, ndërsa F. Nopsca prej vitit 1905- 1929 në një seri publikimesh përdorë emërtimin “Bjeshkë të Nemuna”. Emërtimin “Rugovske Planine” të përkthyera nga emërtimi shqip “Bjeshkët e Rugovës” (sepse kështu i kanë quajtur banorët etnik shqiptar të atyre zonave) i kanë përdorur në publikimet e tyre Koshanin, 1992; Rudski, 1936; Kushan, 1936 etj.
Në fund të shekullit të 19-të përkatësisht më 1898 Velimiroviq për herë të parë e përdorë emërtimin “Prokletije” të përkthyer nga emërtimi shqip “Bjeshkë të Nemuna” duke u munduar që të bëj edhe emërtime të reja për disa pjesë të Bjeshkëve të Nemuna duke i quajt “Vragobije” ose “Bjello zllo” zonat e atyre masiveve me shkrepa vështirë të pushtuara nga njeriu. Në bazë të të dhënave edhe nga vet autorët serb Jovan Cvijiq për herë të parë emërtimin “Prokletije” e përdorë në një publikim më 1899. Këtë emërtim e përdorë dhe në publikimet e viteve 1913, 1921, 1924.

vijon
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

“Alpe Shqiptare”, emërtimi më i pranueshëm

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Sep 15, 2009 10:59 pm

“Alpe Shqiptare”, emërtimi më i pranueshëm

Prof. Dr. Behxhet Mustafa
Si ti quajmë “Bjeshkët e Nemuna”? (2)

Gjeograf, gjeolog dhe botanist të mëdhenj të shekullit të 19-të i kanë përdorur emërtimet “Alpet Shqiptare”( Baldacci 1904); “Alpet Shqiptare Veriore” (Kerner,1908; Leutelt,1932; Obersteiner, 1935; Bauer,1936); “Malet Shqiptare Veriore” (Steinmetz, 1904, 1905; Liebert,1909; Hayek 1922; Laffmann, 1936), ndërsa K. X. Resinger, 1935 përdorë emërtimin “Bertiscus- Alpet Shqiptare Veriore”. Pra, nga të dhënat e literaturës shihet qartë se termin “Prokletije” autorët serb e përdorin 58 përkatësisht 59 vjet më vonë se gjeologu francez Ami Boue. Nga të dhënat e literaturës dihet se Ami Boue është i pari gjeolog nga një vend perëndimor që vizitoi trojet shqiptare. Vizita me karakter hulumtues ndodhi në vitin 1832 nën sundimin e atëhershëm otoman ku mblodhi të dhëna të rëndësishme si nga aspekti gjeologjik ashtu dhe nga ai botanik. Prandaj nuk ka mundësi që të publikohet ndonjë punim që flet për historinë e gjeologjisë apo të botanikës së trojeve shqiptare e mos të citohet Ami Boue. Rezultatet e hulumtimit të tij në zonën e Bjeshkëve të Nemuna gjatë viteve të tridhjeta Ami Boue për herë të parë i botoi më 1840. Në bazë të të dhënave nga vet Boue, vizita e parë në kuadër të hulumtimeve të Bjeshkëve të Nemuna është bërë në pjesët e vendbanimeve të Valbonës, Shalës etj. Banorët e atyre vendbanimeve shkrepat dhe majat e atyre zonave që nuk kanë mund ti pushtojnë me këmbët e tyre për shkak të ashpërsive i kanë quajtur “Bjeshkë të Nemuna”. Prandaj Ami Boue prej aty krahas emërtimeve “Alpet Shqiptare Veriore” dhe “Alpet në Jug të Evropës” përdorë dhe termin “Bjeshkë të Nemuna”. Autorët serb (Velimiroviq dhe Cvijiq), por dhe të tjerë, më vonë zgjedhin këtë term, pra “Bjeshkë të Nemuna” të përkthyer në serbishte “Prokletije” për të futur në literaturë pa përdorur asnjëherë krahas këtij termi dhe termet “Alpet Shqiptare Veriore”, “Alpet në Jug të Evropës” dhe “Malet Shqiptare Veriore”. Kjo është e kuptueshme për nacionalistët siç është Cvijq dhe të tjerë, sepse për ata vetëm termi “Bjeshkë të Nemuna” në serbishte “Prokletije” nuk është i lidhur me trevat shqiptare. Në fund autori i këtij shkrimi mendon se edhe pse emërtimi “Bjeshkët e Nemuna” është emërtim popullor dhe në literaturë është përdorur për herë të parë nga shkencëtarët francez, austriak, gjerman, anglez etj., emërtimi “Alpet Shqiptare” është më i akceptueshëm, sepse ato vërtet janë sistem malor madhështor në të gjitha aspektet si në atë gjeomorfologjik, hidrologjik, floristik, faunistik, vegjetativ, peisazhorë etj. Prandaj, jo rastësisht gjeologët, hidrologët dhe botanistët më të mëdhenj të shekullit të 19-të dhe të shekullit të 20-të i kanë quajtur “Alpet Shqiptare”, “Alpet Shqiptare Veriore” dhe “Alpet në Jug të Evropës”.
(Autori është profesor në Departamentin e Biologjisë në FSHMN dhe kryetar i Shoqatës së Ekologëve të Kosovës)
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi