Shkolla shqiptare per fe dhe feja në shkolla

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Shkolla shqiptare per fe dhe feja në shkolla

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Sep 15, 2009 10:56 pm

Shkolla shqiptare per fe dhe feja në shkolla

Shkrua : Faton Abdullahu


Nëse ka diçka që ne shqiptarëve nuk mund të na mësoj Evropa dhe jo vetëm ajo, atëherë kjo është toleranca fetare dhe përgjithësisht qasja paqësore ndaj feve. Në të vërtetë mund të jetë ndryshe, jemi ne shqiptarët që mund t’i mësojmë evropianët dhe jo vetëm ata, për tolerancë fetare. Në rrethana normale, në gjithë universitetet evropiane, kuadrot shqiptare nga Ballkani, do të ishin ligjëruesit më të mirë, më paqësor, dhe më të pranueshëm, për fenë përgjithësisht dhe për tolerancën fetare, posaçërisht. Me identitetin tonë nacional, fetar e qytetërues, me kulturën tonë përgjithësisht, ne si komb ishim dhe vazhdojmë të jemi krejt unik, çka ka krijuar dukurinë shumë të rrallë dhe të panjohur e të pastudijuar ndër ne, kur një komb i vetëm është edhe një qytetërim në vete, çka nuk ndodhë me shumicën e kombeve në planet, sepse zakonisht në raste të tjera, vetëm shumë kombe bashkë, me ngjajshmëritë kulturore, gjuhësore dhe të tjera, sikundër edhe me fenë e ngjajshme, përbëjnë një qytetërim sepse kanë identitet të njëjtë qytetrues. Përkatësitë e ndryshme fetare, gjuha krejt e veçantë, ndikimet nga disa kultura e ideologji të ndeshura keq në Ballkan, dhe posaçërisht me të drejtën zakonore shqiptare, një nga margaritarët e rrallë të gjithë civilizimit njerëzor e bëjnë kombin shqiptarë me identitet unik në botë, thjeshtë krijojnë qytetrimin shqiptarë. Vërë në kandarin e interesave e përfitimeve, fatin tonë nëpër histori, të qenit ndryshe nga krejt të tjerët, jo rrallë ka qenë mungesë përparësie, disa herë është kthyer edhe në tragjedi. Të pasurit e një identiteti e fati unik, na ka bërë që të kemi edhe qasje, koncepte e veprime unike për zhvillime e dukuri të ndryshme shoqërore e për rjedhojë edhe për fetë të cilave i përkasim.
Ditë më parë u ripërsërit një kërkesë që një lëndë mësimore mbi fenë, konkretisht “edukata fetare”, të jetë lëndë obligative në shkollat tona publike. Këtë kërkesë e bëri Bashkësia Islame e Kosovës, konkretisht z. Tmava. BIK-u ka dhënë arsyetimet dhe argumentet e veta për këtë kërkesë. Ajo ka shpjeguar se në këtë lëndë nuk do të mësohet vetëm mbi fenë islame. Jo pse do të kishte më shumë sukses, por për të lënë përshtypje më të mirë e më vëllazërore në gjithë këtë, do të ishte shumë më mirë që kërkesën e njëjtë BIK-u ta bënte në koordinim të plotë me Kishën Katolike të Kosovës, por këtë ajo nuk e ka bërë. Me aq sa mund të kuptohet një kërkesë e tillë jo vetëm tani, mbështetet edhe në atë se të tjerët në Evropë dhe gjetiu e kanë futur lëndën “edukata fetare”, prandaj edhe ne duhet ta bëjmë të njëjtën, përderisa ia kemi mësy të bëhemi pjesë e kësaj tërësie. Është e vërtetë se në Evropë, sidomos në disa vende të saj, jo vetëm sot, feja zë vend më shumë, bile edhe praktikohet më shumë se sa në Kosovë. Sikundër të shtrihej ta zëmë feja islame tek ne, sa shtrihet e ndikon feja krishtere në disa vende evropiane, akuzat para luftës për kinse terrorizëm e fundamentalizëm islam ndër shqiptarë, do të sillnin goxha shumë probleme e keqkuptime. Gjithsesi për aktivizimin e këtij mekanizmi mbrojtës, nga akuzat dashakëqija, merita të mëdha gjithherë i ka pasur edhe BIK-u. Në anën tjetër baza kryesore e këtij mekanizmi qëndron në qasjen unike ndaj feve tona që determinohet nga identiteti ynë i veçantë. Thjeshtë edhe përkundër lëvizjeve jo të pakta në shoqërinë tonë të pasluftës që kanë prekur edhe identitetin tonë, marrë të gjitha parasysh, ne vazhdojmë të jemi më shumë evropian se sa që për të tillë na pranon Evropa, por ende vazhdojmë realisht të jemi më pak evropian sesa që duam të jemi.
T’i kthehemi konkretisht kërkesës së BIK-ut. A ishte kërkesa për edukatë fetare në shkolla, përgjigje e zgjerimit të fesë islame ndër ne që nga pas lufta, apo kjo përshtypje vetëm krijohet nga tjetërsimi i saj në segmete të caktuarta, apo ndoshta në këtë kërkesë ka përpjekje për të siguruar një lloj vetëmbrojtje nga akuzat në rritje prej segmenteve të reja që kërkojnë qasje ndryshe për fenë e ndaj fesë? A është kërkesa e BIK-ut përpjekje e sinqertë për të futur siç e thotë edhe vetë ajo më shumë etikë e moral në shoqërinë tonë e cila pandalshëm devalvonë nga vlerat e tilla, apo përpjekje jo vetëm e tërthortë për ndikim në fusha të caktuara të jetës? Janë gjëra që mund dhe do të duhet të diskutohen dhe kjo nuk po ndodhë. Ndërkaq pavarësisht nga këto, kërkesa e BIK-ut thjeshtë u refuzua. Ajo u refuzua herë me kinse keqardhje e hezitim e herë me anashkalim të butë e pa shumë fjalë, si nga politikanët tanë ashtu edhe nga pushtetarët, ndërkaq krejt kjo as nuk bëri jehonë ndër intelektualët, që duket se preferuan që duke heshtur, të mos e ngritin këtë kërkesë në çështje, që i bije më shumë miratim me gjendjen ekzistuese.
Pakënaqësia në Bashkësinë Islame me këtë refuzim nuk ishte e vogël dhe kjo është e kuptueshme. Edhe reagimi nuk ishte i butë, përkundrazi sado që kjo nuk ishte e zakonshme. Më e ashpra ishte akuza për vazhdimin e ndikimit të ideologjive të vjetra; komunizmit dhe stalinizmit tek politikanët dhe pushtetarët tanë të sotëm. Me sa mund të kuptohet perceptimi i BIK-ut dhe jo vetëm i saj, lidhur me këtë çështje, është se ka qenë dhe është ndikimi i ideologjisë komuniste, ajo që ka ndikuar në vetëdijen qytetare, kombëtare dhe tjetër të pushtetarëve e politikanëve tanë dhe i ka shtyrë ata në refuzimin e kërkesës për futjen e lëndës fetare në shkolla. Kjo është akuzë goxha e rëndë dhe unë konsideroj se si e tillë ajo jo vetëm që është e ngutshme por thjeshtë është kalkulim i gabueshëm i fakteve e rrethanave dhe si i tillë nuk qëndron.
Janë dy çështje që duket se nuk po kuptohen apo po lihen anash vazhdimisht kur bëhet fjalë për qasjen ndaj fesë tek ne. E para është se ky vendim gjithsesi e ka bazën në sekularizmin e jetës dhe shoqërisë shqiptare, në sekularizmin e kulturës, identitetit dhe aspiratës së të gjithë shqiptarëve në Ballkan, pra edhe në Kosovë. Sekularizmi shqiptarë nuk e ka bazën aty ku e ka sekularizmi evropian. Është i një natyre tjetër, është unik. Sekularizmi evropian është sendërtuar gradualisht dhe mundimshëm duke e përjashtuar kishën nga shteti dhe kjo është bërë me ideologjinë liberal demokratike. Kjo është e arritur unike e evropianëve e cila është përhapur edhe tek të tjerët. Kjo është më ndryshe te shqiptarët. Ne patëm zhvillim krejt tjetër dhe ky sekularizëm nuk ka mundur të vije në shoqërinë tonë i determinuar nga liberal demokracia. Sekularizmi te shqiptarët është gjithsesi më i vjetër se ai evropian. Ai bazën e ka në përkatësitë e ndryshme fetare të shqiptarëve (përqindja e krishtere aktualisht është më e vogël se sa trashëgimia krishtere) dhe posaçërisht në të drejtën zakonore shqiptare që i ka bërë ballë edhe të gjitha të drejtave tjera që kanë ardhur në trevat tona bashkë me fetë dhe ideologjitë e tjera, duke i reduktuar dhe amortizuar ndikimet e tyre, me çka është mbrojtur identiteti dhe gjuha e shqiptarëve.
E dyta që gjithashtu duket se anashkalohet është gjithsesi një e vërtetë që thuhet e pranohet jo rrallë, por interpretohet e shpjegohet ngurtshëm. Kjo e vërtetë është se në synimet tona për integrime euroatlantike që nuk janë vetëm politike, më shumë islam ndër ne ndoshta nuk nënkupton më afër e më shumë Evropë. Gjithsesi se nuk do të duhej të ishte kështu, posaçërisht ne nuk do të duhej të keqkuptohemi nga Evropa sekulare. Por disa gjëra kanë ndërruar edhe atje, sidomos pas sulmit terrorist të 11 shtatorit dhe zhvillimeve të kësaj natyre më pas. Por është e pamohueshme se politikanët shqiptarë janë ekstra të kujdesshëm, sepse ata që nuk na e duan të mirën, dhe të tillët nuk janë të paktë, mund ta shfrytëzojnë këtë element kundër nesh. Nëse këtë nuk kanë mundur ta bëjnë me sukses para luftës së fundit, ka indikacione në ambientet tona fetare, që akuzat për fundamentalizëm islamik te shqiptarët, kësaj radhe të jenë më bindëse e për rrjedhojë edhe me pasoja shumë negative për gjithë atë që duam ta ndërtojmë si shtet e shoqëri. Kur dihet se vetëm sa e kemi krijuar shtetin tonë të brishtë, ende të pa pranuar gjithanshëm dhe se kemi ekonomi të cilës i duhen ndihma të mëdha financiare, është e kuptueshme se ky kujdes i politikanëve tanë kthehet edhe në drojë jo vetëm politike.
Marrë parasysh gjithë këtë, zor se mund të mendohet se kërkesa e BIK-ut për futjen e edukatës fetare nëpër shkollat tona mund të pranohet ashtu si u propozua. Është me rëndësi që ky refuzim të mos ngjallë pakënaqësi. Kjo nuk i duhet BIK-ut, ajo për shumë çka këtë nuk e meriton. Por është me rëndësi të kuptohet drejt vendimi i pushtetarëve tanë e para së gjithash të kuptohet drejtë e gjithanshëm shkolla shqiptare e shqiptarëve në Ballkan për fenë. Kjo është vitale. Shkolla shqiptare për fe është paqësore, tolerante dhe shumë pragmatike. Ajo është thjeshtë sekularizëm unik në botë, është sekularizmi shqiptarë.
Ndoshta në një të ardhme të afërt duhet të ketë më shumë bisedime e më shumë sinqeritet në bisedimet e kësaj natyre. Sekularzmi shqiptarë që është një margaritar tjetër unik i kulturës dhe identitetit tonë që unë po e quaj shkolla shqiptare për fe është e shtrirë më thellë se që ne jemi të vetëdishëm për të, dhe në të ka pjekuri nacionale por ka edhe përputhshmëri me sekularizmin evropian dhe me aspiratat liberal demokratike të shoqërive të lira. Nëpër histori dhe në ditë të vështira për fatet tona, kjo shkollë gjithmonë rishfaqet për ta mbrojtur identitetin shqiptarë dhe shqiptarizmën përgjithësisht. Vitaliteti i saj qëndron mu te pragmatizmi dhe prirja edhe për të bashkëjtuar me fetë e ndryshme. Mu për këtë do të duhej të ketë vend edhe për edukatën fetare në shkollat tona, por duke i pasur parasysh specifikat tona të cilat i përmenda më lartë ajo nuk mund të jetë obligative për të gjithë e të jetë e njëjtë për nga rëndësia dhe karakteri me lëndët e tjera. Mbase mund të gjinden forma fleksibile me ç’rast për lëndën “edukatë fetare” t’u lejohet që në marrëveshje të vendosin arsimtarët, bashkë me prindërit dhe me nxënësit për secilën klasë e shkollë veq e veq. Kjo është praktikë që mund ta mësojmë nga Evropa.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi