Prof. Sami Repishti:Kosova nuk ka vend për 'talibanë'

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Prof. Sami Repishti:Kosova nuk ka vend për 'talibanë'

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Aug 29, 2009 10:17 pm

Kosova nuk ka vend për 'talibanë'

Prof. Sami Repishti


Lajmet e fundit mbi aktet terroriste të kryeme nga të vetëquejtunit “Xhihadi thërret” që paraqiten si “Organizata mbrojtja e Islamit në Kosovë” kundër vëllazënve dhe motrave shqiptarë të besimit katolik janë shumë shqetësuese. Në esencën e tyne këto akte terroriste janë krime kundër njerëzimit që dënohen me ligje dhe nga ndërgjegjja kolektive, si dhe akte anti-shqiptare që damtojnë randë kauzën e shenjtë të bashkimit kombëtar shqiptar. Akte të këtilla terroriste duhen dënue pa hezitim, pa rezerva nga të gjithë individët me arsye e ndërgjegje, si dhe nga autoritetet qeveritare e jo-qeveritare te Republikës së Pavarun të Kosovës, si shkelje flagrante të lirisë dhe pasunisë së qytetarëve kosovarë.
Djegja e shtëpisë së familjes shqiptarë katolike Mehaj në fshatin Prigodë të komunës Burimi/Istog , dhe kërcënimet e dërgueme për familje tjera shqiptarë katolike, janë akte terroriste. Përshtypja e parë që më pushtoi ka qenë revolt i menjihershëm dhe dënimi pa kompromis i këtij akti terrorist. Dhe ma vone, mos-besimi!
Dhjete vjet ma pare kjo shtëpi u dogj nga terroristet serbë të Millosheviqit, sepse ishte shtëpia e nji shqiptari që përkrahte luftën e UÇK-së. Sot digjet shtëpia nga terroristet e padeklaruem të “Xhihadi thërret” sepse ashte shtëpia e nji të konvertuemi katolik. Përfundimi i paevitueshëm ashtë se me qenë shqiptar në Kosovë për serbët ashtë nji krim që dënohet me vdekje; dhe me qenë katolik në Kosovë ashtë nji krim që dënohet nga “talibanët” kosovarë. E pabesueshme!
Sot, akoma nuk jam në gjendje me pranue se në Kosovën e lirë e të pavarun, në Kosovën e martirizueme që posa ashtë çlirue nga zgjedha shekullore serbe, lindin dhe jetojnë individë të paskrupull; që shkelin me kambë trashëgimin e lavdishëm shqiptar të tolerancës fetare. Ajo që mund të them sot ashtë se terroristët që i kanë vue zjarrin shtëpisë Mehaj në Prilog dhe ata që kanë kërcënue familje tjera shqiptare te konvertueme rishtas në katolicizëm nuk janë qenie njerëzore të pajisuna me arsye e ndergjegje, nuk janë shqiptarë, nuk janë qytetarë kosovarë që njohin historinë e Kosovës, që kanë doket dhe zakonet e Kosovës, që ushqejnë aspiratat e popullit të Kosovës, dhe që kanë të njejtat interesa me të gjithë popullin e Kosovës – megjithëse flasin shqip…! Elemente të këtilla shqip-folës nuk janë shqiptarë! Ende ma e randësishme: ata nuk janë të denjë të mbajnë nderin dhe të gëzojnë lavdinë e “qenies njerëzore”!
Mendoni, ju lutem vitet 1998 dhe 1999, natyrisht pa harrue tmerrin e shkatërrimet e Kosovës që nga viti 1877, e vargun e parë të “muhaxhirëve” që mbushën Kosovën, viktima të “spastrimit etnik” serb, ushtrue mbi Kosovën. Mendoni, ju lutem, solidaritetin kosovar që habiti botën e qytetnueme me fisnikerinë dhe suksesin e saj dekada me radhë. Mendoni, ju lutem, rezistencën paqesore e të armatosun -dy anët e nji monedhe– qe afroi shqiptarët, viktima aq shumë sa qe sakrifikuen jetën, dhanë shtëpitë për strehim, ushqyen të uritunit, veshen me rroba e këpucë të çveshunit që mbeten në mes të rrugës nga terrori serb ne Kosovë. Askush nuk pyeti për fe as për ide. Mjaftonte të ishe nji person në nevojë, pa bukë, pa strehë, pa veshmbathje, pa asgja…! Muhaxhir i përbuzun!
2.
Në mes të qershorit 1999, krimineli i luftës S.Millosheviq, ish- presidenti i Serbisë, u thye, u dorëzue me turp, dhe ma vonë u dërgue në Hagë, si kriminel lufte në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Forcat çlirimtare të NATO-s dhe repartet ushtarake të UÇK-së zbriten në qytetet e katundet e Kosovës, që çliroheshin çdo dite nga thundra shekullore serbe. Kujtoni pritjen e këtyne “çlirimtareve”, buqetat me lule, gazin në fytyret e viktimave, i madh e i vogël në kambë përshendeste lindjen e ditës së re - Ditën e çlirimit të përhershme të Kosovës. Asnji nga ushtarët çlirimtarë të NATO-s nuk ka qenë mysliman: të gjithë kanë qenë kryesisht të krishtenë të denominacioneve të ndryshme kristiane. Dhe na i përqafuem si çlirimtarë. Në Kosovë filloi jeta ku fjala, mendimi, shtypi dhe shërbimi fetar, u shprehën lirisht, ku adhurimi u ba lirisht. Në kishat e xhamijat dhe teqetë e Kosovës, ku shumica dërmuese e popullsisë janë të besimit mysliman, u banë lutjet e përditshme, dhe u adhurue i Madhi Zot që premtoi liri për të gjithë. Myslimanë e të Krishtenë u përqafuen si vëllau me vëlla. Para, nji mrekullie të këtillë. Asnjeri nuk kërkoi nga tjetri të ndryshoje fenë, mendimin politik ose kombësinë. Koncepti i lirisë për të gjithë nuk e lejonte nji akt të këtillë.
Feja, çdo fe, e sidomos fetë monoteiste -judaismi, krishtenimi dhe islamizmi- mshtetën mbi baza të forta e të qëndrueshme teologjike dhe morale. Nga këto baza liria fetare për të gjithë dhe e drejta e adhurimit lirisht ashtu si dikton ndërgjegja individuale e secilit prej nesh, janë themelore. Pa nji të drejtë të këtillë, feja, çdo fe, do të ishte nji imponim, dhe në praktikë nji diktaturë.
Nji qëndrim i këtillë lejon zhvillimin e lirë të shoqenisë pluri-konfesionale kosovare, dhe mirëqenien shpirtënore të të gjithë popullsisë. Ky parim ashte i pashkelshëm! E drejta me besue lirisht don të thotë me pasë të drejtë me zgjedhe formen e besimit që dëshiron, dhe me pasë të drejtën me u bashkue në komunitete fetare që dëshiron secili nga ne. Adoptimi i nji feje qoftë e trashegueme nga të parët tonë ose e përqafueme lirisht nga secili individ, ashtë një proces i natyrshëm, normal, ligjor, dhe i pranueshëm nga e gjithë bota e qytetnueme. Vetëm vendet e paqytetnueme, aty ku liria dhe ligji nuk funksionojnë, mohojnë këte të drejtë. Kosova nuk ashte nji vend i paqytetnuem!
Sot, ata “talibanë“ mesjetarë që duen te grabisin-me dhunë Islamin si fe paqësore, që synojnë kthimin mbrapa të shoqenisë kosovare në shekullin shtatë, janë pengesa ma e madhe e zhvillimit bashkëkohor të shtetit dhe shoqënisë kosovare. “Talibanët” kosovare duhen ndalue me të gjitha mjetet ligjore që lejon Kushtetuta e Kosovës që të mos ushtrojnë zanatin e tyne vdeksor! Ata janë thjeshtësisht këpurdha helmuese!
Këto ditë më kujtohen gjyqet e Prizrenit në vitin 1945. Më vijnë para sysh fytyrat e Profesor Kolë Margjinit (që kam njohë në liceun e Shkodres), dhe të legjendares Maria Shllaku. Të dy këta heroj u pushkatuen nga serbët sepse mbrojtën Kosovën, nji krahinë e banueme kryesisht nga popullsi myslimane. Mos harroni! Ju lutem, mos harroni!
3.
Sot, terroristet “talibanë” që nuk kane asgja të bajnë me “fenë islame” duen të djegin shtëpitë e Margjinit dhe të Shllakut, të vrasin fëmijët e tyne, të shkatërrojnë fshatet e tyne. E perse? Sepse ashtu e kërkon ai qe paguen…! Kjo ashte para e ndytë !
Kriminelë të ushqyem me para të ndytë! Ju nuk keni vend në Kosovën e lirë e të pavarun, ju nuk keni vend në mesin e shoqënisë kosovare që po ndërtohet e qytetnueme dhe përparimtare. Ju nuk keni vend në nji bashkësi myslimanesh e katolikesh shqiptarë të Kosovës, të lidhun si vëllau me vëlla.
City University of New York Sami Repishti,Ph.D
Gusht 2009
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi