Kartat rezervë të politikës dualiste

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Kartat rezervë të politikës dualiste

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Jul 08, 2009 9:43 pm

Faton Abdullahu

Serbia angazhohet të hyjë në Evropë, por në të njëjtën kohë punon edhe ta shpërbëjë një shtet të ri të Evropës, Kosovën. Ajo shpreson të marrë ndihma nga Evropa, por në të njëjtën kohë edhe të financojë forca e të investojë mjete të ndryshme kundër Kosovës (posaçërisht në veri të Kosovës dhe në diplomaci) për qëllime të cilat as nuk i fsheh. Serbia deklarohet se po bën politikë evropiane, paqësore dhe jo të dhunshme, por njëkohësisht konsideron se mund të nxitë dhe influencojë veprime joevropiane te serbët kundër Kosovës. Ajo konsideron se mund të bëjë zgjedhje të lira e demokratike, por njëkohësisht mund t’i pengojë ato të Kosovës duke i ftuar serbët për bojkot. Ajo mendon se mund ta zhvillojë këtë politikë, por njëkohësisht të krijojë përshtypje se ndjek politikë të fqinjësisë së mirë. Nëse kjo nuk i shkon për dore si duhet, thërret Greqinë në ndihmë për ta përforcuar këtë bindje, dhe fqinji nuk përton si përherë. Ajo shpreson se nëse i mungon diçka nga ndihma amerikane që u ofrohet shpesh ballkanasve, mund ta kompensojë këtë me ndihma ruse. Thjesht, të tilla kalkulime dhe sjellje i bën Serbia tash sa kohë ndaj Kosovës, fqinjëve dhe perspektivës evropiane. Jo e vogël në territor dhe në popullsi, me pozitë të mirë gjeostrategjike, me pasuri relevante tokësore e nëntokësore, ajo nuk po ndihet keq dhe nuk e ka ndërmend të largohet nga ky dualizëm politik.
Në anën tjetër Kosova me pavarësi të brishtë, ekonomi ende në transicion të mundimshëm, me pak infuzione financiare nga jashtë, me institucionet me kufizime të natyrave të ndryshme politike, i ka mundësitë e kufizuara, për të mos thënë se tani për tani nuk ka fare mundësi të bëjë asgjë karshi kësaj politike të Serbisë. Ajo ndoshta edhe mund të bëjë, por jo diçka kruciale që do ta shtynte Serbinë ta korrigjojë politikën e saj, aq më larg - ta pranojë realitetin e ri. Integrimet evropiane, strukturimi i politikave dhe prioriteteve bazike, gjithmonë në bashkëpunim me ndërkombëtarët për Prishtinën zyrtare ka karakterin e “të jesh, o të mos jesh”. Për Prishtinën zyrtare tash sa kohë është e pakontestueshme bindja se të ndjekësh politikë proevropiane e proevroatlantike do të thotë ta përforcosh e ta mbrosh pavarësinë e fituar. Të mos e bësh këtë, do të thotë ta vësh në pikëpyetje thelbin e ekzistencës, pra pavarësinë. Kjo nuk është kështu, as për Beogradin zyrtar, as për të tjerët, jo vetëm në Ballkan. Për dallim nga kalkulimet dhe sjelljet e Beogradit zyrtar, e posaçërisht të politikës së tij dualiste, Prishtina ka vetëm një drejtim, vetëm një qasje dhe pa kurrfarë politike dualiste. Ajo nuk ka kartë rezervë, e ka një të vetme - Prishtina nuk ka dhe nuk i preferon dualizmat në politikën e saj. Ajo është e përkushtuar sinqerisht në politikën e saj evroatlantike dhe të integrimeve evropiane. Është punë tjetër se sa është në gjendje ta bëjë me sukses një politikë të tillë, por përcaktimi është pa hamendësime.
Kur për shkak të politikës së tij Beogradi zyrtar mund të marrë ndonjë ndëshkim, apo vërejtje nga ato që mund t’i bëjë Evropa në qasjet ndaj ballkanasve, bazuar në konceptet e saja funksionale të “shkopit dhe karotës”, Serbia përsëri ka kartën rezervë dhe luan politikë dualiste. Ajo arsyetohet dhe në këtë jo rrallë tingëllon gati kërcënuese ndaj Evropës. Thjesht, Beogradi zyrtar në këtë arsyetim/ kërcënim thërret në ndihmë vëllazërore opozitën radikale, nacionalistët ekstremë që janë të shumtë e të fortë. Qeveritarët aktualë serbë, të perceptuar nga Evropa si demokratë, sikur i thonë Evropës - nuk ju pëlqejmë ne, ju duket se ne nuk jemi sa duhet evroperëndimor, e po ja çfarë mund të keni për këmbim në Serbi, - radikalët serbë në Parlament dhe gjithkund tjetër. Dhe ky nuk është kamuflim, kjo është e vërtetë. Ata janë në Parlamentin serb dhe janë shumë, ata janë gjithkund dhe kanë politikë krejt tjetër ndaj integrimeve evropiane, ndaj vlerave evropiane dhe ndaj shumëçka tjetër që është e pakontestueshme nga shumica e ballkanasve të tjerë. Këtë realitet, Evropa gjithnjë e ka në konsideratë kur bën politika ndaj Serbisë.
Dhe përsëri Kosova është ndryshe, nuk është e tillë, ajo ka një politikë, një qasje dhe parime bazë mbi të cilat strukturohet politika bazike e Prishtinës zyrtare dhe e të gjitha partive relevante politike në Kuvendin e Kosovës. Integrimet evropiane, politika evroatlantike, vlerat e përgjithshme properëndimore, nuk kontestohen nga asnjë parti politike. Në të vërtetë, Kuvendi i Kosovës këtu nuk ka alternativë dhe në këtë janë unike të gjitha partitë. Nëse ka diçka që nuk është në këtë vijë, që konteston Kushtetutën e Kosovës, decentralizmin apo diçka të ngjashme, ato forca nuk janë në Kuvend dhe kur ato kundërshtojnë nuk kundërshtojnë përmes institucioneve, por në rrugë. Ky është dallim i madh.
Thënë përmbledhtazi, Brukseli dhe Uashingtoni me politikat e veta duhet t’i influencojnë sjelljet e Beogradit zyrtar dhe duhet të ndikojnë në kalkulimet që i bën Serbia. Deri më tani nga këto sjellje dhe kalkulime po pëson pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës. Për shqiptarët, dhe jo vetëm ata, stabiliteti i Kosovës ka ndikim dhe efekte jo vetëm anësore - të ngjashme me ato që dikur kishte qëllimi dhe angazhimi për ta arritur pavarësinë e Kosovës. Prandaj, ata vazhdojnë të jenë kooperativë në rrugëtimin që kanë zgjedhur, sado që nganjëherë ndër ta mund të gjesh edhe “mirëkuptim të tepruar” që është karakteristikë e të qenit në pozitë inferiore. Është Serbia ajo që me politikën e saj në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë, po e vë në rrezik gjithë investimin që e ka bërë NATO, BE, SHBA dhe të tjerët.
Janë pikërisht këto që duhet ta mbrojnë Kosovën.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi