Qytetet shqiptare-Mitrovica

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Qytetet shqiptare-Mitrovica

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Dec 20, 2008 5:58 pm

Mitrovica
Historia

Pozita strategjike dhe sidomos ajo gjeografike në mes dy lumenjve të rëndësishëm, Ibrit e Sitnicës, ka bërë që territori i Mitrovicës të popullzohet qysh në parahistori. Albaniku (Monte Argentarum), i pasur me argjend e plumb prej kohës antike deri në Mesjetë, pastaj Trepça si vendburim i madh i plumbit, klima e përshtatshme, kushtet e mira për t’u marrë me bujqësi, blegtori, tregti etj., kanë ndikuar në koncentrimin e popullsisë në këtë mjedis. Pra motive ekonomike për themelimin e vendbanimeve dhe për përqëndrimin e popullsisë në këtë trevë, para së gjithash, kanë qenë blegtoria, bujqësia, gjuetia e më pas edhe xehetaria në fillim e zhvilluar në masë modeste për t’u bërë më vonë një ndër shkaqet kryesore të depërtimit romak dhe pushtuesve sllavë, osmanë etj, në këtë anë.Kjo trevë, sikurse pjesët tjera të Gadishullit Ilirik, në lashtësi kanë qenë e banuar me banorë ilirë, përkatësisht fisin dardan.
Në territorin e sotëm të trevës së Mitrovicës janë zbuluar disa gjurmë ndërtesash, një nekropol ilir, statuja të ndryshme prej balte e prej plumbi, një sarkofag, figura e Terpsikorës (Muzës së vallëzimit) etj. Jeta ekonomike në Dardani, pra edhe në trevën e Mitrovicës ka qenë e mbështetur në radhë të parë në bujqësi. Në shek. I të e.r. Iliria u gjend nën sundimin romak. Mitrovica në këtë kohë mund të ketë qenë stacion pushimi dhe si vend i përpunimit të metaleve. Në kohën romake, pas Ulpianës, qendra e dytë e rëndësishme ishte Municipium DD afër Soçanës (Soçanicës) e banuar edhe në parahistori. Në fund të shek. IX treva e Mitrovicës, bashkë me territorin e Kosovëa u gjend nën sundimin e shtetit bullgar të Car Simeonit (897-927), ndërsa pas rënies së kësaj mbretërie u rikthye nën sundimin e bizantit. Më 1185 viset shqiptare të veriut të Kosovës u pushtua nga shteti serb i Nemanjve. Këtu fillon periudha më e vështirë dhe më e errët për popullsinë shqiptare. Sundimtarët serbë e shdërruan këtë trevë në qendër politike, ekonomike, kishtare të shtetit të tyre, duke zbatuar politikën e tyre asimiluese. Në kohën e sundimit të Car Dushanit shqiptarët ishin të detyruar të braktisin ritin katolik për t’u orientuar drejt ortodoksisë sllave. Me ardhen e sllavëve në këto treva, harta toponomastike ndryshoi fytyrën rrënjësisht. Shumë emërtime të vjetra iliro-shqiptare u zëvendësuan me emërtime të reja sllave.
Në gjysmën e dytë të shek. XIX Mitrovica u bë një qendër e rëndësishme ushtarake, ekonomike, tregtare. Në afërsi të Mitrovicës, në fshatin Boletin, prodhoheshin gurë mulliri “kosovar”. Si stacion i fundit hekurudhor, Mitrovica u bë stacion importues dhe eksportues. Përskaj rrugëve të shtruara me kalldrëm u hapën dyqane të ndryshme zejtare e tregtare. Ndër objektet më të rëndësishme shquhej sharra e Dragajve.
Popullata shqiptare e këtij mjedisi ka marrë pjesë edhe në ngjarjet vendimtare, si: në luftërat për çlirim gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII, në ngjarjet e periudhës së Tanzimatit, gjatë Rilindjes Kombëtare, gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, gjatë LDB-së e sidomos gjatë decenies së fundit të shek. XX. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit morën pjesë Ali Draga, Mulla Iliazi dhe qindra prijës e krerë të kësaj hapësire. Në gjysmën e dytë të shek.XIX dhe në decenien e parë të shek. XX janë të njohura luftërat për liri të popullatës shqiptare të kësaj treve të udhëhequra nga Isa Boletini. Më 1903 luftëtarët e Shalës së Bajgorës, të udhëhequr nga Jashar Boletini, Bejtë Selaci, Shaban Jashari etj., zhvilluan një kryengritje të përgjakshme kundër forcave turke për të kundërshtuar vendosjen e konsullit rus, Shqerbinit, i cili në popull njihej me emrin Kanxhalloz, në Mitrovicë. Atë e vrau Ibrahim Popovci nga fshati Suk i Gjilanit. Më 1906, Komiteti Shqiptar me qendër në Manastir i shtriu degët e veta në tërë hapësirën shqiptare. Një nga degët më të forta ishte edhe ajo e Mitrovicës. Prijësit e Mitrovicës organizuan Kuvendin e Ferizajt. Luftëtarët e Mitrovicës çliruan Pazarin e Ri (22 korrik), Mitrovicën, Prishtinën dhe marshuan deri në Shkup (1912). Kështu në fund të korrikut 1912 kryengritësit shqiptarë çliruan tërë Kosovën. Pas tre muajsh, pra në tetor 1912, filloi Lufta e parë ballkanike. Serbia e ndihmuar nga Rusia etj., arriti ta pushtojë Kosovën. Vetëm në Mitrovicë, e cila paraqiste një interes të veçantë politik dhe ekonomik për të, ajo solli më shumë ushtarë se ç’kishte banorë.
Shumë përfaqësues të kësaj treve morën pjesë në ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, si Isa Boletini, Rexhep Mitrovica, Dervish Mitrovica, Hajdin Draga, Tafil Boletini. Rexhep Mitrovica kishte marrë pjesë në Kongresin e Elbasanit, ndërsa Isa Boletini udhëtoi me delegacionin në Londër për të biseduar lidhur me fatin e Shqipërisë e Kosovës. Nexhip Draga, ky mitrovicas ka qenë deputet në Parlamentin turk dhe, bashkë me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin etj. luftuan për çështjen e autonomisë së Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Në vitet 1921-1924, mitrovicasi tjetër, Rexhep Mitrovica ishte ministri i parë reformator i arsimit në Qeverinë Shqiptare. Në kullën e Boletinit në vitin 1899 u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe.
Në vitin 1908, nga ky mjedis doli edhe një personalitet shumë i rëndësishëm, Rexhep Remziu, i cili gjithashtu në qytet hapi shkollën në gjuhën shqipe. Gjatë periudhës së sundimit austro-hungarez (1915-1918) këtu janë hapur disa shkolla, ku përpos Rexhep Remzi Efendiut, janë shquar edhe Hajrë Haxhija, Jusuf Rexha, Shaban Idrizi etj.
Më 1 maj 1918, ende pa përfunduar Lufta e Parë Botërore, u formua ilegalisht Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës. Anëtarë të këtij Komiteti kanë qenë edhe disa personalitete nga ky mjedis, si Tafil Boletini, Rexhep Mitrovica, Dervish Mitrovica etj. Ata së bashku me Hasan Prishtinën kundërshtonin politikën e Mbretërisë SKS, njoftonin mekanizmat ndërkombëtarë lidhur me dhunën e terrorin serb mbi shqiptarët. Popullata shqiptare nuk gëzonte asnjë të drejtë – as të drejtën për përdorimin e gjuhës së tyre, të drejtën për t’u shkolluar, për të zhvilluar kulturën nacionale etj. Shumë familje u shpronësuan. Në tokat dhe pasurinë e tyre u vendosën kolonë serbë e malazezë. Shumë familje u shtrënguan që të braktisin vatrat e tyre stërgjyshore e të shpërngulen në Turqi e ngjeti. Veçanërisht pësuan familjet e pjesëtarëve ose të përkrahësve të lëvizjes së rezistencës.
Më 1931 u vazhdua hekurudha deri në Kralevë. U ndërtua edhe rruga prej 70 kilometrash që lidhte Mitrovicën me Pejën. Në vitet tridhjetë pos gurores në Boletin e sharrës së Dragajve, punonte edhe sharra me avull e Xhafer Devës, pastaj një fabrikë e tjegullave, një mulli elektrik etj. Më 16 gusht 1938 kompania Kopaonik Mines Ltd u integrua me kompaninë Trepça Mines. Në fund të vitit 1938, u ndërtua shkritorja e plumbit në Zveçan. Furra e parë e shkritores u vu në shfrytëzim më 21 dhjetor të vitit 1939.
Konventa turko-jugosllave, e cila u nënshkrua më 11 korrik 1938, parashihte shpërnguljen masive të shqiptarëve sidomos nga fshatrat e rrethit të Mitrovicës dhe nga vetë qyteti. Ndër luftëtarët që u shqua në këtë kohë, ishte Ramadan Doroci (Dan Doroci) nga Brabaniqi.
Më 6 prill 1941 Gjermania dhe Italia sulmuan Jugosllavinë. Më 17 prill Jugosllavia kapitulloi. Menjëherë në Mitrovicë doli në skenë Xhafer deva, i cili formoi administratën me nëpunës shqiptarë e boshnjakë, hapi shkolla në gjuhën shqipe, formoi gjyqësinë, xhandarmërinë etj. Derisa territoret e tjera iu bashkuan Shqipërisë, rrethi i Mitrovicës me Vushtrrinë, Podujevën dhe Pazarin e Ri, për shkak të burimeve të pasura natyrore dhe pozitës strategjike, u përfshinë në zonën gjermane të pushtimit.
vijon

Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve: 37277
Age: 60
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Qytetet shqiptare-Mitrovica

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Dec 20, 2008 5:59 pm

Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga ky mjedis dolën personalitete të shquara, si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Nexhip Deva, Muhamed Deda, Bedri Gjinaj, Xhelal Mitrovica e shumë e shumë të tjerë. Dy të parët kanë qenë kryetarë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Gjatë viteve 1943-44 Rexhep Mitrovica ka qenë kryeministër i Shqipërisë, ndërsa Xhafer Deva ministër i Punëve të Brendshme. Më 28 Nëntor 1941, në Mitrovicë u përkujtua 29-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kohë forcat çetnike sulmonin vazhdimisht kufijtë veriorë të Kosovës, duke rrezikuar kështu popullatën shqiptare në fshatrat Bistricë, Koshtovë e Vllahisë, Cerajë, Selac, Kaçanoll etj. Për ta ndalur këtë të keqe, qindra e mijëra vullnetarë shkuan në mbrojtje të kufirit. Në këtë kohë vepronte Lidhja Popullore Shqiptare me kryetar të parë të saj Rexhep Mitrovicën. Derisa nacionalistët si Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Bedri Gjinaj, Pajazit Boletini e të tjerë luftonin e punonin për bashkimin e Mitrovicës dhe territoreve të tjera të kësaj prefekture me Shqipërinë etnike, partizanët në krye me Ali Shukriun bashkëpunonin me komunistët serbë e malazezë, të cilët përpiqeshin që ta sëndertonin po atë politikë që kishin çetnikët – ta ripushtojnë Kosovën dhe ta terrorizojnë popullatën shqiptare. Më 8 shkurt të vitit 1945 u vendos Administrimi ushtarak. Okupimi i Kosovës nga ushtria Jugosllave u shoqërua me veprime terroriste, me operacione ndëshkimore, me masakra masive ndaj popullsisë shqiptare. Kundër grupeve të rezistencës, të cilat i udhëheqnin Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Bislim Bajgora etj., u lëshuan disa divizione të Armatës jugosllave. Pos prijësve dhe anëtarëve të familjeve të tyre u ekzekutuan e masakruan barbarisht edhe mijëra banorë të tjerë. Shumë nacionalistë u ekzekutuan, shumë të tjerë u zunë e u burgosën, ndërsa ata që arritën të shpëtojnë, kaluan tërë jetën në mërgim nëpër vendet e ndryshme të botës. Në këtë drejtim pësuan edhe anëtarët e ONDSH, të cilët vepronin në Mitrovicë e rrethinë. Ata kundërshtuan vendosjen e Administratës ushtarake, ripushtimin e Kosovës, vendimin e KQ të PKJ që Kosova t’i bashkangjitet Serbisë, klasifikimin e shqiptarëve në “pakicë kombëtare”, pastaj ripërtërirjen e “marrëveshjes xhentëllmene” të arritur midis Jugosllavisë e Turqisë më 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve, qëndrimin mohues ndaj traditave kulturore e historisë kombëtare etj. Më 1955-56 organet e sigurimit vunë nën tortura me mijëra shqiptarë të këtij mjedisi, sidomos të fshatrave të Shalës së Bajgorës.
Më 1966, pas shkarkimit të ministrit të punëve të brendshme të Jugosllavisë, A.Rankoviqit, shqiptarët morën pakëz frymë. Ata kërkuan të drejtat e tyre për arsim, për kulturë, për flamurin kombëtar, e deri rishikimin dhe ndryshimin e statusit politik të Kosovës. Më shumë të indinjuar ishin shqiptarët e Mitrovicës, sidomos minatorët e Trepçës, të cilët punonin natë e ditë, ndërsa djersën e tyre e shfrytëzonte Beogradi. Më 27 Nëntor 1968, në mesin e mijëra demonstruesve në Prishtinë ishin edhe studentët nga Mitrovica, të cilët, me flamurin kombëtar në duar kërkonin Kushtetutë, Vetëvendosje, Republikë, Universitet… Periudhën 1974 -1981, shqiptarët e Mitrovicës e përjetuan si një rilindje të tyre. Megjithatë, statusi kushtetues politik për ta ishte i pamjaftueshëm.
Si rrjedhojë e pakënaqësisë shpërthyen demonstratat e marsit të vitit 1981 në të cilat morën pjesë edhe qytetarët e Mitrovicës: nxënës, studentë, mësimdhënës, punëtorë, minatorë, bujq etj. Në këto demonstrata janë vrarë dhjetra qytetarë, janë burgosur qindra të tjerë. Pas ngjarjeve të vitit 1981, filloi një fushatë e egër kundër shqiptarëve në përgjithësi. Në fillim të vitit 1989, nën kërcënimin e armëve dhe me vota të joparlamentarëve Serbia likuidoi autonominë e Kosovës. Të parët që ngritën zërin kundër këtij vendimi ishin minatorët e Stantergut, të cilët u vetëngujuan në galeri të nëndheshme (22-28 shkurt 1989) dhe kështu sensibilizuan opinionin ndërkombëtar për gjithë atë që po ndodhte në Kosovë. Më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli “Republikën e Kosovës”. Në këtë drejtim kontribuan edhe delegatët nga Mitrovica. Një vit më vonë, më 26-30 shtator 1991, si kudo në Kosovë, edhe në Mitrovicë u organizua referendumi për t’i dhënë Republikës së Kosovës legjitimitetin e nevojshëm. Pas grevës së përgjithshme më 3 shtator, mijëra punëtorë shqiptarë u dëbuan nga vendet e tyre të punës. U larguan me dhunë nga objektet shkollore edhe mijëra nxënës, sidomos nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të mesme: Gjimnazit “Frang Bardhi”, SHMT “Arkitekt Sinani”, SHMM “Dr. Xheladin Deda”, SHME “Hasan Prishtina”. Nga këto shkolla ka pasur qindra nxënës të helmuar.Që nga viti 1992 e deri pas përfundimit të luftës mësimi është organizuar kryesisht në objektet private. Për shkak të shpërnguljes së shqiptarëve në disa vende perëndimore gjatë kësaj kohe ka rënë shumë numri i nxënësve.
Gjatë gjithë viteve ’80 e ’90 në Mitrovicë, si kudo në Kosovë ekzistonte një frymë e përgjithshme proteste dhe mospajtimi. Si reagim ndaj shuarjes me dhunë të autonomisë, ndaj ndjekjeve, burgosjeve, dëbimit nga vendet e punës, helmimeve, vrasjeve etj., si në mbarë Kosovën, edhe në Mitrovicë filloi organizimi i jetës politike paqesore. Dega e Lidhjes Demokratike në Mitrovicë, e prirë nga urtaku Latif Berisha, u bë faktor i rëndësishëm koheziv i organizimit dhe i mbajtjes së timonit të jetës në këtë regjion në të gjitha segmentet e saj. Më vonë u formuan edhe parti të tjera (Partia Parlamentare, Partia Republikane Shqiptare, Partia e Unitetit Kombëtar, Partia Demokristiane, etj), të cilat u bënë krah shumë i fortë në lëvizjen për çlirim. Në vitin 1992 u formua Qeveria Komunale e Koalicionit. Kryetar i saj ishte zgjedhur Agim Hajrizi. Nga organet e tjera që mbanin konturat institucionale në Mitrovicë, vlen t’i përmendim: Këshillin Komunal për Financim, Këshillin Komunal për Arsim, Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Shoqatën e Mjekëve, SHHB “Nëna Tereze”, Sindikatën e Pavarur, Shoqatën për Kthimin e të Shpërngulurve, Forumin e Intelektualëve Shqiptarë, , Këshillin Koordinues të Subjekteve politike dhe Jopolitike, Shoqatat e ndryshme letrare, kulturore, sportive etj.
Lëvizja çlirimtare në Mitrovicë e rrethinë mori hov në vitin 1998. Aksionet e para të UÇK-së lidhen edhe në vitet e mëhershme. Në Zonën Operative të Shalës rrokën armët për t’iu kundërvënë agresionit serb qindra e mijëra luftëtarë. UÇK-ja edhe në këtë mjedis u bë faktor përcaktues në veprimin e mëtutjeshëm politik. Më 24 mars, kur forcat e NATO-s filluan të godasin caqet ushtarake serbe, forcat kriminele ushtarako-policore e paramilitare masakruan në fillim dy udhëheqësit ideorë: Latif Berishën e Agim Hajrizin, pastaj vranë shumë të tjerë, dogjën shtëpi e objekte kulturore etj. Brenda disa ditëve këto forca të errëta dogjën të gjitha fshatrat, qendrën e qytetit dhe të gjitha lagjet ku jetonin shqiptarët (Qendër, Lagjja e Kërveshëve, Bajr, Ura e Gjakut, Shipol etj). Nga qyteti dhe fshatrat u dëbuan të gjithë shqiptarët. Gjatë luftës së tmerrshme u vranë qindra njerëz, madje edhe gra, fëmijë e pleq, u dëbuan në Shqipëri e vende të tjera mijëra të tjerë. Pas luftës janë zbuluar dhjetra varreza masive. Ende nuk dihet për fatin e shumë të zhdukurve. Pas luftës banorët shqiptarë u kthyen në vatrat e tyre stërgjyshore dhe filluan t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre. Megjithatë shumë banorëve të cilët kanë jetuar në pjesën veriore të qytetit, ende sot e kësaj dite nuk iu mundësohet kthimi. Sot shtëpitë dhe banesat e tyre i kanë përvetësuar serbët. Disa godina shkollore, si Fakulteti i Xehetarisë e Metalurgjisë, Shkolla e Lartë Teknike, Shkolla e Mesme Teknike, Shkolla e Mesme e Mjekësisë, Shkolla fillore “Nonda Bulka” dhe Shkolla fillore “Aziz Sulejmani”, sot përdoren vetëm nga nxënësit serbë e malazezë. Gjithashtu në Spitalin e Qytetit nuk u lejohet ushtrimi i veprimtarisë së tyre mjekëve shqiptarë si dhe iu pamundësohet që të shërohen në të pacientëve shqiptarë.
Pozita Gjeografike

Mitrovica është, pa dyshim, një ndër qytetet më të rëndësishmme jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë Gadishullin Ilirik e më gjerë. Shtrihet në fushën aluviale të lumenjve: Ibër, Sitnicë dhe Lushtë si dhe në shpatijet e kodrave që e rrethojnë.
Pozita gjeografike është e volitshme për shkak të relievit. Korridori veri – jug përmes luginave Ibër – Sitnicë ka rëndësi ekonomike kulturore pasi e lidh atë me shumë vende të ndryshme. Qyteti kufizohet nga shpatet e Kreshbardhës (Kopaonikut), Rogoznës, Moknës dhe Qyqavicës. Territori i kësaj komune kufizohet me komunën e Zveçanit (në pjesën veriore), me komunën e Besianës (në pjesën lindore), me komunën e Vushtrrisë (në pjesën jugore), me komunën e Skënderajt (në pjesën perëndimore) dhe me komunën e Zubin Potokut (në pjesën veriperëndimore). Në drejtim të Sitnicës lidhet me Rrafshin e Kosovës. Qytetin, nga ana jugore e ndan prej bazenit të Kosovës kodrina tufoide e Bajrit (520 m).
I tërë territori i rrethinës së Mitrovicës ka një pozitë të rëndësishme, sidomos për komunukacionin transitor. Mitrovica shtrihet në shkallën 42,53° të gjerësisë gjeografike veriore dhe në atë 25, 52° të gjerësisë gjeografike lindore si dhe në lartësinë mbidetare 508-510 m.
I tërë territori i rrethinës së Mitrovicës, siç thamë, ka një pozitë të rëndësishme, sidomos për komunukacionin transitor. Në këtë trevë priten rrugë të rëndësishme që shpiejnë në mbrendinë e Dadishullit Ilirik, në bregdetin Adriatik, në Detin Egje dhe në Detin e Zi. Në këtë drejtim kalon edhe hekurudha që lidh pjesën jugore dhe veriore të Gadishullit Ilirik. Territori i komunës së Mitrovicës, së bashku me Zveçanin, sipas shënimeve të vitit 1987, ka pasur 56 zona kadastrale me një sipërfaqe prej 45.918 ha, 96 ari, 55 m. Si pjesë mikroregjionale e fushëgropës së Kosovës, bazeni i Mitrovicës nga veriu mbyllet nga kodra dominante vullkanike e Zveçanit (799 m), Kodra e Sokolit (918 m) dhe malit Majdan (1268 m). Nga lindja Mitrovica kufizohet me kodrën e Lisit (665 m), nga juglindja me Kodrën e Shkemzetit (Cërrnushës, 1010 m) dhe në perëndim me kodrën e Zmiqit (822 m) dhe të Gërrmovës (782 m). Karakteristikat dominante morfologjike të territorit të komunës së Mitrovicës, janë malore – kodrinore. Në rrethinën më të gjerë të Mitrovicës mbizotëron peizazhi malor, ku jetojnë mbi 120.000 banorë.
RELIEVI
Relievi i territorit të komunës së Mitrovicës përbëhet nga disa tërësi, megjithatë, relievi malor formon fizionominë kryesore të kësaj hapësire gjeografike.
Kategorisë së relievit kodrinor dhe malor i takojnë pjesa më e madhe e sipërfaqes, sidomos treva e Shalës së Bajgorës (në lindje), prandaj komuna e Mitrovicës është trevë më tepër malore sesa fushore. Relievi karakterizohet nga një plastikë dinamike, sepse lumenjtë malorë bashkë me përroje me energji të madhe kanë bërë erozionin duke formuar lugina relativisht të thella, të cilat ndajnë malet e Shalës së Bajgorës njërin prej tjetrit në forma të izoluara malore dhe kodrinore. Kuptohet, pamjes së tyre morfologjike të tanishme i ka paraprirë predispozicioni i lëvizjeve tektonike që ndodhën në kohën e tercierit kur mbi shtresat gëlqerore janë formuar shtresa të trasha të shkëmbinjve vullkanikë, të cilët, si rezultat i proceseve postvullkanike janë bartëse të xehes së plumbit e të zinkut. Në pikëpamje gjeologjike dhe morfologjike territori i rrethinës së Mitrovicës bën pjesë në sistemin dinarik. Shala e Bajgorës është e vendosur në lindje të Mitrovicës. Është rajon malor i ulët (1600 m). Dallohet për ujërat e shumta e kullotat e pasura.
vijon

Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve: 37277
Age: 60
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Qytetet shqiptare-Mitrovica

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Dec 20, 2008 6:00 pm

HIDROGRAFIA
Komuna e Mitrovicës, në përgjithësi ka pasuri të mjaftueshme ujërash. Lumenjtë kryesorë janë: Ibri, Sitnica, Lushta dhe Trepça. Ibri hyn në territorin e Kosovës 10 km poshtë fshatit Ribariq. Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës në territorin kosovar është 3800 km². Gjatësia e përgjithshme është 280 km, por vetëm 85 km është gjatësia që përshkon Kosovën (rreth 15 km komunën e Mitrovicës). Pellgu ujëmbledhës i përket Moravës Perëndimore. Deri në Mitrovicë ka drejtim VP – JL, ku derdhet Sitnica. Lugina në këta sektorë është e ngushtë. Lumi i Ibrit ka këto degë: Sitnica, Lushta, Trepça, Bistrica etj. Lugina e Ibrit ka peizazh piktoresk. Përgjatë kësaj kalojnë rrugë komunikacioni. Më kryesorja është magjistralja e Adriatikut, e cila lidh Mitrovicën me Malin e Zi. Që nga lufta e fundit (1999) qarkullimi nëpër të është zvogëluar shumë. Një degëzim tjetër i rrugës lidh Rashkën me Kralevën. Sasia mesatare vjetore e ujit në pellgun e ujëmbledhësit të lumit të Ibrit është 1.146,33 milion m³. Thellësia e ujit është e ndryshme për arsye se Ibri e ka formuar shtratin e vet në shtresa të ndryshme gjeologjike. Në zonën kodrinore, me qëllim të përmirësimit të regjimit të rrjedhjes së lumit Ibër dhe shfrytëzimit racional dhe kompleks të ujërave të tij, është krijuar Liqeni i Gazivodës, vëllimi i ujit të të cilit është 390.000 000 m³. Uji i tij është planifikuar të përdoret, pos për pije, edhe për ujitje. Me këtë potencial të mjaftueshëm hidrografik është ndërtuar Liqeni i Gazivodës, i cili është ndërtuar në sistemin e Ibrit dhe ka fuqi të vendosur 34 Mw. Afër vendit ku derdhet në Ibër, Sitnica merr lumin e Trepçës (14 km), i cili buron në Shalë të Bajgorës. Lumi Lushtë (19 km) është degë e djathtë e Ibrit dhe buron në kodrën e Lubovecit (800 m) dhe kalon nëpër grykën e vet të prerë në gëlqerore në mes të kodrinave të Bajrit e të Shipolit dhe, duke kaluar nëpërmes qytetit (pjesa nga ura e Lushtës e deri në derdhje është e mbuluar dhe mbi të cilën kalon rruga e asfaltuar mespërmes qytetit) derdhet në Ibër. Në Lushtë afër Gurrës së Brabanikut, në sipërfaqen e tokës vrujon një burim uji të thartë sulfurik nën presionin e gazrave të brendshme që gjenden nën horizontet gëlqerore. Sitnica është lumi kryesor në Fushën e Kosovës. Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës është 286 m². Relievi i këtij pellgu është i butë. Gjatësia e lumit është 110 km dhe ndodhet tërësisht në territorin e Kosovës. Si pikënisje e lumit shërben burimi i Zhegovcit, i cili ndodhet në malin me të njëjtin emër (në pjesën jugore të Kosovës). Lumi i Sitnicës derdh në atë të Ibrit mesatarisht 15 m³/s. Është lumë kryesisht fushor, ndaj rrjedhja e tij është e qetë, shtrati është i cekët e me meandrime. Gjatë vërshimeve lumi del nga shtrati dhe e ndërron atë.
BIMËSIA
Treva e Mitrovicës është mjaft e pasur me bimësi. Ajo ka sipërfaqe të mëdha pamjesh të ndryshme. Pos arave, livadheve, kullosave dhe sipërfaqeve malore, ku rriten bimë e drunj të ndryshëm, treva e Mitrovicës, një pjesë e rrethinës është e zhveshur. Pyje më të larta gjenden në Shalë të Bajgorës, kurse pjesa tjetër është sipërfaqe e pyjeve të degraduara, shkurrajat, çufrrajat, që rriten spontanisht. Prej drunjve rriten: ahu, qarri, bungu, pisha, plepi, shelgjja. Në Shalë të Bajgorës, për shkak të klimës, dimrave të gjatë e të ashpër e verërave të shkurtra e të freskëta, pos patates e tërshërës, të lashtat e tjera nuk rriten as nuk kultivohen. Megjithatë toka e butë buzë Ibrit e Sitnicës etj. është mjaft pjellore dhe kultivohet gruri, misri, tërshëra, thekra, elbi, pjepri, shalqini, speci, lakra, trangulli, jonxhja etj.Vlen të theksohet se, përveç faktorëve tjerë, në dëmtimin e bimësisë pyjore ka ndikuar edhe hapja e rrugëve pyjore.
FAUNA
Dikur treva e Mitrovicës ka pasur një faunë mjaft të pasur. Në zonat kodrinore dhe malore kanë jetuar: ujku, dhelpra, lepuri, vjedulla, ariu, derri i egër, sorkadha, pula e egër. Prerja e pyjeve pa kriter ka bërë që numri i tyre të bie shumë. Regjioni i Shalës së Bajgorës, dhe jo vetëm ai, ofron kushte për zhvillimin e gjuetisë dhe të turizmit të gjuetisë. Në regjionin e Mitrovicës në periudhën e fundit, për shkak të ndotjes së rrethit ekologjik, janë rralluar edhe kafshët shtëpiake. Numri i lopëve, deleve, dhive, kuajve, buallicave etj. ka rënë shumë. Ka rënë shumë edhe numri i shpezëve: pulave, patave etj. Dikur në lumenjtë e Mitrovicës (Ibër e Sitnicë) ka pasur shumë peshq. Përgjatë këtyre lumenjve është peshkuar, mirëpo sot, për shkak të ndotjes së ujit, numri më i madh i peshqve është zhdukur.
Kultura

Në Mitrovicë ekziston Biblioteka Komunale “Latif Berisha”. Kjo biblioteka ka edhe njësitë e veta në Bare, Tunel të Parë etj.
Muzeu i qytetit gjendet në Hamamin e vjetër dhe në kohën e fundit është konsoliduar mjaft mirë. Puna më e madhe në këtë drejtim është bërë sivjet me restaurimin e kullës së Isa Boletinit në Boletin.
Në Mitrovicë ekziston Shtepia e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, e cila aktualisht nuk shfrytëzohet, pra në të nuk mund të zhvillohet asnjë aktivitet. Megjithatë funksionon Teatri i qytetit “Sandër Prosi”, Teatrot amatore si “Aleksandër Moisiu”, “Kacageli”. “Showmeselation” etj., grupi i këngëve e valleve, Klubi letrar “Lumi i Bardhë”, i cili deri tash ka nxjerrë 12 numra të revistës letrare “Fjalë e valë” etj. Edhe Klubi i artistëve është duke kryer një punë të lavdërueshme. Deri më tash janë hapur disa ekspozita individuale e kolektive.
Në Mitrovicë aktualisht punojnë: një radiotelevizion privat dhe tri radio.
Ekonomi dhe zhvillim

Nga niveli i zhvillimit, që evidentohet përmes treguesve të ndryshëm ekonomikë-socialë, Mitrovica, ndonëse vendi me rezerva më të mëdha të plumbit e zinkut, gjatë periudhës 1913-1999 ka qenë rajoni më i prapambetur. Shkaqet e kësaj prapambetjeje nuk kanë qenë vetëm niveli fillestar i zhvillimit ekonomik-social, niveli profesional i prodhuesve kosovarë, por ndikimi negativ i faktorëve politikë dhe ekonomikë jugosllavë e besa edhe ndërkombëtarë, politika shtetërore e ndjekur ndaj Kosovës në përgjithësi dhe ndaj regjionit të Mitrovicës në veçanti. Qarqet drejtuese të Beogradit edhe në këtë mjedis kanë bërë trysni të madhe për shkombëtarizim, për shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe zëvendësimin me kolonë sllavë.
Pas Luftës së Dytë Botërore është hetuar një rritje e zhvillimit ekonomik dhe industrial në këtë mjedis. Në aspektin e punësimit industria përfshinte 40 % të sektorit shoqëror, apo gati gjysmën e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në komunë. Mitrovica mori epitetin e qutetit të minatorëve në saje të numrit më të madh të të punësuarve në “Trepçë”. Trepça si vendburim i xehes është i njohur që në periudhën ilire. Sipas dokumenteve mesjetare Trepça është e njohur me emrat: Trepza, Trepice, Tripza, Trepza, kurse më 1455 del edhe me emrat Triepdchia e Trepza Turcha (Trepça Turke). Tradita shekullore e ripërtërirë me krijimin e ndërmarrjes xehetare metalurgjike “Trepça” nga fundi i viteve ’30, u finalizua në dekadat e fundit me krijimin e Kombinatit Xehetar-Metalurgjik-Kimik me qendër në Zveçan pranë Mitrovicës. Qysh në fillim të viteve ’80 prodhimi vjetor i xehes së plumb-zinkut kishte arritur në rreth 2 milion ton. Mbi këtë bazë Kombinati ka prodhuar dhjetëra mijë ton plumb të rafinuar, zink, elekrtrolitik, argjend të rafinuar, ar, bismut elektrolitik, klorid zinku, koncentrat piriti, kadmium, akumulatorë plumbi etj. Sidoqoftë, gjysma e prodhimit të plumbit dhe pjesa më e madhe e metaleve të tjera kanë sjhkuar për përpunim të mëtejshëm në njësitë e tjera të Federatës, sepse degët e industrisë finalizuese kosovare gjithnjë mbetën me zhvillim të pamjaftueshëm. Kombinati “Trepça” deri në fillim të viteve ’90 ka qenë prodhuesi më i madh i plumbit e zinkut dhe i akumulatorëve në ish Jugosllavi. Kombinati “Trepça” merrte pjesë me 50-60 % në prodhimtarinë e tërësishme të Pb në ish-Jugosllavi. Bruto prodhimi i këtij sistemi ekonomik para vitit 1989 kapte vlerën prej afro 50.000.000 dollarë amerikanë, kurse neto fitimi arrinte në 80.000.000 dollarë (paga, konsumi, akumulimi). Gjatë viteve 1990-1992 nga kombinati janë larguar me dhunë 12.000 punëtorë shqiptarë.
Meqë Mitrovica ishte qytet industrial, ka qenë një nga mjediset më të ndotura.
Pas përfundimit të luftës (1999) në Trepçë nuk është bërë eksploatimi i xehes. Deri tash janë punësuar një numër simbolik i punëtorëve për ta mirëmbajtur. Nuk punon më as Fabrika e Akumulatorëve, as Fabrika e Plehërave artificiale.
Në Mitrovicë vazhdon të punojë Fabrika e Betonit, Fabrika e Bukës, si dhe ndërmarrje të vogla private ku jaanë punësuar një numër simbolik i punëtorëve.
Web: www.mitrovica-komuna.org

Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve: 37277
Age: 60
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi