Telashet që na i hapi një Don Kishot: Një analizë mbi rolin e Turqisë në krizën e Lindjes së Mesme

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Telashet që na i hapi një Don Kishot: Një analizë mbi rolin e Turqisë në krizën e Lindjes së Mesme

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Jul 25, 2015 9:28 pm

Telashet që na i hapi një Don Kishot: Një analizë mbi rolin e Turqisë në krizën e Lindjes së Mesme


Zgjedhjet e 3 nëntorit 2002 në Turqi (pas të cilave erdhi në pushtet Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Rexhep Tajjip Erdoganit) luajtën vendit shumë gjëra. Rezultatet që dolën nga këto zgjedhje u perceptuan si frytet e shpresës së masave të gjëra që ishin diskriminuar për vite të tëra. Tek pjesa më e madhe e popullatës u krijua një valë e re shprese dhe ndryshimi, sepse triumfi i atyre, që për dekada me radhë ishin shtypur e margjinalizuar, kishte krijuar një shpresë se pikërisht këta fitimtarë të ri, që e kishin shijuar dhimbjen e padrejtësisë, tani do ta sillnin në vend drejtësinë.
Pas një kohe, edhe tek ata që këtij zhvillimi të ri i ishin qasur me shumë kujdes dhe drojë, u krijua përshtypja se nuk kishte shkak për t’u druajtur. Kjo e përforcoi edhe më shumë pushtetin dhe mundësoi që të zhvillohesin të drejtat demokratike dhe njerëzore, duke shkaktuar shqetësim dhe tkurrje tek qarqet e errëta që ishin pozicionuar thellë në çdo nivel të qeverisjes.
Nën hijen e diskutimeve lidhur me “ndërrimin e këmishës”dhe lidhur me agjenda të fshehta, qeveria, e cila duke u kthyer drejt perëndimit i kishte përshpejtuar hapat drejt demokratizimit, vazhdoi të mbillte shpresë, dhe frytin e kësaj e korri duke fituar vazhdimisht në zgjedhje. Rexhep Tajjip Erdogani, me fjalimin që mbajti në Dijarbakër në vitin 2005, e ngriti në maksimum shpresën dhe pritshmërinë për një zgjidhje të çështjes kurde, që kishte qenë një plagë e hapur që gjakonte për vite me radhë.
Megjithatë, në vitet në vijim u kuptua se kjo arritje në majë nuk ishte tjetër veçse fillimi i rënies graduale prej saj. Pushteti, ndërkohë që nga goja e figurave më të larta vazhdoi të injektonte shpresë, në praktikë po i zvarriste këmbët rëndë e rëndë. U pa se qeveria nuk bënte tjetër karshi kësaj “plage”, përveç që përpiqej ta mbulonte me “fashë” dhe t’i bindte të gjithë për këtë gjë. Kjo gjë u duk edhe më qartë teksa ende vazhduan të mbaheshin të burgosur grupet e paqes që kishin ardhur nga Kandili[ii] e nga Evropa dhe teksa dolën në sipërfaqe tonet histerike bashkë me dështimin e procesit të Oslo-s.[iii]
Ndërsa nuk kishte përparuar as sa një kokërr gruri, pushteti, me fillimin e “pranverës arabe” më 17 dhjetor 2010, i rriti ambicjet për ta mbushur velën e anijes me këtë “erë” të re që po fryente nga jugu. Si të ishte një karakter filmash të vjetër turq, që e rifiton kujtesën pas një aksidenti rrugor, edhe qeveria përnjëherë e rikujtoi Perandorinë Osmane. Me erën e ngrohtë të jugut, qeveritarët nisën të lundronin drejt “mollës së kuqe”. Ndërkohë, idetë e “Turqisë së Madhe” ose të “Turqisë së Re”, të kombinuara gjysëm nga ëndrrat e gjysëm nga të vërtetat, falë fuqive dhe burimeve të akumuluara gjatë viteve, iu servirën masave popullore në mënyrë intensive.
Me sllogane si: “Ti je Turqi, mendo gjëra të mëdha!” u krijua një obsesion krejt i pavend madhështie, që do të shfaqej vazhdimisht e në çdo fushë, duke u nisur që nga ndërtimtaria e deri tek politika. “Çfarëdo që të bësh, bëje më të madhen!” Kështu, me këtë obsesion madhështie të ngulitur diku në thellësitë e trurit dhe me ëndrrën e rimëkëmbjes së Perandorisë Osmane, e panë të pranueshme që të “kurorëzoheshin” me çdo fuqi që do të duhej.
Edhe bashkëkryesimin e Projektit të Lindjes së Mesme të Zgjeruar (tur. Büyük Ortadoğu Projesi; ang. Greater Middle East Initiative)[iv] e panë menjëherë si një mundësi të mirë. Duke i shpërfillur zërat e ndërgjegjes dhe paralajmërimet, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, me një psikozë të vetëkrijuar madhështie iu futën labirintit të Lindjes së Mesme. Vëllazërinë Muslimane të Egjiptit, të cilën e shihnin si partner të vetëm në procesin e “pranverës arabe”, e panë si një vëlla të vogël që duhej edukuar dhe si një tokë pjellore, prej të cilës mund të korrnin fuqi të reja për veten.
E ndërsa bëheshin llogari të “thellësisë strategjike”[v], me sa duket, thellësitë nuk ishin matur si duhet. U duk shumë qartë se perceptimi ynë lidhur me popujt, me të cilët kishim njëmijë vjet që bashkëjetonim, lidhur me dinamiket e tyre shoqërore, politikën e brendshme e të jashme, si dhe baraspeshën e fuqisë në shtetet e tyre përkatëse, nuk ishte tjetër veçse një kuptim që ne e kishin ngarkuar, pa kurrfarë thellësie dhe krejt në mënyrë ëndërrimtare. Pamë se kishim krijuar “thellësi strategjike” duke u nisur nga mjedise bisedash, nga takime private dhe nga urime kurtoazie që shpreheshin në vizita e në pritje miqsh. Më në fund, nuk na kishte mbetur tjetër veçse një përpjekje për të arritur rezultate afatshkurta dhe lehtësuese, krejt larg principeve shtetërore dhe traditave historike.
Edhe përkundër përvojave prej dekadash në rajon, përkundër gjithë paralajmërimeve dhe kritikave, zëri i ndërgjegjes është heshtur tashmë. Nuk është për t’u habitur që një mentalitet, i cili vepron duke e konsideruar vendin e tij si boshtin e zemrën e të të vërtetës, të jetë i prirë për ta akuzuar si dashakeq, gjithkënd që nuk i rri pranë.
Të flasësh për strategjinë e këtij mentaliteti ose ta lëvdosh madhështinë e tij, duke parë se si, pa marrë mësim nga shembulli i Afganistanit dhe Pakistanit, ia krijon vetes dhe fqiut të tij procesin e njejtë shkatërrimtar, nuk është tjetër veçse naivitet. Por ç’të bëjmë kur kemi një Don Kishot që e ka bindur veten për këtë gjë, me shumë Sanço Panço rreth e përqark vetes. Ky Don Kishoti ynë ka madje edhe Aldonza Lorenzon e tij: “Ne jemi ashikë të Turqisë”, thotë.
Tani të bëjmë një rrugëtim përgjatë procesit që solli deri tek ngjarja në Suruç, duke u mbështetur në ndodhi shumë konkrete:
 17 dhjetor 2010: nisi “pranvera arabe” me vetëdjegien e të riut tunizian. Presidenti Zejnelabidin Ben Ali iku nga Tunizia. Gannushi, një adhurues dhe kopjues i AKP-së (i cili përpara e kishte idhull Erbakanin por “ndërroi këmishë”), fitoi një pozitë të rëndësishme. Kjo gjë i emocionoi qeveritarët tanë.
25 janar 2011: valët e “pranverës arabe” e prekën edhe Egjiptin. Vëllazëria, e cila në fillim e ndiqte prej anash rrjedhën e ngjarjeve, u përfshi në këtë proces dhe duke e shfrytëzuar përparësinë e të qenit një forcë e organizuar, erdhi në pozitë udhëheqëse. Kur edhe sundimi i një shteti të rëndësishëm si Egjipti ra në duart e Vëllazërisë, qeverisjes së AKP-së nisën t’i merreshin mendtë nga emocionet.
10 shkurt 2011: Në Irak nisën demonstratat, ndërkohë që u ashpërsuan tonet kundër Malikiut. Erdogani, i cili edhe ashtu nuk e duronte dot Malikiun dhe pushtetin shi’it në Irak, e gjeti mundësinë që as nuk kishte guxuar ta ëndërronte. Duke u përfshirë në proces, me qëllim që ta shndërronte këtë përçarje në një mundësi, ai e goditi Malikiun nëpërmjet qeverisë së Kurdistanit Jugor (nënkuptohet zona autonome kurde në veri të Irakut) dhe nëprëmjet Kirkukut. Nëse ju kujtohet, ministri i atëhershëm i punëve të jashtme, Davutoglu, e vizitoi Kirkukun pa lejen e qeverisë irakiane dhe shkaktoi një krizë diplomatike. Ndërkohë, Tarik el-Hashimi, i dënuar për terrorizëm në Irak, është ende nën mbrojtje në vendin tonë.
17 shkurt 2011: nisi procesi në Libi. Në fillim, duke i pasur parasysh bashkëpunimet ekonomike me këtë shtet dhe praninë e shumë kompanive turke atje, qeverisja AKP fillimisht shfaqi një qëndrim të distancuar. Por kur u pa vendosmëria e SHBA-së, duke u përpjekur të “këpuste aq sa mundej”, qeveria nuk u mjaftua veç me shpalljen se ishte gati për çdo detyrë në linjën e parë të frontit, por lejoi që të shfrytëzoheshin bazat ushtarake në Turqi si “shtabe qendrore” të operacionit, duke ua ofruar rebelëve çdo lloj përkrahjeje dhe duke e shfaqur kështu profilin e “ushtarakut të mirë” karshi eprorëve. Kjo shkoi aq larg sa, ndërmjet Davutoglut dhe presidentit Sarkozy, desh sa nuk erdhi në një garë se kush do të zbriste i pari në aeroportin libian.
26 janar 2011: shfaqja e shenjave të para në Siri. Rezultatet e arritura në një kohë të shkurtër në shtetet që përmendëm më sipër, si dhe shpejtësia e procesit të ndryshimit në këta shtete, ia morën aq shumë mendtë qeverisë AKP, sa llogaritjet edhe ashtu të paqarta u tollovitën edhe më shumë dhe gjithçka u turbullua. Don Kishoti, që i kishte pushtuar një nga një “kështjellat”, sulmoi pa mëshirë për ta pushtuar edhe Sirinë. Ditët, në të cilat fluturonin në ajër datat se kur do ta falnin namazin e xhumasë në Xhaminë Umajjade në Damask, janë aq pranë sa janë vështirë të harrohen.
Këta zotërinj, me mendjemadhësinë që buronte nga iluzioni se “kur ne vendosim një gjë, ajo bëhet” dhe me një “thellësi strategjike” që nuk arrinte ta shihte as atë që i qëndronte para hunde, nuk arritën ta llogarisnin pozitën e Sirisë në barazimet shteteve të rajonit. Ata vepruan sikur të mos ekzistonte Irani, Hezbollahu, Rusia ose Kina.
Dhe kur panë se llogaritë kishin qenë të gabuara dhe se do të duhej shumë më tepër kohë nga ç’kishin menduar, ata nisën të mblidhin psikopatë “xhihadistë” nga çdo vend i botës dhe iu përveshën punës t’i armatosnin e kështu të bëheshin mëkëmbësit e luftës prokurë. (turq. vesayet savaşıang.proxy war)
Në këtë punë madje, u kënaqën që të mos ishin aktorë të rëndësishëm dhe pranuan të ishin në rolin e dubluesit, madje duke e ndarë këtë rol me dinastitë diktatoriale të saudëve e të Katarit dhe duke thënë, sikur të talleshin, se kishin për qëllim “t’i sillnin demokraci dhe paqe popullit sirian, e ta shpëtonin atë nga një tiran”. Një largësi të këtillë nga serioziteti i të qenit shtet nuk e gjen dot as tek fiset primitive, që mendojnë se bota është sa pylli në të cilin jetojnë.
Qeveria, e cila ndërkohë e ka pajisur kufirin e vet plot me bujtina e kervansaraje për “muxhahidët”, ende nuk e ka të qartë se në ç’mur ka përplasur kryet. Ndonëse kufirin me Sirinë e ka bërë më të gjallë e të lëvizshëm edhe se Rruga e Mëndafshit, përherë pati diçka që nuk shkoi si duhet. Llogaritë nuk dolën të sakta.
Si të ishin fundosur në baltë, ata u turbulluan edhe më shumë me çdo përpëlitje. Tashmë nuk guxojnë ta përballojnë çmimin e kthimit prapa. Dhe kuptohet, kur ua kthen shpinën psikopatëve xhihadistë që ke ushqyer deri tani, nuk ka gjë më të natyrshme sesa tytat e tyre të shënjestrojnë drejt teje.

Ndërkaq, janë fëmijët e kësaj toke që e paguajnë çmimin e ambicieve dhe ëndrrave obsesive të atyre që nuk arrijnë të shpjegojnë se ku i dërgojnë kamionët me armatime, që nuk arrijnë dot të shpëtojnë nga etiketimi i të qenit palë që financon grupe terroriste, që nuk e gjen dot përkrahjen e “aga babës” edhe përkundër thirrjeve të shumta dhe që pandeh se punët bëhen vetëm duke bërtitur. Disa prej tyre:
- 52 të vrarë e 146 të plagosur më 11 maj 2013 në Rejhanli
- 2 të vrarë e 9 të plagosur më 19 mars 2014 në Niğde
- 4 të vrarë e mbi 100 të plagosur më 5 qershor 2015 në Dijarbakër
- 32 të vrarë e 104 të plagosur më 20 korrik 2015 në Suruç
 
Shpresojmë që çmimi që do të paguhet të mbarojë me kaq. Por tek i shoh retë e zeza që vijnë drejt nesh dhe zotërinjtë mendjemëdhenj në pozita të larta që kurrsesi nuk marrin mësim, nuk kam si të mos jem pesimist.

 Nënkuptohet akuza e bërë Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit, e cila u shkëput nga partia [i]Saadet e mësuesit të tij Nexhmeddin Erbakan, duke krijuar një përçarje në kampin islamist në Turqi dhe duke u shkëputur dalngadalë nga politikat qartësisht anti-amerikane dhe anti-izraelite të Erbakanit, drejt një kursi që i favorizonte marrëdhëniet e mira me SHBA-në dhe Izraelin. (shën. përkth.)
[ii] Zonë malore në veri të Irakut, pjesë e vargmaleve Zargos, e cila është shfrytëzuar si qendër operacionesh nga guerilët e PKK-së (Partia Punëtore e Kurdistanit). Vargmalet Zargos depërtojnë rreh 30 km në territorin turk, duke u mundësuar guerilasve hyrje në Turqi. (shën. përkth.)
[iii] Procesi i Oslos (në turqisht edhe “Procesi i Zgjidhjes”), është procesi i negociatave të nisura në dhjetor të vitit 2012, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje paqësore për çështjen kurde në Turqi. Më 27 shtator 2014, si një reagim ndaj trajtimit të ashpër të refugjatëve kurdë nga Siria, Partia Punëtore e Kurdistanit (PKK) e shpalli të pavlefshëm armëpushimin dhe kështu i dha fund procesit. (shën. përkth.)
[iv] Projekti i Lindjes së Mesme të Zgjeruar (ang. Greater Middle East Initiative) është projekti që u prezantua nga Shtetet e Bashkuara në samitin e G8 në Sea Island në Qershor të vitit 2004, me qëllim të “ristrukturimit” të Lindjes së Mesme të Zgjeruar (ku përfshiheshin edhe disa shtete që mbeten në periferi të nocionit tradicional të Lindjes së Mesme), me qëllim të (siç thuhet në shpalljen zyrtare) “stimulimit të demokracisë e të qeverisjes së mirë, ndërtimin e shoqërisë civile dhe zhvillimin e potencialeve ekonomike, gjegjësisht të privatizimit”. Turqisë, si një aleate e ngushtë e SHBA-së dhe anëtarë e NATO-s, iu dha pozita e “bashkëkryesimit” të kësaj nisme. (shën. përkth.)
[v] Ironizim që aludon në veprën “Thellësia strategjike” (turq.Stratejik Derinlik) e ish-ministrit të jashtëm dhe kryeministrit të tanishëm turk, Ahmet Davutoglu, i cili shihet si ideologu i politikës së jashtme turke që nga viti 2002 e këtej. (shën. përkth.)


www.mediaelire.net 
[/i]

avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi