FADIL LEPAJA:“Vrasësit” shëtisin në lagje!

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

FADIL LEPAJA:“Vrasësit” shëtisin në lagje!

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Dec 24, 2014 9:11 pm





Fadil Lepaja


“Vrasësit” shëtisin në lagje!

E di se ju do të kundërshtoni duke thënë se ata nuk janë kriminelë, as vrasës. Do të thoni se ata janë të pafajshëm. Në rregull! Në këtë shoqëri çdokush ka të drejtë për avokat, me apo pa pagesë. Sot po flasim për ata që nuk paguajnë dot. Prandaj, janë edhe avokatët, për këta lloj klientësh, që njihen ndryshe edhe si shoqëri civile. Jetojnë nga donacionet. Profesioni i tyre është të krijojnë çështje dhe pastaj të sigurojnë buxhetin për to. Për shembull, u teket që në një moment të thonë se problemi numër një i këtij vendi është se kjo shoqëri nuk u kushton sa duhet kujdes pinguinëve dhe ti më kot mundohesh me i bindë se në këtë vend nuk ka pinguinë. Ata kanë mediat. Ata edhe Qeveria. Nuk ka thënë kot dikush se “kush ka mediat, botën ka”! Pra, ka more si nuk ka, pinguinë! Edhe nëse nuk ka, përse nuk i importojmë disa? Si mendoni të kyçemi në BE pa pinguinë? Ne, na kap paniku. Pinguinët...
Të rrallë janë ata që kanë guximin t’u kundërvihen, të kacafyten me ta. Madje edhe shteti po ka frikë. Po heziton, në fakt. Nga “ata” apo nga avokatët, e tyre?! E pra, ju thoni: “nuk janë kriminelë”. Nuk e thoni dot se nuk janë vrasës. Se kur ka “trup”, ka edhe vrasje. Kështu thotë kriminalistika. Pra, kush është vrasësi i vërtetë? Shoqërisë i duhet një fajtor për të mbyllur rastin.
Pra, ose “ata” ose shteti! Shteti janë krejt ata që e harxhojnë gjithë atë buxhet që mblidhet nga xhepat tanë dhe llogaritet të mos na lërë të vdesim nga monotonia. Pra, të na krijojnë probleme përditë dhe pafundësisht.
Rreth i mbyllur! Lëmsh! Lexuesi ynë i pafajshëm, që mediat e mbajnë vazhdimisht në gjendje paniku, do të jetë duke u përpëlitur nga frika se mos prapë po flasim për vrasjet, krimin e organizuar, për bandat e ndryshme të cilat e drejtojnë nga hija këtë vend, për armikun e jashtëm apo atë të brendshëm, të cilët zakonisht veprojnë në koordinim.
Jo! Me këta shteti po të donte, e ka më lehtë se sa me kriminelët që janë subjekt i shkrimit të sotëm. Këta janë jashtë ligjit, vetëm sepse nuk është e rregulluar me ligj “çështja e tyre”. Pra, kemi “çështje”.
Pra, nuk është çështje ideologjie, as etnie apo race, as gjuhe, por është problem lloji. Në fakt, problem në mes llojesh. Me gjithë këto problemet brenda llojit, duket e tepërt të presë dikush nga ne që të kemi ndjeshmëri për raportet me llojet e tjera. Kujt i plas, do të thoshin andej Kalimashi!
Pra, njeriu dhe shtaza. A ka raport këtu? Kush është egërsira në këtë raport? Qeni i cili e hëngri pensionistin një vit më parë dhe një fillorist së fundmi, apo janë të egër njerëzit që duan të vrasin pinguinët?! Pinguinët?! Nuk kemi pinguinë, or vëlla! E shoqëria civile do të thotë se njëlloj është. Qentë apo pinguinët, njëlloj. Edhe qentë kanë të drejta.
Ju kujtohet se si erdhi prokurori ndërkombëtar Salustro dhe la nam në Prishtinë me qentë e tij. Na dha edhe mësim për trajtimin e llojeve. Dhe askush nuk e ngiste dot. Qentë e tij e traumatizuan lagjen, frikësonin fëmijët, por shteti e respektonte imunitetin. Qentë ishin me rrip rreth qafe. Kishin zot. Pra, nuk ishin bandë.
Kështu, shoqëria civile, me inerci, ndërmori një aksion me të cilin na turpëroi të gjithëve. Shkoi në Graçanicë, kryeqytetin serb të Kosovës, dhe i ushqeu qentë e strehuar në strehimoren e atjeshme. Me këtë po dërgonte mesazh. Përgjegjësi i strehimores, një minoritar lokal u ankua se Prishtina nuk po kujdesej për qentë e vet dhe se qentë po ikin nga atje e po shkojnë në Graçanicë, në kërkim të ushqimit. Ai tha se ata nuk bëjnë dallime, por megjithatë kërkoi që Komuna e Prishtinës të dërgojë ushqime për qentë, të cilët u erdhën nga andej. Me vend!
Na doli punë me qentë! U ngrit në këmbë shoqëria. Falë Zotit askush nuk alarmohet për njerëzit që rrëmojnë nëpër kontejner. Është e drejtë të cilën nuk ua merr dot. E drejtë kushtetuese. Pastaj, ata nuk rrezikojnë askënd. Rrëmojnë nëpër mbeturinat të cilat i kemi hedhur ne. Shteti nuk ka problem me njerëzit. Shyqyr! Ata gjejnë zgjidhje vetë. I hipin autobusit dhe me ndihmën e Zotit dhe “njerëzve të mirë” i ke në Gjermani për disa ditë.
Pra, debati ka filluar. Shoqatat për mbrojtjen e shtazëve kanë dalë kundër aktivistëve për mbrojtjen e qytetarëve. Natyrisht, parë më thellë, asnjëra palë nuk ka krejtësisht të drejtë. Kur i thua mik dikujt, ashtu duhet edhe ta trajtosh. Kush është miku më i mirë i njeriut? Po njeriu për njeriun, çka është? Mik?
E gazetarët janë gjetur në hall të madh. Situata e ka tejkaluar teorinë e raportimit të lajmit. Në shkollën e gazetarisë, nga librat bazike e mësuan se “kur qeni ha njeriun, kjo nuk paraqet lajm”! “Lajm është kur njeriu ha qenin”, thonë librat e gazetarisë.
Nonda Bulka ynë, dikur shkruante për një të uritur i cili po bënte vetëvrasje duke u hedhur në lumin e rrëmbyer. Kërcyen njerëzit dhe e shpëtuan. Posa i hapi sytë, në vend të falënderimit, ai kërkonte të hante. Turp!
“Bir Selman i nënës, kë të qajë më parë”?! Buxheti nuk e lejon. Dilemë krejtësisht civilizuese. Njeriu apo qeni?!
Duhen mbrojtur qentë, them unë, se njerëzit po ikin nga këtu! Po i bëjnë vetes zgjidhje.
E qentë nuk organizohen dot. Nuk komunikonin mes vete, as lexojnë gazeta. As, nuk rebelohen dot.
Vjet, një kolumne timen ia kushtova një pensionisti. Ai nuk ishte si të gjithë tjerët viktimë e politikave sociale të qeverisë. Ishte viktimë e “bandave”. Ishte viktimë e qenve endacakë. E hëngrën të shkretin. Askush nuk dha shpjegim se si kishte ndodhur që një kope qensh të uritur, në mes të kryeqytetit të hante një pensionist. Nejse! Ndoshta nga buja që bëri krimi i tyre, në komunitetin e pensionistëve, ata nuk e përsëritën më një krim të tillë. Kështu as shoqëria, nuk bëri diçka serioze.
“Bandat” vazhduan të shëtisin të lira. Sivjet ra edhe një viktimë. Ishte një fëmijë i komunitetit pakicë. Pra, “armiku” goditi në marrëdhënie ndëretnike. Kjo veç nuk durohej! Kur kryeministri i ri, shkoi në të pame, për fat ishte me eskortë dhe grumbujt e qenve endacakë nuk arritën as të afrohen. E pamja u krye dhe kryeministri doli andej krejtësisht i vetëdijshëm se kriminelët ende shëtisin të lirë. Nuk dihet ku do të godasin. Ata i gjen kudo. Nën makinë. Pas kontejnerit. Në hyrje të banesave. Kudo.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi