Sot në PRISHTINA POST-Intervistoi: Valon Peci-Një jetë e tërë duke kënduar për atdheun

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Sot në PRISHTINA POST-Intervistoi: Valon Peci-Një jetë e tërë duke kënduar për atdheun

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Dec 07, 2013 1:00 pm

Sot në PRISHTINA POST-Intervistoi: Valon Peci-Një jetë e tërë duke kënduar për atdheun
 
 
 
PRISHTINA POST 



Intervistë me Agim Gashin, këngëtar dhe autor i gati një mijë këngëve 

Një jetë e tërë duke kënduar për atdheun 

Kënga më e dashur, të cilën e këndoj me shumë ëndje është kënga për Presidentin Ibrahim Rugova. Pas ndërrimit të jetës së presidentit këtë këngë e kam bërë elegji. Atë këngë e këndoj me një dashuri të madhe, kur e këndoj qaj, e di që e këndoj për një njeri shumë të madh të kombit. Jam i vetëdijshëm se mbi të gjithë, ai e ka merituar këtë këngë. 

Intervistoi: Valon Peci 

"Prishtina Post": Z. Gashi, a mund të na thoni për lexuesit e Prishtina Post, që sa kohë merreni me këngën? 

Gashi: Unë me këngën kam filluar të merrem qysh në moshën 6 vjeçare. Në atë kohë, babai dhe axha im, më mësuan përmendësh Lahutën e Malcisë. Në atë kohë dëgjonim Radio Kukësin, Radio Tiranën dhe mësonim disa këngë të cilat i këndoja me ëndje, atë kohë, unë shkoja me gomar ose me kali nëpër fshatra të ndryshme për të kënduar nëpër dasma. Disa këngë ishin aq të fuqishme, sidomos në atë kohë kur këndoja këngën "Moj Kosovë, Kosova trime", i bënte të qanin të gjithë dasmorët. Më vonë më hyri dëshira edhe për ndonjë instrument të muzikës. Axha im fatmirësisht ishte mjeshtër për ndërtimin e çiftelive, dhe e bëri edhe një për mua. Për një kohë shumë të shkurtër u mësova ta përdor çiftelinë dhe që nga atëherë më kapi dashuria për këngën, me atë dashuri unë vazhdoj të jetoj edhe sot. 

"Prishtina Post": Kush e zbuloi talentin tuaj, si ishin ndjenjat e para kur këndonit para publikut? 

Gashi: Talentin tim e zbuluan babai dhe axha im, përkrahjen e kam pasur nga prindërit dhe kjo ka luajtur rol të rëndësishëm, sepse edhe pa ndihmë vështirë është të bëhesh këngëtar. Kështu, ata e panë se unë kam talent dhe qysh në vegjëli m'i blenë instrumentet. Herën e parë para publikut, dola me këngën "Ma ke gishtin për unazë", aty kam parë që salla është ngritur e tëra në këmbë. Pastaj kam pasur fatin që të jem në një klasë me këngëtarin e mirënjohur Riza Bytyqin. Aty kemi filluar të këndojmë bashkë me të, ku e kemi pasur edhe një profesor të mirë të muzikës, Rifat Sahitin. Ne ishim anëtarë të korit dhe të shoqërisë. Aty më lindi dashuria edhe për të shkruar, fillova të shkruaj dhe të kompozoj qysh në shkollën normale. Në realitet poezitë e para i kam botuar në klasën e shtatë fillore. 

"Prishtina Post": Si ishte të këndosh këngë, që atëherë nga regjimi, cilësoheshin armiqësore. Cilat ishin pasojat? 

Gashi: Këngët patriotike në atë kohë nuk kalonin lehtë. Këto këngë i këndonim nëpër dasma, nëpër ndonjë aheng, dhe atë fshehtas pas orës 23-24, brenda shoqërisë së zgjedhur, aty ku ishim të sigurt që nuk ka ndonjë tradhtarë. Po të dëgjohej, që këndoja këto këngë,sigurisht se do t'i merrje 10 vite burgim. Ndërkaq, sa i përket Radio Prishtinës, më 1973 jam pranuar si këngëtar i rregullt. Këngë patriotike unë kam shkruar edhe në atë kohë. Janë disa tekste që nuk mund të kalonin. Megjithatë, e mirë për atë kohë ishte që nuk kalonte edhe shundi, i cili tani e ka shkatërruar në çdo masë këngën shqipe. Prej se kam ardhur në pushime këtu në Kosovë, kam pasur rastin të shkoj në shumë dasma dhe shoh se tani si popull e kemi marrë një kulturë plotësisht të huaj, që është tragjike për kulturën shqiptare. Gjithashtu, më parë respektoheshin të drejtat e autorit, ndërsa sot asgjë nuk mund të ruhet. Tani e publikon një këngë dhe pas një jave ajo këngë, këndohet nga dikush tjetër. Disa këngëtarë i kanë marrë këngët e mia, është dashur të më lajmërojnë së paku, as këtë nuk e kanë pa të udhës. 

"Prishtina Post": Cila është sot liria për të kënduar? A ka akoma tendenca që të ndalohen disa këngë të caktuara? 

Gashi: Unë si këngëtar dhe si rapsod i kam disa këngë që nuk guxoj t'i këndoj. Janë disa këngë humoristike, si për shembull unë e kam një këngë për Bernard Kushnerin, të cilën nuk guxoj ta publikoj. Këto këngë janë të gjurmuara si në kohën e mëparshme, kur UDB-a gjurmonte ndonjë gjë. Sot, fatkeqësisht liria e shtypit dhe e kënduarit nuk është në nivel aq sa duhet të jetë. Te ne ende nuk ka demokraci. Unë e shoh në Gjermani, mund të këndosh çka të dëshirosh, askush nuk të ndalë. 

Përveç këngëve humoristike, të cilat nuk lejohen të publikohen, ka këngë edhe për figurat politike, të cilat nuk guxoj t'i publikoj. Unë si këngëtar, këndoj për të gjithë dëshmorët, nuk e kam shikuar se një dëshmor është i njërës parti apo i tjetrës. Ata që kanë dhënë jetën për lirinë e atdheut nga pushtuesit serb, ose që kanë dhënë jetën edhe nga dora e fshehtë e mafias shqiptare, ata e meritojnë t’iu këndohet, e të jenë në piedestalin e këngës. I kam kënduar Ahmet Krasniqit, kam marrë shumë kërcënime, vetëm pse i këndoj atij. Jam kërcënuar me vrasje. I kam kënduar Xhemail Mustafës gjithashtu, Tahir Zemajt, Bardhyl Ajetit dhe i kam marrë mbi 300 faqe kërcënime për këtë. Njëjtë si i kam kënduar Ahmet Krasniqit, Xhemail Mustafës, Adem Jasharit, unë i kam kënduar edhe Presidentit historik Ibrahim Rugova. Për mua dy figurat më madhore janë Presidenti i Republikës së Kosovës, i pavdekshmi Ibrahim Rugova dhe Komandanti Adem Jashari. Kam kënduar edhe për Bekim Berishën, Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Agim Ramadanin. Nuk ka këngëtar që iu ka kënduar dëshmorëve më shumë dhe nuk kam marrë asnjëherë asnjë cent. Gjaku i dëshmorëve nuk paguhet me një pagesë, por fatkeqësisht ata që kanë marrë para, tani kanë pallate. E unë si këngëtar nuk kam as biçikletë, e lëre më kulm mbi kokë. 

"Prishtina Post": Cila është kënga më e dashur për ju? 

Gashi: Këngën më të dashur, të cilën e këndoj me shumë ëndje është kënga për Presidentin Ibrahim Rugova. Pas ndërrimit të jetës së presidentit këtë këngë e kam bërë elegji. Atë këngë e këndoj me një dashuri të madhe, kur e këndoj qaj, e di që e këndoj për një njeri shumë të madh të kombit. Jam i vetëdijshëm se mbi të gjithë, ai e ka merituar këtë këngë. Këngën për Presidentin Rugova së pari e kam shkruar si tekst në Zagreb më 1990, kurse për herë të parë e kam kënduar në Vjenë të Austrisë, në një koncert humanitar për Kosovën dhe që nga ai moment kjo këngë është kënduar në të gjitha shtetet e Evropës në mbi 1 mijë koncerte. Të gjitha këto koncerte kanë qenë humanitare dhe unë kam kënduar në to. Mjetet e mbledhura në këto koncerte, jo pak herë janë keqpërdorur nga organizatorët.. 

Prishtina Post": Nga iu vjen gjithë ajo energji për të shkruar, kompozuar e kënduar këngë? 

Gashi: Energjia buron nga dashuria për atdheun. Kjo dashuri ka qenë e madhe qysh në fëmijëri. Mbaj mend qysh i vogël, kur e festonim 28 nëntorin, ne bënim festë edhe pse kemi pasur më pas maltretime dhe shumë burgosje. Babai im ka qenë i burgosur qysh në kohën e Rankoviqit, unë i burgosur, vëllai dhe dy motra gjithashtu, nëna ka mbajtur 4 vite në burg. Ne gjithmonë kemi qenë të ndjekur nga UDB-a. Ajo që më dhemb më së shumti, është që ndjekjet nuk përfunduan as pas luftës. Babai, i lodhur një ditë, nga ndjekjet e disave pas luftës, më tha "o bir ta pamë sherrin në kohën e luftës, e po ta shohim sherrin edhe në kohën e lirisë". Ai më lutej të mos shkruaj për spektrin e djathtë. Më thoshte se e din që unë e dua Ibrahim Rugovën, por më lutej që të heshti. Dhe më të vërtetë, për këto 10 vite pasluftës, unë jam në Gjermani, por familja ma kanë parë sherrin. Vëllain tim Agronin, para 3 viteve e kanë therë me thikë në trup. Personi i cili e ka bërë sulmin, është liruar dhe i është dhënë pasaporta të largohet nga shteti. Vëllait tim i është shkatërruar katër herë kafeteria, vetëm për shkak se unë këndoja për Ibrahim Rugovën. E rëndë është të vuash për atdheun, të jetosh me plagët e atdheut dhe të ndiqesh nga shqiptarët, është shumë e vështirë. Por, këto më kanë dhënë fuqi për të kënduar akoma më shumë, për të gjithë ata dëshmorë që kanë rënë. Vrasja me maska, vrasja tinëzare, lirisht mund ta them se është traditë ruso-sllave. Kurrë shqiptari nuk e ka pasur traditë të vras tinëzisht. Këto fatkeqësisht kanë ndodhur, i lutem zotit, të mos ndodhin më. Tash më 13 gusht jam mysafir në Tiranë, ku do ta shtrojmë këtë çështje, për formimin e një grupi njerëzish, që të fillojmë edhe një aksion të pajtimit të gjaqeve si në vitin 1990, ky vit ishte viti më i frytshëm i shekullit XX. Por, fatkeqësisht spektri i majtë, stalinistët shqiptarë bënë çdo gjë të keqe, zhdukën të gjitha, filluan një histori të re, duke e harruar atë të vjetrën. Këta mendojnë se historia fillon vetëm prej tyre. Ai që lufton për kombin nuk mund ta plaçkitë kombin e vet. 

"Prishtina Post": Si e kaloni kohën e lirë? 

Gashi: Kohën e lirë këtu në Kosovë e kaloj me miq, ndërsa në diasporë, kohë të lirë kam pak dhe ajo pak kohë e lirë është shumë e tmerrshme, është kohë me lot, me mërzi. Unë çdo mëngjes kur zgjohem e puthi flamurin kombëtar, vuajtja për atdheun është shumë e madhe. Ai që është jashtë atdheut dhe që e don atdheun, ai din çka është vuajtja për atdheun. Atdheu duhet edhe kur të vret, unë e kam dashur atdheun edhe pse shpesh i ndjekur e sharë, fajtorë janë disa individë, e jo atdheu. Përndryshe, koha e lirë në Kosovë po kalohet me miq, me poet, e gazetarë. Kur i shoh gjërat e mira, gëzohem, ndërsa kur i shoh gjërat e këqija demoralizohem. 

"Prishtina Post": Cila është Kosova që e gjeni sa herë që ktheheni nga mërgimi? 

Gashi: Ne mërgimtarët jemi të njoftuar me shumë gjëra, por jemi të njoftuar me disa gjëra edhe më të këqija që ndoshta këtu fshehën. Gazetat gjermane, e ato të Evropës nuk mbajnë fshehtë asgjë, ato nuk shkruajnë se në Kosovë nuk ka korrupsion, kur dihet se ka, nuk shkruajnë se në Kosovë nuk ka krim, kur dihet se ka. Ata përkundrazi i zbulojnë këto gjëra dhe i publikojnë nëpër gazeta. Ata kanë dyshime, që njerëzit e krimit në Kosovë, janë në krye të Qeverisë. Unë dëshiroj që i gjithë populli ynë të vetëdijesohet njëherë e përgjithmonë, që mos ta sheh interesin partiak para atij kombëtar, sepse çdo parti do të kishte sukses nëse interesin kombëtar e ka primar. Në mesin e partive në Kosovë ka individë shumë të mirë, por ka edhe të atillë që nuk e meritojnë të jenë aty ku janë. 

"Prishtina Post": A mendoni se e keni vendin e merituar në mediumet kosovare? 

Gashi: Mua më vjen keq, tani e dhjetë vite, përpos TV Diaspora, ku kam bërë disa intervista dhe programe atje, askush tjetër kush nuk ka guxuar as në diasporë të më japë hapësirë. Kjo ka ardhur thjesht, që i kam kënduar Ibrahim Rugovës, Ahmet Krasniqit dhe luftës së drejtë. Në Kosovë, përpos Mentor Mripës, Imer Kllokoqit dhe Selvete Krasniqi, askush nga televizionet dhe radiot nuk janë interesuar. 

"Prishtina Post": Cilat janë përshtypjet e juaja për gazetën tonë? 

Gashi: Prishtina Post është një gazetë e re, por me sa shoh unë në numrin e saj të 100-të, kjo gazetë ka përparuar mjaftë shumë. I dëshiroj gazetës sukses, por njëherazi i dëshiroj që ta mban këtë rrugë e të mos bëhet si disa gazeta tjera, herë andej e herë këndej. 

"Prishtina Post": Gjatë shkrimit të teksteve, cili tekst ka qenë më i dhembshmi? 

Gashi: Kohët e fundit i kam disa poezi që i kam shkruar në spital. Ato janë shumë të dhimbshme, ku emocionet e kanë bërë të veten. Unë përballesha me një tumor në mëlçi dhe mendova se jeta ime po përfundon, ta ndërrosh një mëlçi, duhet të jesh i pasur. Kështu që e shkrova një poezi, një poemë "Në spital". Miku im Vullnet Mato, duke e dëgjuar atë poezi, më tha se dy herë në jetë ka qarë, hera e parë kur i ka vdekur nëna dhe tjetra pas poezisë sime. Aty në këtë poezi jo vetëm se e kam paraqitur dhimbjen, por është edhe një rebelim i imi ndaj të gjithëve. Në një moment them "kërkoj nga dy shtetet e mia një kasolle, ta bëj një gjumë para vdekjes në atdheun tim”. 

“Prishtina Post”: T’i kthehemi viteve të nëntëdhjeta, në kujtim të shumëkujt ka mbetur një Album i vitit 1990. Në çfarë rrethana është realizuar ? 

Gashi: Albumi, "T’i këndojmë Kosovës, t’i këndojmë demokracisë", është bërë pasi që unë kisha ikur nga policia më 1990. Ky vit ishte vit i pajtimeve të gjaqeve, ku unë çdo pajtim, çdo tubim i këndoja dy këngë, një për Anton Çetën dhe një për Pajtimin e Gjaqeve, këngë këto që kishin jehonë të madhe. Unë në atë kohë kam qenë shumë aktiv edhe pse meqenëse jam rrahur disa herë nga policia serbe. Më rrihnin në mbrëmje dhe më pyesnin se a shkoj më, unë i përgjigjesha se jo, ndërsa para mëngjesit unë prapë isha na pajtime. Kështu që u detyrova të ikë, i mblodha të gjitha tekstet që kisha rakorduar, albumin e bëra në një studio të Lubjanës, ku i kam shitur tri lira të familjes, për ta paguar studion. Pastaj në bashkëpunim me vëllezërit Kushnini nga Zagrebi, është botuar albumi me 80 mijë kopje, ku një pjesë e kanë sjellë këtu, një pjesë është shpërndarë falas, një pjesë është shitur ilegalisht, një pjesë është konfiskuar nga policia dhe një tjetër është shpërndarë nga njerëzit e besuar. Unë kam shkuar në çdo ngjarje, t’a këndoj nga një këngë. Për dëshmorët nuk kam arritur ndoshta ti këndoj të gjithëve, por për shumë prej tyre, po. 

"Prishtina Post": Në vitet e 90-ta ju përmes këngës keni transmetuar edhe lajme, këngë që iu kushtoheshin shqiptarëve që vriteshin në ushtri. 

Gashi: Po, është kënga e Xhevdet Oruqit, është shkruar në mënyrë dokumentare se si ka ndodhur ngjarja, pastaj është edhe kënga e Aziz Kelmendit. Absolutisht në mënyrë dokumentare është shkruar e gjithë situata dhe unë i kam kënduar këto këngë, që të bëj një person të pavdekshëm, i cili ka dhënë jetën për atdheun. Çdo kush që flijohet për atdhe, ai e ka vendin e caktuar jo vetëm në zemrat e popullit, por duhet të jetë edhe në zemrat e qeveritarëve, e që fatkeqësisht nuk e kanë. Përmes këngëve kam thënë të vërtetën. 

"Prishtina Post": Cila është ndenja e këngëtarit kur kënga e tij ka efekt dhe i jep motiv popullit? 

Gashi: Unë jetoj me këngën, unë nuk mund të këndoj pa e ndjerë në shpirt. Kur filloj ta këndoj këngën, thellohem në të dhe më duket se jam atje ku ka ndodhur ngjarja. Ndryshe nuk mund të këndohet kënga, nëse nuk i kujton të gjitha ato të këqija që kanë bërë serbët, nëse nuk i kujton ato masakra që kanë bërë ata, nuk mund të këndohet mirë. Kur i këndon këto këngë nuk mundesh pa qa, sepse ajo është ndjenjë për atdheun. Ibrahim Rugova është njeriu i cili ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me gjithë popullin, një fjalë e tij ka pasur vlerë të pafund, nuk mundesh pa qa kur e këndon. 

Një ndjenë të veçantë ishte kur u këndua për 7 shtatorin. Tri ditë para se të shpallet Deklarata e Kushtetutës, unë e kam shkruar ngase për datën isha në dijeni, dhe e kam kënduar në Zagreb, atë ditë kur është shpallur Kushtetua e Republikës së Kosovës, pra më 7 shtator. 

"Prisht’ina Post": Cilat janë tri këngët, që do t'i kishit veçuar dhe që konsideroni se janë më të mirat? 

Gashi: Kënga për Presidentin Rugova është një këngë e mrekullueshme, po të ishte gjallë Ibrahim Rugova, çdo gjë do të ishte ndryshe sot. Do ta kishim flamurin dy krenare me simbolin e Dardanisë, e jo me gjashtë yje, por do ta kishim edhe hymnin tonë. Ne sot e kemi një hymn që nuk din askush ta shpjegojë, se çfarë kuptimi ka. Pas këngës për presidentit historik të Kosovës, me shumë ëndje i këndoj, veçanërisht këngën për Adem Jasharin dhe këngën për Ahmet Krasniqin. Këto janë këngë që i këndoj me ëndje, janë këto këngë të cilat unë i quaj kryevepra, prej gati 1 mijë e më shumë këngëve që i kam. 

"Prishtina Post": A planifikoni që t'i mblidhni këto materiale dhe t'i arkivoni diku ? 

Gashi: Kjo duhet të bëhet me ndihmën e institucioneve tona, unë më parë kam qenë bashkëpunëtor i Institutit Albanalogjik dhe kam dhënë mjaftë shumë për këtë institut. Së bashku me Anton Çetën kemi mbledhë këngë nëpër fshatra dhe të gjithë atë material e kemi mbledhur e ruajtur. Unë kam disa materiale, por do të ishte mirë sikur të mblidheshin edhe të tjerat. Kam dy albume të reja tani, produksionet nuk interesohen shumë, për arsye se nuk janë këngë tallave, por mbi të gjitha i frikësohen përmbajtjes së këngës. Tani kam bërë disa këngë për Fterrën dhe për Labërinë, më 14 gusht do të jem i mirëpritur dhe do marr çmimin "qytetar nderi i Labërisë". Më 12 gusht do jem në Shkodër dhe më pastaj do më pres edhe Kryetari i Sarandës. Kam shkruar këngën "Jam lab e jam dardan", ku një strofë është labërisht dhe tjetra është kosovarqe. 

"Prishtina Post": Cilët janë ato këngë të cilat nuk keni arritur ende t'i bëni dhe për të cilat keni mall? 

Gashi: Ka shumë personazhe, për të cilët nuk kam mundur të këndoj ende. Këngën për Fehmi Aganin ende nuk e kam bërë, komandant Drinit ende nuk ia kam bërë, edhe pse materialin e kam të gatshëm. Ndoshta së shpejti do ta bëj këngën, sepse është diçka që vjen nga çasti. Ka edhe shumë këngë, që i planifikoj. Ndoshta shumë shpejt do t'i bëj këto këngë.


 

Kjo intervistë u bë në gusht të vitit 2010

avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Sot në PRISHTINA POST-Intervistoi: Valon Peci-Një jetë e tërë duke kënduar për atdheun

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Dec 07, 2013 1:11 pm

avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi