SABIT RRUSTEMI:MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

SABIT RRUSTEMI:MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Oct 19, 2013 12:55 pm

 
Sabit Rrustemi
  MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS
 
   (Përzgjedhje përkushtimesh poetike për rapsodin dhe poetin, Agim Gashi )

 
Shtëpia botuese
BEQIR MUSLIU
 
Redaktor
Nexhat Rexha
 
Recensentë
 
Arsim Halili
Izet Abdyli
 
Lektore
Lumnije Morina
 
Kopertinën e realizoi:
Ibrahim Tolaj
 
 

Sabit Rrustemi 
MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS
(Përzgjedhje përkushtimesh poetike për rapsodin dhe poetin, Agim Gashi )


 
Shtëpia Botuese
BEQIR MUSLIU
2012
 
 
Ky libër botohet me mbështetjen e anëtarëve të Ars Clubit “Beqir Musliu”, si një lutje poetike për rapsodin dhe poetin mërgimtar, Agim Gashin.
 
 
Abdi Përgjegja
 
PËR TY AGIM
 
Agim Gashi sogjetar
Menjehere e rrok SHARKINË
E nisë këngën me ngadalë
Për Atdhenë bën melodinë
Zemrat i ndez zjarr.
 
Se vec Ai ia di rëndësinë
Që Atdheun  e sheh rrallë.
 
 
Adem Berisha
 
PËRSHËNDETJE NGA KOSOVA NËNË
(Agimit edhe për të gjallë i këndohet kënga
është i pathyeshëm e burrë që, të rrallë i lind nëna.)
 
Agim, zogjtë e malit e kanë gabim
Ose të vërtetën s'ta kanë thënë
Se çdo pëllëmbë e vendit tim
Të mbanë në zemër e të fala të bën.
 
O Agim Gashi ...
Që kurrë në jetë nuk u lakove,
Mbahu i fortë or Sokol Mali
Krenohu me veprat që na dhurove.
 
Të kem' në shpirt, të kem ndry në zemër
Si më të shtrenjtin margaritar,
Ti për ne nuk je veç emër
Je hero o zemërbardhë!
 
 
Adem Zaplluzha-Dy poezi
 
MIKUT QË E KA MIK SHARKINË
 
Sonte
Më ka përqafuar vetmia
Përse hesht
Kështu or mik
S´të dëgjohet
Më sharkia
S´na këndon një çikë
 
Shko te Kulla
E Ahmet Delisë
Shko e këndoje
Këngën atdheut
le të jehojë
Në trojet e Shqipëtarisë
Zëri i heshtur
I Gjergj- Beut
 
Në sharkinë e vjetër
Kënga e Re
Le ta zgjojë
Shabanin e Azem Bejtën
Kështu ka qenë
Gjithmonë ndër ne
Duke kënduar
me flijua jetën
 
Nëse ke mall
Për male me shkrepa
Eja e çmallu
Me bukuritë e Kosovës
Fluturo këndej
Si fluturon bleta
Të përqafojnë miqtë
Me zanat e Bajgorës
 
I KËNDON GURIT DHE MALIT
 
Mos këndo
Kur vetëm zemra të këndon
Pyete telin e katërt të sharkisë
Dhe ndalu në perden e dytë
Bisedo me eposin
Miku im
 
Ti nuk heshte
Kur na i vodhën këngët
Edhe më shumë bisedove
Besa edhe i përballe stuhitë
Kur shkoje me Anton Çettën
Deri të Verrat e Llukës
 
Të thanë ja kalorësi i rapsodive
Që zbret nga lashtësia
Ti heshte
Në zërin tënd burrëror
Nuk i përfille vajet
Por këndove
Për gjakun që i falej atdheut
 
Të kujtohet ajo lokja
Që i lidhte thinjat e flokëve
Në këmishën e përgjakur
Dhe e shtrydhte kokën e gjarprit
Mu si zanat e malit
Kur i ndihmonin Mujit
 
Asnjë pikë loti
Në vetullat e shkëmbit
Çdo gjak i falej atdheut
I falej djemurisë
Që një ditë të zgjohet
Më krenar se dykrenori
Më krenar se liria
 
II
Ende me sharkinë e vjetër
Je duke bredhur
Ti miku im
Herë në metropolet e Evropës
E herë në Tiranë e Prishtinë
 
I këndon gurit dhe malit
Edhe dheut që i ndihet gjëma
Përroit që në kujtesë
Na gurgullon
Sa me afsh i falesh atdheut
Nga DÜRENI i largët
Kur një sharki gjëmon
E një zë i ëmbël
Përmallshëm na jehon
 
 
Albina Idrizi
 
MËRGIMTARIT
 
Nuk dija se një ditë
Në ty do dëgjoja
Ngashërimin e degës
Që trungut iu përthye
Pastaj, i gdhendur
Së ngrëni dhimbjen e vet
Qan mallin
Këndon dashurinë
Për trollin ku rrënjët i ke
Me vargje zemre
E tinguj qiftelie.
 
 
Alfred Susaj
 
PËR AGIMIN
 
Zoti ju dhashtë shëndet bre v'lla,
Larg nga plagët e trishtimi,
Fjalë e zemër janë kalà,
Mposhte pra çdo lloj dëshprimi!
 
Rrug't e botës na forcojnë,
Në t'përposhta e në t'përpjeta,
Armët trimat s'i dorëzojnë,
Nder e fjalë më shumë se jeta.
 
Ke me vete fjalë e liri,
Ke me vete shtëpi e atdhe,
Ke të ndershmen shqiptari,
Që për ta je diell pa ré...
 
 
Azaleja Gashi
 
ME BALLIN KRENAR
 
Unë, vajza e vogël me ballin krenar,
Hap flatrat e zemrës mbi popullin tim,
Shkëlqimin e syve ma jep dielli zjarr,
Kënga ime e thjeshtë rrjedh si ligjërim.
 
Për vendin tim do këndoj gjithmonë,
Zog i vogël sot jam unë,
Nesër shqiponjë bëhem e kaltërsive,
Dashuritë të gjitha i mbledh në gji.
 
Në gjurmët e babit do të ec në jetë,
Babi me këngë, unë me poezi,
Zëri i tij dredh telat e sharkisë,
Zëri im –bubullimë si i te madhit Moisi.
 
Këngët e fisit do këndoj pa rreshtur,
Shpirtin e kam plot nostalgji,
Rrugen e babit kam në ballë e zemër,
E atdheut dhe e tij do të jem sinfoni.
 
 
Demir KRASNIQI
 
KUJTIM MALLI
 
Të mbajë mend kur :”More rrugën për në det “,
Dhe në vend të kripës – na solle sherbet !
“Lulet” të dëgjonin dhe “ çelnin në dritare”,
Ato hidhnin valle në dasmat shqiptare!
 
I mbaj mend dasmorët në pajtime gjakesh ,
Kur sharkia jote , kumbonte n’ ballë oxhakësh !...
Por nuk e di oxhaku yt , ku do të qet tim ,
O, vëlla i gjakut  – me emrin  Agim?!
 
Ndoshta mërgimtarët , koha do t’i tres,
Por kënga e bilbilit, kurrë nuk do të vdes!
Ajo do t’ jehojë  krenare
Edhe n’u rrëfshin  odat shqiptare!...
 
Gjilan, më 14 Dhjetor 2008
 
 
Drita Krasniqi:
 
FITIMTARI
 
Ma ndien mirë kjo zemra ime
O i madhi atdhetar,
Që ndaj kësaj sëmundje t´keqe
Ke për të dalë fitimtar.
 
Me padurim të presim
Atdheut bashkë  t’i këndojmë,
Fitoren kundës sëmundjes
Me këngë e vargje ta festojmë.
 
Mijëra njerëz për Ty po luten
Gjithë shqiptarët në botën mbarë,
Do t´na vish i shëndosh si molla
Me sharki si përherë i paparë!
 
( 12.03.12, Itali)
 
 
Gëzim Uruçi
 
KAP SHARKINË  AGIM GASHI
 
Agim Gashi, Tunjatjeta
Za bilbilit në sharki
Kangë i këndove shqiptarisë
Prej Tivarit në Çamëri.
 
Je shqiptar istikamit,
S'tremet syri për Shqipni,
Do ta bajmë shtet të vetëm
T'ja vem’ emrin DARDANI.
 
Ço e merre sharkinë tande
Edhe vargjet i ke gadi,
T’i këndojmë tash Çamërisë
Se Shqipnisë i ka ardh’ vakti
 
(me 10.10.2010 - ORA - 00.10.)
 
 
Fadil Lepaja
 
RAPSODI
 
Veq një za
ti edhe sharkia
hapet para nesh një shpellë e thellë
e kujtimet kafshojnë idhshëm
nga këngët e kreshnikve
 
Luftë e madhe bahet
mbi qilimin e kuq
mbi qilimin e zi
qilimin me krah hapun gati tuj fluturue
 
Tendoset peni i lahutës
kjo dhimbje që kumbonte përtej kufijve
të atedheut
 
Të pash
Përkundeshe rand mbi hark
e harku përkulej ner klithma të moqme
 
Peshë a randë
lis që nuk përthekohesh me krah
e tingulli i penit
që trashej deri në shpërbamje
 
Gjoksin e kapte një dhembje e ranë
shtërngonte trolli që lëkundej nër kambë
sa her kem ikë me lahutë në krah
more mik
 
Muhaxherija kërkund nuk shkon pa lahutë
marre me kajtë burri
e me i ra lahutës e me vajtue burrnisht ...
falet
 
Tash po të shoh lodhshem
për muri mbështetun
ti edhe sharkia
po ja ngoni gulqimën
njani tjetrit...
E po mendoni qysh me ja ba...
 
Hajt more burrë
ske cka me u mendue kaq gjatë
kape njat lahutë dembele që po pret me u nise per udhe
e nisja një të serte
kaqakqe
 
Për zotin
Veni ka nevojë dikush me e vajtue
burrnisht me e vajtue
e me i dhonë zemër
 
 
Fatos Ashiku
 
SHARKIA E AGIM GASHIR
 
Po rënkon një sharki
vegle burrit e trimërisë
në ato anë ku kendoi
jo pak mbet e kujtohet.
 
Ku e kam atë trim
që më mbajti tash sa mot
ku e kam unë atë këngëtar
që së bashku bëmë epokë.
 
Ndër ujëvarash, ato bjeshkë
mbarë i morëm varg pas vargu
fije barit nuk e lamë
pa e këndue  mallin e tretun.
 
Ndër atdhen e përmalluar
mbeti mendje edhe zemër
çikë më çikë ja puthëm lotin
gram për gram përmallimin.
 
Lart ndër male pa mbarim
të Shqipërisë sokoleshë
brodhëm i ramë pash më pash
prej mollëkuqes e në Prevezë.
 
Si mendon more trim,
se po ndahesh Ti prej meje
për këtë besë k'tyne malesh
as e çoj nëpërmend.
 
Jam duke pritur plot mendim
si t’ja thurim atë varg
Nanë Shqipërisë i a kemi borxh
për atdhe e për komb...!
 
Aty varur një sharki
vegël motit që bëri jehonë
është ndalur e po ankohet
përse telat ma nuk flasin.
 
Çohu Agim se po të kërkon
kjo sharki nuk gjenë karare
bashkë u rritët e kuvenduat
jehuan malet e gjëmuan brigjet.
 
( 31 Mars 2012 )
 
 
Flora Idrizi
 
BËHU HUMAN O MIKU IM
 
Në çaste të vështira,dora ka nevojë për dorë
njeriu për njeri e zemra për dashuri.
 
Mbushe zemrën me mirësi dhe trego bëmirësi
do ta gjesh lumturinë o miku im
të shpërblehet në ardhmëri.
 
Mos shtërngo grushtin kur është fjala për mik
t'i hapim zemrat e ta tregojmë
shpirtbardhësinë tonë.

 
Hasime Hoti
 
MOS I U DORËZO DHIMBJES AGIM GASHI
 
Në vetmi i tretur në mërgim
Veprove për atdheun e shtrenjtë!
Tani kjo dhimbje qe të bën pengim
Padukshem ty do me të brejtë !
 
Por ti bëre vepra që s'vdesin kurrë
Mirësia të bën shekuj të jetosh
Në histori emri të ngel or burrë
Ti gjithmonë me ne do të jetosh !
 
Mos  u dorëzo nga dhimbja Agim
Ty nuk të mposhten mijëra shtrëngata
Vazhdo për Arbërinë të krijosh gëzim
Ta mbushish shpresën me serenata!

 
Hyqmet Hasko
 
RAPSODI I KOHES SIME
 
Tingujt e sharkisë tënde jehojnë madhështor,
Nga bukuria e Teutës, te shpata e Skënderbeut.
Zëri i Agim Gashit, oshtin gjithë qiellin arbëror,
shpalos tërë historinë e heronjve të këtij dheu .
 
Shëtit nëpër qindra balada me heronjtë,
Me trimëritë sa vetë lashtësia e kësaj toke.
Me dufin e zemrës këndon bashkë me zogjtë,
Për të gjitha dashuritë e mëdha të kësaj bote.
 
Me vargje poeti ti qëndron tek çdo lule,
Dhe te trimëritë e mëdha të çdo lavdie.
Agim Gashi, që si vet Kosova s'u perkule,
Legjendë e gjallë nëpër këngë rapsodie.
 
 
Jemin Kabashi
 
PO E LUS ZOTIN PËR TY AGIM
 
Seq më sillen kujtime
Nga koh e kaluar
Kthej mendjen prapa
Qëndroj i hutuar
 
A thua je ti
Pyes vetën time
Dhe lutem për ty
Burr i tokës sime
 
Lutem që edhe njëher
Të kthehesh te logu i burrëris
Që t'ja marrish këngës
Ti dhe zëri i sharkis
 
Atje të kthehesh ti
Ku të njoha për të parën her
Te fusha e pajtimit
Të gëzuar përher
 
 
Jorgo Telo
 
PËRSHËNDETJE, O AGIM GASHI
(Përkushtim mikut internetik prej Kosove)
 
Zëbilbili nga Okllapi
Hyn serbes në shpirtin tim.
Mirësevjen, o Agim Gashi,
Guximtar në këngërim!
 
Sa me ëndje dëgjoj këngën:
“Ma ke gishtin për unazë!”
Zëri yt më hyn në zemër
Me Liri Rashën aq pranë.
 
Merr buçimë këng’ e zjarrtë;
Elegjia për Rugovën.
Në çdo strofë na flet qartë.
Para sysh na sjell Kosovën.
 
Tri fjal’ të Ibrahim Rugovës:
“Shqiptarët duan lirinë!”
Ishin shpresa e Kosovës
Të dhanë jet’, miku Agim!
 
Dole ti në demonstrata,
Ngrite zërin, zë i jetës.
Si zog shqipeje me flatra
Veç për hir të së vërtetës…
 
Dhe ia merrje me sharki
Gjendur për Pajtim të gjaqeve
Hase boll vështirësi
Gjersa ike larg prej pragjeve.
 
Kur t’u dogj shtëpia krejt
Shkove larg, zgjodhe vetminë
Veten kurrë s’e le të shkret
Sepse, pranë mbaje sharkinë…
 
E ia the këngës së zjarrtë
Për UÇK e Kaçanik,
Për Adem, çdo luftëtar,
Për Terezën shpirtfisnik.
 
I le trojet… shkove larg,
Të rrëmbeu afshi mërgimit.
Por t’u ndez malli për prag
Përmes dhimbjes e trishtimit…
 
Teksa gjendesh larg vendlindjes
Më shum’ këngë të jep mungesa
Marrin nxit prej vetëdijes
Pa kënduar s’të nxen streha…
 
Dhe në burg paske kënduar
Për lirinë, ëndrrën e bardhë.
Çiftelin’ ke mbajt në duar
Qite këngët radhë – radhë…
 
O dashnor i këngës shqipe
Prodhimtar në folklorikë;
Sa lirike dhe epike
Shpërndan zërin nat’ e ditë.
 
I ushqyer qysh fëmijë
Me sasi këngësh kreshnike,
Me “Lahutën e Malcisë”
Sa lirike dhe tragjike…!
 
Fillimisht të foli zemra
Për Heroin Kombëtar.
Skëndërbeun qiti kënga;
Kryeidhullin shqiptar…
 
Sa i pasur je me vjersha
Aq i pasur dhe me këngë.
Prodhimtar je porsi vjeshta
Fryteplot e degërëndë…
 
Krah Nailes, Pagarushës
Dervish Shaqes e Qamilit
Zëri yt shkoi malit, fushës
Porsi zëri i Jysuf Myzyrit…
 
Në një ishull n’det t’Veriut
Tok me vajzën – Azelenë.
Mbijeton shpirti njeriut
Mbi sëmundjet tërsëllimë…
 
E me këngë pa ndikime
Me folklor sa më të pastër
Më vjen shpesh në dhomën time,
Vjen çdo ditë në Gjirokastër…
 
Na bashkon kënga dhe vargu,
Nuk na ndan dot largësia.
Na afron koha te pragu;
Interneti – ardhmëria…
 
Këngëtar, kompozitor
Dhe i flaktë atdhetar…
Çiftelian e vjershëtor
Agim Gashi – kosovar.
 
Të këndoft’ goja përherë
Malet, fushat po gërgasin:
Me shëndet qofsh e me nder,
Mal i këngës, Agim Gashi
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: SABIT RRUSTEMI:MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Oct 19, 2013 1:37 pm

Kujtim Stojku
 
RAPSODIT AGIM GASHI
 
I shoh  se sa butë i shkel telat me gishtrinj
Tinguj malli t’ëmbël na përciell
 
Sa herë dora jote telave u bie,lule mbijn’
 
Pastaj dalëngadalë gjethet e verdha shkund’
K’to gjethe përmes telash lëshojnë gjamën
Më pas heshtjen
 
Fishkëllimën e erës si n’dimër kur fryn , dëgjoj.
 
Poet,rapsod,artist
Telat sharkisë nxehen dhe bien vazhdimisht
Ata s’ngrijnë si akulli n’çikat e çatisë
Sepse tingujt e këtyre telave vdekjen e kan’tremb
Dëborën që po bie e kan’shkrirë.
 
K’ta tela janë udhëtime qiellore t’pafund
 
Në pesë tela dhe me  poezinë
Na ke lidhur fort me jetën
 
Apeli yt i falet mirësisë
I përulet altarit të lirisë
 
Shqiponja flatrat përplas n’gjoksin tim
Duke ripërtrirë shpirtin e dhënë frymëzimin
Vegimet hyjnore t’thonë se do t’rrosh
Ndaj vdekjes jo,ti nuk e njeh nënshtrimin…
 

Mejreme Gjocaj
 
VLLA AGIM
 
O Vlla ,Mik Agim ,
Hapi Sytë E Mos i Mbyll !
Ne Jemi Dielli Ti Je Yll,
Kur Ti Qeshë Ne Bëhemi Zë !
Mos Mendo Se vetëm Do Të Lëm’.
Kur Ti Qanë Ne Bëhemi Lot !
S’të Ndërrojmë Me Askend Në Botë,
Ti Je Gjumi Ne Jemi Ëndrra !
Ti Je Shpirti Ne Jemi Zemra.
Ti Je Dielli Ne Jemi Drita !
Ti Je Vlla ,Mik Ne Që E Pritëm.
Zotit flm ,dhuratë na fali !
Gjithë bashkë  mos të ndahemi .
 
 
 
Mentor Thaqi
 
ÇOU AGIM, MERRE LAHUTEN!
 
Trup, tërthorë i ramë Shqipnisë,
zemrat mal plot zjarr e prush,
mu në zemër të Malsisë,
Shkodres sonë, n´përçafim, n´gushë!
 
Alpinistë, me u ngjitë nuk jemë,
por, Alpinistin në ballë e kem,
dy dekada Kampion, jo s´huçi,
Legjendari, Xhaxhi Gëzim Uruçi!
 
Çou Agim, merre Lahuten,
jemi vëllëzër, shkuar miq,
se, pasha Besën e pasha Buken,
s´e ndalë Shkodra kangen, hiç!
 
Ngremë dolli me dhjetë raki,
gjithësecila, e ëmbël, e sertë!
Axha Gëzim, përballë na rri,
na ofron Botën e Blertë!
 
E t´ja krisem muhabetit,
në Shkoder Loce, përballë Rozafës,
sa n´Tarabosh e sa n´breg t´Detit,
gjër sa i shkundëm terrin, natës!
 
Dedë Xho Lul e Oso Kukë,
Bushatlinjë, Balshë, Grudë e Hot,
Hasan Riza, gjashtë javë pa bukë,
s´e l´shon Shkodren, n´atë Tarabosh!
 
Thonë, Shqipnia, krejt top-tanë,
mend i pat, gjashtëqind dërham,
Shkodra vetëm, i pat treqind,
për nga mendja, Shqipnisë i prinë!
 
Dhe, u kënaqëm, ne vëllëzër gjaku,
trup-tërthorë, ju ramë legjendav,
miqtë e mirë në ballë Oxhaku,
tuj iu bë karshillëk Bedenav!
 
Shkodra me margaritarë e perla,
si Gjergj Fishta e Vaçe Zela,
çindra e mijëra, të rinjë e pleq,
vetëm n´Shkoder mund ti gjejsh!

Në daç Lab, Shkodran, Dardan,
në një Dhomë, gjeta Shqipninë,
Histori, Art, Letra me namë,
në Muzeun e Xhaxhit Gëzim!
 
Gjeta Boten me folklor,
gjeta token dhe nëntoken,
kuq e zi, por dhe kolor,
n´ballë Shqipninë, atë Nënëloken!
 
Mbi të gjitha, gjetëm Nderin,
Nderë shkodrani, nderë shqiptari,
bujarinë si k´tyne herit,
si na e la trashëgim i pari!
 
Po po, gjeta e çfarë nuk gjeta?!
Vlera Arti e Vlera t´Kombit.
Gëzim Uruçi, heu tu ngjatë jeta!
Mik i mirë, n’ shërbim t’ Popullit!

 
NJA DY FJALË ZEMRE VËLLAUT
 
I thanë: Gjergj Elez ...,
Hero i Zemërbardhësisë,
unë po i thëm Eshkëndezës,
i Këngës së Lirisë!
 
Sinonim  ka Emrin,
e Murmurimë ka zërin,
dhe Bujtinë ka Zemrën,
strehon Atdheun, të tërin!
 
Lum ai që e njohu,
lum si ne që e kem’,
sa zemrat i ngrohu,
me Këngën-Mehlem!
 
Përkrah Anton Çettës,
i hoq frikën Jetës,
pas President Rugovës,
Ushtar, Artist i Kosovës!
 
Se, dhimbja çanë gurin,
brenë dhe dru e hekur,
por, JO, Agim Burrin!
Lodhja, s´e ka prekur!
 
Dhe, gjenë kohë, Kolosi,
nga shtrati, shkruan,
ne, malli na sosi ,
AI, me Këngë e shuan!
 
E, si mos ta duam?!
E kem’ shpirt e xhan.
Gjithmonë, mendje-zgjuar,
Këngë e tij na mban!
 
Ulpianë e bukur Antike,
e Dardanisë së Lashtë!
Familje sublime, heroike,
paske pasur  ti Gashtë!

 
Musa Jupolli
 
Zë SHQIPËRIE
 
Në tingujt e sharkisë melodi
Në zërin tënd këngë
Melodia dhe zëri yt
Ngjyrat e Atdheut
Lule n' kopshtin e parajsës
 
Thuarja e vargjeve
Proza jonë kombëtare
Shikimin lart nga dritë e Diellit
Dorën në sharki
Me zemër në Shqipëri
Ai më tha mua vetë
Unë kam një dashuri
Dhe është e vetmja
E quhet SHQIPËRI
 
Eu Agim Gashi
Burrë nahije
Zëri yt lindi
Mbet
Mbetet
ZË SHQIPËRIE!
 
 
Nehat Jahiu
 
DO TË IA THOSH KËNGËS...
 
Eh, sa bukur na këndon ,këndon bilbili
sëbashku me te këndon edhe Agimi,
dridhet fusha e na dridhet mali
kur sharkinë e merr në dorë Agim Gashi.
 
Buzëqeshë vendlindja si dielli e hëna
gëzohet atdheu e na gëzohet nëna,
kur ia thotë poezisë e këngës ky poet
edhe fëmijët buzëqeshin në djep.
 
Kur e merr, o mik ti sharkinë në dorë
në maje të bjeshkës shkrihet ajo dëborë,
shpirti yt , o poet po të digjet flakë
vargu i poezisë e kënga ti shërojnë plagtë.
.
Eh, poet seç të dogji malli për atdhe
për vendlindjen tënde të dashur ku ke le,
sytë e tu skuqur nga malli e të përlotur
në vend të huaj si një zog,zog i plagosur.
 
Eh, poet do të vij, do të vij një ditë
kur ty lotët do të teren nga sytë,
do të ia thosh këngës aty te Molla e Kuqe
kur do bëhet dhëndërr Guri e Zana nuse.
 
 
Ragip Dragusha
 
AGIM GASHIT
 
Pse këta telat e sharkisë
Kangën sot e paskan ndalë?
Paj vullneti i Perendisë
Me shpëtue ka këtë djalë.
 
Për njat Zot, që kam besue,
Për njat jetë, që nuk përsëritet,
Agim Gashi ke me rr'nue,
Sepse zemra jote s'vritet.
 
Në furtunë ti ke qëndrue,
Gjoksin dimnit ia ke qitë,
Kush ka dashtë ty me t’gjujzue
Tanë Kosova asht vu n’pritë.
 
Me k'si burrash kush nuk matet,
S’ka termet për me i rrënue,
Zemra jote i di hallet,
Por prap n’kambë ti ke qëndrue.
 
Këndoni ju, tela t' sharkisë,
Me njat za të Agim Gashit,
Çou Kosovë, ti zonja e sh’pisë,
Lutu ti per jeten e djalit.
 
 
ZEMRAT E DJEGUNA
 
Jo bre burrë s'ke për tu shue
Për njat Zot që kem ra n'besë
Veq kur Zoti ta ketë shkrue
Kemë me marrë tanë ka nji pjesë.
 
Unë e dij se zemra jote
Për njatë tokë shum ka vajtue
S'ka mbetë lot as për nan Loke
Por na s’duhet mu dorzue.
 
Kapi telat e sharkisë
Bash njat orë që dhimbja t’rrokë
Siq këndon burri malcisë
Se s’je vetëm por me shokë.
 
Hej ju zemra t’djeguna n’flak
Që njeriut i ratë për hise
Edhe gurin e keni plasë
Por Agim Gashin hero e rrite.
 
 
Rrahim Sadiku
 
KOHË E SHQIPËRISË
 
Grishja e vazhdueshme,
Vargje t
ё gё
zueshme,
Hapin shteg p
ёr kёngё,

Zemra sikur bёhet tel i ҫiftelisё!
 
E t’ia nisim, o!
Terr e ag drit
ё
,
Nat
ё nuk ka ndёr ne,

Shkёlqim hyjnor shtёpisё!
 
Bukё e kripё e zemёr
Me ndonj
ё gotё shoqё
ruar,
N
ё kёtё botё tё madhe

Shkojmё duke kёrkuar!
 
E t’ia nisim,o!
Me k
ёngё kreshnikё
rie,
K
ё
saj toke ngulitur
Themele Ilirie!

 
Zemra sikur bёhet tel i ҫiftelisё!
Bukuri hyjnore
Dukje p
ёrrallore

Ja, si hapet kohё e Shqipёrisё!
 
 
“O NJI KËTË KANGË…” VJEN E OSHËTINË

K
ёrkimi pёrdridhet dhembejeve e shqetё
simeve,
Me k
ёngё numёrojmё gjurmё
t e fatit,
Kemi hyr
ё njё dere ku madhё
shtorja pret,
Fillim e mbarim veshur petk lirie!

 
Koha le tё shkojё si e ka rrjedhёn,
Qenia jon
ё ngulitet fuqishёm nё tё
,
Kemi arritur edhe t
ё paarritshmёn:

Atdheun veshur me pranverё dashurie!
 
“O nji kёtё kangё…” vjen e oshёtinё,
Me zemr
ёn bёrё besim e kuptim qё
ndrese,
T
ё gjitha ia kemi falё tokёs stёrgjyshore,

Mirёnjojen e thellё ruajmё kudo nё vete.
 
 
Sabit Rrustemi
 
VEÇ KËNGA…
 
Ai rapsod m'lue prej malli
U shkund ëndrrash
Dhimbjet i kalli
Se po e thërret Vendi
Pa Sharki s'bëhet Kuvendi
 
Tash po niset për Dardani
N'emër t'Kombit për Nji Shqipni
 
E, kush s' ia prishë qejfin atij
 
Cilëndo këngë prej gjuhe nxjerr
Historinë mes telash tjerr
 
Edhe atë dashuri që ndizet si votra
Si e jonë motra
 
Paj veç kënga
Në na heqtë shkrumin
Në e kthejlloftë lumin
 
Mespërmes trupit gjarpëron
Valë e zërit tënd
Kthjellon
 
 
KA VDEKË AJO VDEKJE
 
Po thonë ka braktisur dhomën e miqve
Ka dalë tej faqes virtuale
Është shtrirë n'spital po thonë
Pa sharki n'pixhama po rri
Me i dhimbtë t'zezë
Që e therrë bri më bri
 
Po thonë
E çka s'po thonë
Pa le të thonë
Të thënat si gjithmonë
Vrimave t'veshëve përbirojnë
E qafën thejnë
 
Nuk ju besoj
Pa edhe ashtu në qoftë
 
Po ka vdekë ore
Ka vdekë ajo vdekje
Që atë burrë mund ta nënshtrojë
 
Çiljani derën
E shihni
Si del e niset ngadal
Për tek ai majemal
 
Në thikë të qiellit
Atë këngë
Edhe i herë ta këndojë
 
Telat e sharkisë zërin ia kërkojnë
 
 
Seveme Fetiqi
 
PENA DHE ZËRI I TIJ NË ÇIFTELI
 
Aty ku brenga e tij përjetësohet
Derisa të shndërrohet në dhembje
E dhembja sfidohet me këngë
Aty bashkohen lumenjtë
Në një det të madh malli
Siç bashkohet i biri me t’ëmën
Dhe merren ngryk me mall
 
Aty ku pagjumësia e tij bën roje
Si ujëvarë e bardhë për lulëkuqe
Rritet shtati i Azalesë
Të atit i nderon vazhdimësinë
Dhe shpresën për ardhmërinë.
 
Aty ku qan e rënkon toka e tij
E larë në lot e djegur me flakë
Ai e dërgon freskët këngën e ringjalljes
Flamurin e fitoreve duke mbajtur lart
Derisa të bëhet yll në qiellin e vet
 
Aty ku burrëria dhe trimëria
Bëhen shpirt i krenarisë
Ai në ballë të oxhakut
I bënë roje këngës dhe dashurisë
Që do na bashkojnë
 
Me bukë kripë e zemër
Sofrën e shpirtit shtron
Me ndjenjën e çiltërsisë
 
Aty ku lakmia e zilia
Verbërojnë arsyen
E ndjenja bëhet dëshmitare
E kohës së mëkateve të mëdha
Ai i bën konak bujarisë
Me fjalën mjaltë shëron
Me zërin pushkë thërret
Horizonteve të dritës
Të arrijmë në pranverë
 
Aty ku heshtja shndërrohet në harresë
E njeriu në rob në kameleon
Ai i jep shpirt e jetë çiftelisë
E përjetësi ëndrrës dhe besës
 
Aty ku kurbeti di vetëm gjuhën e mallit
Largësisë i shtohet shtati
E i thinjen flokët
Ai lufton me harrimin
Asimilimin konvertimin
Në këngë duke përjetësuar flijimin

Atje ku rrudhat e ballit
Skalisin dhembjen për nënën
Që e la me kokë në dritare
Me duar në gji te pragu i pritjes
Ai synon të kthehet
T’i bëhet diell vendlindjes
Dhe fole zogjve të braktisur
Logjeve të mallit horizonteve të dritës
Nga ëndrra të futet në histori
 
Aty ku penda e tij është kushtrim
Është frymë e parë dhe e fundit
Është perla e ujërave të ëmbla
Që i vë emër këngës
Ku atdhe e ka kullën e qëndresës
 
Aty shndërrohet në ujëvarë
Zemrat e strukura për t’i freskuar
Me ëmbëlsinë e buzëqeshjes
Me dritën e dashurisë
Miqësi mbjell në të gjitha fushat e botës
Ai ngrihet deri në maje
Hapësirë e rrugë
Për t’i hapur fatit atdhetar
 
Për fisin e ndarë për gjakun e shprishur
Këndon si Naimi si qiriri i tij shkrihet
Në përmendore të gjallë e ngre
Guximin dhe shpresën që na duhen
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: SABIT RRUSTEMI:MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Oct 19, 2013 1:59 pm

Sylejman Aliu
 
NGA KOSOVA KE TË FALA
 
More rrugën dhe u ktheve
Në dritare pak je ndalë
Sytë pushove n’ato relieve
Jam i fortë, the, më shumë se i gjallë
 
Lumi Rur të dërgoi pëllumba
Shërim t’shpejt ty t’uruan
T’ishin pëllumba edhe turma
Te ti do t’vinte pa u vonuar
 
Atdheu t’përlotur sytë i ka
I sëmurë është më shumë se ti
E hanë korbat hiq pa pra
Mjegull e zezë mbi të rri
 
Lumit Rur dërgoja një fjalë
Do t’shërohem t’mos kesh frikë
Se jam burrë e jam djalë
Sëmundjes sime do t’i vë pikë
 
Kam nevojë për atdheun tim
Atdheu im ka nevojë për mua
Korbat do t’i përzëmë me nxitim
Është kështu a s’më thua?
 
 
KOHA E KËNGËS
 
Mbledh jehun e heshtur
Copëzave t’atdheut
Brenda ritmit tonë të vetënjohjes
 
Vjen në derë të kujtesës
Më sjell stinën e përlotur
 
Jemi ne aty
Apo përlotja e stinës
Shërohet nga ne
 
E unë
Do të vdisja për një buzëqeshje
Miku im
 
Mbledh në kopshtin tonë të zemëruar
Pranverën e ringjalljes në këngë
Dhe këlthas
Dhe kushtroj
Ma shëroni atdheun
Ma ringjallni njeriun tonë
 
Tingulli i sharkisë
Në prehër më merr
I vdekur më s’jetoj
 
 
Sylë Mujaj
 
AKROSTIH PËR AGIM GASHIN
 
Ah, të lumtë zemra për fjalë goje
Gezur artisteve Vitin 2010-të me sharki...
Ish një varg poezi, mjaltë me hoje
Mall mërgimi, për Agimin e Ri
 
Gëzohet artisti kur sjell freski
Anembanë globit „fishkullon te keqen“
Sharkia jote jep force e krenari
I madhi Agim dridhe mysteqen.
 
 
KOSOVA E MËRGATA, PO OSHËTINË
 
Kjo është force e s`është mahi, është ortek për besë e dhe
Zë i fortë nga Mërgata, oshëtinë drejtë Kosovës s`re
Shumë e pa drejte është grumbulluar te çdo grua e çdo burrë
Plagët e mija e dhimbjet tua, janë stuhi që luajnë çdo gur.
 
Mblidhi dhimbtë Agim Gashi, shtrëngoi plagët ecim bashkë
Them një Zë mirë të shqipëruar “matrapazët” të dalin jashtë
Sot Kosova po lyp drejtësi, në çdo cep e në çdo anë.
Si të ishim ne “kopila”, kemi zot, kemi babë e nanë.
 
Nuk je i vetëm me dhimbtë tua me poemthin, ta quajmë plagë
Dridhërime, oshëtinë Kosova, e drejtësia po vjen, shume ngadalë
Vijnë dallgë prej Dukagjini në Drenicë, kulla e Jashareve jep porosi:
“Kjo Kosovë nuk është e jona”, duam atë tjetrën qe e duan bijtë e mi
 
Po te gjithë jem me ty, me ty ecim me ty këndojmë.
Harrojme dhimbtë , mbyllen vuajtjet e vallëzojmë
Thërret sharkia, thërret kushtrimi, me dymbëdhjetë tela
Do të del ne breg, s`bën të ndalet, “anija jonë” me vela.
 
 
Shaban Cakolli
 
THËRRAS RRAPSODIN
 
Merr kostumet edhe nisu
e shtërngo sharkinë me tela
mërgimtarëve të mos ua prishni
s´po kanë vesh për antivlera.
 
Më mori malli dhe u ligështova
kisha dashur me derdhë dhe lot
Agim Gashi sa fort t´kërkova
t´kisha pas sot në Dysseldorf.
 
Me ja dridhë telin sharkisë
e njëherë me dredhë mustakun
me i këndu trimat e historisë
mos me i lanë korbat t´krrokasin.
 
Me i shpalosë këmbëkryq legjendat
mërgimtarët si e kanë lakmi
me u treguar antivleristëve
shqipja jonë ka begati
 
 
Shyhrete Ahma
 
ZERI YT I DHIMBJES......
 
Zëri Yt  kumbon  dhimbje
thërret e pret një dorë të zgjatur
ndihmë për jetën, për operime
kancer famëkeqi të është kanosur
në zemrën  tënde , në mushkëri!
 
Zëri Yt dikur krenar
buqiste maleve, fushave  odave...
 
Sot ai  zë është zëri i lotëve,
Zë i dhimbjes
Me shpresë të ngrirë
 
 
Tom Marku
 
AGIM GASHIT
 
Agim..i thonë kur nata mbaron
dhe një ditë plot jetë vendin ja lshon
Agim i thoneë mëngjesit me vesë
Që vjen plot dritë e shpresë
 
Agim i thonë dhe njenit vlla
Që me kuqedrën lufton në Gjermani
sikur ather në luftë me shkja
Ne prap prej teje kërkojmë trimni
 
Se kshtu ju ban nderë telave të sharkisë
që në zemra tona amël tingëllojnë
Se kshtu ju mban ison vëllezërve të labrisë
Që sot për ty labqe po knojnë
 
 
Xhelal Luca
 
LEGJENDË E GJALLË
 
Legjendë e gjallë je o miku im
Mbështjellë me dhimbje dhe dashuri
Për një Shqipëri
Çdo ditë ngrihesh madhështor
Sfidë për shejtëror
Dhe si poet
Dheu s'të tret’
Të shohësh shqiptarinë nuse
Me fustanellë të kuqe
Siq është dykrenorja në flamur
Madhërisht plot nur..


 
Viktoria  Xhako
 
NUK TË MPOSHT KËNGA
 
Ti ngrihesh nga dhimbjet e shtatit,
Pak qetësues të marrësh në spital.
Ecën i vetmuar me vajzën,
Ajo në sy të sheh, s‘të ndahet një hap.
...
Për mikun do të thurësh një këngë,
Në duar mban fort sharkinë,
Djersët fshin, shtrëngon dhëmbët,
Mposht dhimbjet, duhet ta këndosh këngën.
 
Punë e gjatë, e lodhshme, e vështirë,
Ti s‘kthehesh prapa.
Mikut i dhuron këngën e zemrës.´
Kurrë s‘do të të mposhtë lëngata!
 
 
Vullnet Mato
 
KRESHNIKU I KANGËS
 
Kreshniku i kangës Agim Gashi - Elez Alia,
tash sa kohë tue vujtun në shtrat ka ra...
Nat e ditë mbi kryet i pikon e bija,
ia terr dhimbat me lotët e syve të saj.
 
Shtatin babës ia qetëson me sytë e ballit,
tue i dhanë kurajë me buzagazin e ambël,
tue ia largue dhimbën e sëmundjes e të hallit
me njomzën e shpirtit e bardhësin’ e zemrës.
 
A dalë zani e paska marrë dhenë,
se sëmundja dhe bajlozët nga krajlia,
duen me ia shue kangën te buza e vet,
e me ia ngri zogjtë e gishtave te sharkia.
 
Ia ka nis bija e vogël me u trishtue,
e krejt me lot të atin po e mbulon:
Po qysh nana, or babë, me na harrue ?
Qysh Kosova kangët e trimave t’i mohon?
 
Qysh s’u shembka kulla e kangës me na xanë?
Qysh s’u kthyeka kurbeti në nji muranë!
Qysh s’u shuen rrufetë e liga anembanë
me të shpëtue zanin, o i miri babë?...
 
Dy riga lot babës për faqe i kanë shkue,
dy fjalë së bijës ia ka lëshue si kangë:
Kurrë ma thekshëm, bijë, s’ke fol me mue,
që për Kosovën më ashtë ndrydh jeta e tanë !
 
E kam ngrit kullën tonë veç te sharkia,
ku heronjtë i kam ftue me i gostit në kangë !
Hej u nxifshi moj sarajet e kangëve të mia,
dhe vrik në kambë a çue e sharkinë ka zanë !
 
E ia ka nisë kangës për shpresa ditësh të reja,
e dhimbët e trupit krejt përtokë i kanë ranë,
e vajzën dhe shokët i ka pushtue hareja,
e jeta e tij ashtë zgjatun deri në hanë !...
 
 
Vullnet Mato
 
BUÇIMA E ZËRIT TË AGIM GASHIT
 
Më kujtohen ngjarje ka ca vjet,
zëri tronditës në tonalite hata,
shkatonte lëkundje të forta tërmet
kur i rritej fuqia në lartësi të mëdha.
 
Kinezët, që dinamitin të kursenin,
përdornin rezonanca të fuqishme
nga Simfonia e nëntë e Bethovenit,
për të shembur pengesat e shkëmbinjve.
 
Ma merr mendja sipas kësaj mënyre,
me zërin e Agim Gashit në megatone
mund të shkërmoqen shkrepat e lartësive
për t'i kthyer në blerime pjellore.
 
Por ndoshta gjëmimi buçitës i zërit të tij
ngritur në lartësinë atomike të bombës,
shemb gjithë muret e zinj me sharki,
për t’u ndodhur te dashuria e Kosovës.
 
 
Në vend të pasthënies
 
Nga Arsim Halili
 
Recension
 
JEHONA E INTERKOMUNIMIT MELO-POETIK
 
Hyrje
 
Ai zë që ende dëgjohet, ai shpirt që ende këndon, ajo sharki që nuk rri e heshtur edhe kur të zotin nuk e ka pranë. Ai zë, i cili atdheut i këndoi dhe këndon po me aq besnikëri për kaq kohë. Shpirti i tij nuk gjen qetësinë për kaq kohë sa përballja me shëndetin jo të mirë, jo vetëm Agimin, por edhe miqtë e tij, i godet në shpirt. Ai ka shumë miq dhe mike, ka shumë dashamirë që çdo ditë dhe çdo orë ofrojnë nga vetja e tyre atë që munden për Agimin, të cilin shpesh agimet e zgjojnë trishtueshëm e përballë terapive dhe mantelbardhëve. E sikur pyet: - Po ku më mbeti sharkia të këndoj edhe një këngë për Kosovën?! E cila është gjithçka për të dhe më shumë se vetë jeta e tij. Ai çdo moment shtron sofrën e dhembjes. Ka bërë aq sa ka mundur, duke e dhënë një pjesë të shpirtit të tij që Kosovën ta shohë ndryshe, ashtu siç edhe e ekzekuton ne telat dhe zërin e kumbueshëm të sharkisë. Ata që e njohin shpirtin e tij, përveç që dëgjuan me shumë përkushtim këngën e tij rapsodike, poezitë e tij epiko-lirike, janë ata që çdo ditë u gjendën me fjalë dhe me vepra pranë tij edhe kur është në Kosovë, edhe kur është në mërgim, madje edhe kur është shtrirë në spital.
 
Përkufizim i dhembjeve dhe krenarisë përmes vargjeve
 
Iniciativa për të rrumbullakuar një bagazh krijues, vjen e harmonizuar dhe e konceptuar me një qasje ndryshe nga librat tjerë. Sepse fjala poetike këtu mëton të himnizojë dhe të portretizojë një figurë, e cila jeton mes miqsh dhe të bërat e tij, sidomos vokacioni i tij prej krijuesi dhe atdhetari, ka bërë që këta poetë dhe poete ta ndjejnë nga thellësia e shpirtit sprovën e tyre përkushtuese ku e ku në thellësi të vargut, e në disa çaste edhe elozhe që bartin më shumë nuanca folklorike. Pa dyshim se merita për gjithë këtë përmbledhje poetike është e poetit Sabit Rrustemi, i cili ka mëtuar që të gjithë këto buqeta poetike veç e veç, t’i tubojë në një kopsht të vetëm poetik dhe natyrisht aromën e tyre ta ndjejnë të gjithë ata lexues që shfaqin admirim për rapsodin, Agim Gashi, në veçanti edhe fjalës së shkruar poetike në përgjithësi. Cili është në të vërtetë diskursi i kësaj përmbledhjeje përkushtimore poetike? Shihet se i gjithë narracioni krijues ka një shtrirje konvergjente, natyrisht duke dimensionuar figurën e tij në këto pika referimi: Agimi artist i dhembjes dhe Agimi shpresë për jetë. Nuk do të mund t’i ikim dot edhe aspektit receptiv të së kaluarës së tij, të cilën thuaj se çdo krijues me mjeshtri e gërsheton vokacionin e tij prej krijuesi rapsodik e në të njëjtën kohë instrumentin e tij të cilin e ka bërë që Agimi të jetë çfarë është sot, sharkia e tij thuajse është një nga simbolet,për të cilin miqtë e tij krijues demonstrojnë me aq mjeshtri këtë armë të zemrës e të shpirtit, ku ai shpërthen në jehun e këngës së tij. Shihet se në libër ka larushi strukturore dhe i gjithë interkomunikim varion nga kompleksi ideo-estetik, qoftë në harmonizimin e vargjeve, pse jo edhe në strukturën dialektore. Imazhet përballë figurës përkushtuese, këtë rast të Agimi Gashit, nga poetët shihet se interferohen nëpër skena gati-gati të ndryshme, qoftë nga shtrirja gjeografike e krijuesve, sepse ai që e ka larg mundohet të afrojë më afër, ai që e ka afër ia sheh dhembjen më shumë dhe duket se i humb nëpër terr. Por një gjë shihet qartë se pothuaj të gjithë krijuesit pa dallim janë familjarizuar me pasthirrmat poetike, duke i dhënë një modelim të qartësuar portretit krijues e atdhetar të Agim Gashit, por edhe njerëzor. Dhe natyrisht shihet se edhe pse autori bën përpjekje solide për të bërë një përzgjedhje rigoroze, sepse doemos poezia përkushtimore ka edhe kriteret e veta, ndoshta pa dashje jo të gjithë krijuesit e kanë dhënë maksimumin e mundshëm qoftë në aspektin estetik, artistik dhe funksional të vargut. Nuk do mend se gjatë leximit shumë nga poezitë kur lexohen krijojnë një transparencë ritmike dhe melo-poetike, për çka edhe mund të kompozohen si këngë në vete në të ardhmen. Natyrisht me një ndërhyrje qoftë tekstuale, apo edhe kompozicionale. E mira e gjithë kësaj përmbledhje është se autori Sabit Rrustemi, tërë këtë material përkushtimor, me pedanteri e bën në bazë të radhitjes alfabetike.
 
Në vend të përfundimit
 
Sigurisht se Agim Gashi tani do të dalë më i fortë, më i çmuar dhe më i respektuar, më me pak dhembje, kur e di se sa shumë miq ka rreth tij. I çmuar në identitetin e tij krijues atdhetar, që pa dyshim ndonjëherë në shoqërinë tonë edhe ka tendenca të tilla për të kundërtën. Sharkia e Agim Gashit tani është më e fuqishme, por këtë rast atë vijë melodike të shpirtit ia trasojnë me devotshmëri të gjithë ata miq që ka brenda dhe jashtë nënqiellit shqiptar. Sepse pa dyshim se kjo vjen si një përmendore e zemrës, ku secili në vetën e parë skalit ndjesinë e tij perceptuese për mikun e tij dhe kur të gjitha këto fjalë poetike e ngritin Agimin në vertikale të kohës, sepse ashtu e menduan dhe demonstruan këta krijues të përfshirë brenda librit “Mos e lësho sharkinë prej dorës”. Kjo pra është një jetë e tij e rrumbullakuar në dhembje dhe krenari dhe me një shpresë më ndryshe dhe më pozitive nga ajo që ka sot portreti i Agim Gashit.
 
Sabit Rrustemi
MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS
  
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: SABIT RRUSTEMI:MOS E LËSHO SHARKINË PREJ DORËS

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi