Ardian Vehbiu:Burri dhe muri

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Ardian Vehbiu:Burri dhe muri

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Apr 21, 2009 9:42 pm

Burri dhe muri

Ardian Vehbiu


Partitë në Shqipëri dhe në përgjithësi palët në tryezat e politikës, e shpallin dialogun si mjet të parapëlqyer komunikimit me Tjetrin; qoftë ky aleat, partner, rival apo kundërshtar. Po çfarë është pikërisht dialogu?
Zakonisht, e përkufizojnë si formë komunikimi a transaksioni gjuhësor, e cila synon t'i ndihmojë palët të arrijnë marrëveshje, duke ua afruar pozicionet dhe pikëpamjet hap pas hapi. Disa bëjnë dallim midis dialogut dhe formave më ballafaquese të komunikimit, si diskutimi ose debati e polemika, meqë këto të fundit nuk synojnë doemos marrëveshjen.
Premisa kryesore e dialogut është gatishmëria e palëve për t'i ndryshuar këndvështrimet dhe qëndrimet, zakonisht nëpërmjet njohjes me informacion të ri, korrigjimit të informacionit ekzistues ose arsyetimit së bashku me tjetrin. Dialog ideal do të ishte ai ku të dy palët do të niseshin nga pozicionet e tyre fillestare për t'iu afruar një pozicioni të tretë, që nuk përkon me asnjë prej pozicioneve të pikënisjes.
Për shembull, kur njëra palë kërkon kriminalizimin e përdorimit të marijuanës, ndërsa tjetra liberalizimin e përdorimit të saj, dialogu mund të shpjerë në një marrëveshje të tillë, ku të dyja palët të pranojnë ndëshkimin ligjor të vetëm kujt kapet me sasi të mëdha droge. E rëndësishme këtu, megjithatë, nuk është gatishmëria për kompromis, por gatishmëria për të arsyetuar së bashku me tjetrin.
Për fat të keq, kultura tradicionale e shqiptarit nuk e pranon lehtë këtë formë komunikimi. Kjo do të thotë që instinktivisht, do t'i shmangemi dialogut ose do t'i referohemi vetëm si mjet ose manovër taktike, për të arritur qëllimet tona fillestare.
Për këtë arsye, shumë negociata politike dhe ekonomike në Shqipëri dështojnë, meqë palët refuzojnë të dalin prej llogoreve ku janë groposur prej kohësh; ose edhe kur kanë sukses, kjo ndodh për shkak të faktorëve të tillë si shantazhi, korrupsioni, kërcënimi e imponimi nga një autoritet i jashtëm, që nuk kanë të bëjnë shumë me dialogun; ndërsa të tjera negociata përfundojnë me sukses kur palët arrijnë në kompromis, por vetëm meqë binden se kompromisi u vlen më shumë sesa vazhdimi i konfrontimit; jo sepse binden që kompromisi është më i arsyeshëm sesa pozicionet e tyre në pikënisje.
Po të vëresh mënyrën si shtjellohet lufta politike në Parlament, në tribunat e tjera publike dhe në mediat në Shqipëri, nuk mund të mos vësh re se një nga teknikat argumentative që përdoren më shpesh ka të bëjë drejtpërdrejt me gjetjen dhe publikimin e kontradiktave në qëndrimet e kundërshtarit në kohë të ndryshme.
Ngrihet tjetri dhe të kujton se ti vërtet sot po ngul këmbë se amësia e përjashton virgjërinë, ama tetë vjet më parë, kur po bëje fushatë elektorale në Dushk, ishe po ti që deklaroje se virgjëria e përjashton amësinë; ergo, çfarë dreq burri qenke?
Kjo teknikë themelohet mbi një gabim logjik elementar; ose mbi supozimin se ndryshimi në qëndrime dhe në pikëpamje tregon dobësi, hipokrizi ose gënjeshtër; dhe se politikani i mirëfilltë ose "burrnor" është ai që nuk ndryshon kurrë mendim e që nuk bie në gjunjë para realitetit. "Muri lu, burri s'lu", thotë fjala e urtë. Zanafilla e këtij keqkonceptimi duhet kërkuar në mendësinë tonë autoritare tradicionale, e cila gjithnjë gërshetohet me patriarkalizmin më një anë, paranojën e mosbesimit më anë tjetër.
Mirëpo etika që ia zhvesh të drejtën morale ndryshimit, nuk bashkëjeton dot me nevojën për dialog; meqë dialogu në vetvete është i pamundur pa ndryshuar mendim palët e përfshira, për shkak të vetë pjesëmarrjes në të.
Kaq e fortë është kjo kontradiktë, sa praktikisht e bllokon komunikimin normal midis palëve, në një shoqëri që kërkon të jetë pluraliste; meqë dëshira e sinqertë për dialog gjithnjë ndëshkohet nga ajo normë morale që e lexon ndryshimin si simptomë ose provë ligështie ose dyfaqësie; dhe palët kanë frikë të ndërrojnë mendim, sepse kjo do t'u mbahet e përmendet si kapitullim para Tjetrit.
Natyrisht, nevoja më e ngutshme për dialogun si formë komunikimi publik ndihet pikërisht në ato fusha që shtrihen midis hapësirës së rregulluar me ligj ose formalisht dhe hapësirës ku individi mund të veprojë krejtësisht i lirë; pse konfliktet në këtë zonë të ndërmjetme nuk zgjidhen dot duke dërguar policinë ose me rrugë gjyqësore.
Ideja se kjo nevojë mund të mënjanohet, së bashku me ambiguitetin përkatës, duke i shtuar dhe detajuar ligjet, normat dhe rregullat e ndryshme nuk i përgjigjet realitetit; meqë gjithnjë do të vijë një moment kur rregullime të tilla formale do të bien ndesh me lirinë e veprimit të individit, të grupit, ose të institucionit.
Pa folur pastaj për faktin që, historikisht, çdo ligj nuk është veçse produkt i dialogut mes ligjvënësve; dhe dialogun tjetër, më të tërthortë, midis praktikave që e kanë kristalizuar në rrjedhë të kohës; madje edhe kur na duket sikur ligji nuk është veçse një arbitraritet, me të cilin tashmë jemi mësuar, siç mësohet birra me formën e shishes.
Megjithatë, e për t'u kthyer në realitet, në leksikun e sotëm të shqipes publike, fjala "dialog" shpesh mbetet etiketë e ngjitur mbi një flluskë; meqë koncepti i referohet jo aq gatishmërisë për t'iu qasur një zgjidhjeje ose marrëveshjeje në bashkëpunim me kundërshtarin, sesa dëshirës dinake për ta vonuar lojën, ose për të fituar kohë derisa raportet e forcave të ndryshojnë në favorin tonë e ne të mund t'i imponohemi kundërshtarit me forcën e votës, të autoritetit, të shantazhit dhe të kobures.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi