Donik Sallova:Gellneri dhe identiteti shqiptar i Kosovës

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Donik Sallova:Gellneri dhe identiteti shqiptar i Kosovës

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Apr 21, 2009 9:39 pm

Gellneri dhe identiteti shqiptar i Kosovës

Donik Sallova
Elitat e konsumuara

Për studiuesit e shkencave politike, sociologjisë, historisë dhe atyre të filozofisë, ky libër i Gellnerit paraqet një tekst relevant për t’i kuptuar pikëpamjet e një autori modernist për Kombin dhe Nacionalizmin dhe natyrisht, për të shtuar shumësinë e teksteve të munguara në shqip, që e përbëjnë diversitetin e pikëpamjeve dhe kuptimeve të çështjeve që lidhen me Kombin dhe Nacionalizmin. Ata që interesohen për të njohur e studiuar Kombin, Nacionalizmin, teoritë dhe tipologjitë e tyre, te ky libër i Gellnerit do të gjejnë pikëvështrimin tipik të një autori modernist, që bashkë me autorë të tjerë modernistë, përgjithësisht e mbrojnë pikëpamjen se edhe Kombi, edhe Nacionalizmi janë fenomene shoqërore/politike që shpërfaqen në periudhën e modernizmit apo janë produkte a pasoja të kësaj periudhe. Në këtë kontekst Gellneri mendon se Nacionalizmi - e për pasojë Kombi - u paraqitën me fillimin e industrializmit, si një fazë e re e zhvillimit dhe organizimit shoqëror/ekonomik, e për pasojë edhe kulturor e politik. Sipas tij periudha e industrializmit karakterizohet me tendencë të rritjes së njohjeve, rritjes ekonomike, rritjes së lëvizshmërisë së popullsive dhe komunikimit më të lirë, e krejt kjo çon në rritjen identifikimit të dallueshmërive kulturore në mes popujve. Në këtë moment, sipas Gellnerit lind Nacionalizmi, synimi i të cilit është unifikimi i njësisë kulturore me njësinë politike apo kufijtë e shtetit, përmes krijimit të vetëdijes dhe vullnetit për këtë unifikim, të kuptuar si pasojë apo domosdoshmëri të imponuar nga rrethanat e krijuara industriale/ekonomike/zhvillimore. Realizimi i këtij unifikimi shënon themelimin e kombit, respektivisht realizimin e funksionit të shtetit modern, që përkon me shtrirjen e autoritetit centralist të tij në hapsirën kulturalisht homogjene. Duhet theksuar që pikëpamjet e tilla mbi formimin e kombit dhe lindjen e nacionalizmit kundërshtohen nga teorikët primordialistë, të cilët pretendojnë se forma të organizimit dhe unifikimit kulturor e politik të ngjashme me kombin modern, kanë ekzistuar edhe para periudhës së industrializmit e modernizmit.
Përmes një analize karakteristike ai përfundon se dallojmë Nacionalizmin Perëndimor, karakteristik për kombet e Perëndimit dhe i cilësuar si më i butë, si pasojë e pranisë më masive të kulturës së lartë në këto vende. Ndërkaq tipin tjetër të Nacionalizmit e identifikon si Lindor, me prani të gjerë në botën lindore e veçanërisht në Ballkan, të karakterizuar si më agresiv e konfliktual, si pasojë e lindjes së kulturave të reja me pretendime për t’u bërë të larta dhe dominuese. Nacionalizëm i veçantë të cilin e vë në spikamë Gellneri është Nacionalizmi i Diasporës, me të cilin ai më së shumti identifikon izraelitët.
Ideja e Kosovës së pavarur paraqet realizimin e aspiratave nacionale të shqiptarëve dhe ky fakt edhe sipas Gellnerit nuk e cënon synimin/parimin e Nacionalizmit (apo e cenon atë më së paku), pra, ideja kombëtare mund të realizohet në më shumë se një shtet (Gellneri përmend rastin e Britanisë dhe të Zelandës, ndërsa ne do të shtojmë edhe rastet e Greqisë e të Qipros si dy shtete greke apo edhe rastin e Rumanisë dhe të Moldavisë).
Duhet kuptuar gjithashtu se, krijimi i kombit kosovar do të ishte i pamundur, për faktin se Kosova banohet nga kombe të formësuara, nga kombi shqiptar - shumicë - dhe kombet e tjera pakicë. Kombi nuk krijohet duke bashkuar kombe, ai mund të formohet duke bashkuar etni të ndryshme rreth një qëllimi politik, me ç’rast do të formohej një Komb i ri Politik. Edhe sikur Kosova ta kishte popullsinë të formësuar vetëm në nivel etnik, e jo të avancuar në nivel kombëtar, do të duhej që këto etni të kishin konsensusin/synimin politik për krijimin e shtetit, e ky synim politik pastaj do të mund të kthehej në motiv për krijimin e kombit. Argumenti se me krijimin e njësisë së re politike, imponohet edhe krijimi i identitetit të ri kombëtar, nuk është hiç i saktë, sepse Kosova ka qenë njësi politike edhe në Jugosllavi, dhe synimin e saj për ta avancuar statusin e njësisë së vet politike, e ka bërë me qëllimin e vetëm që përmes saj, të garantojë dhe kultivojë identitetin e vet nacional, të dallueshëm nga kombet e tjera të Jugosllavisë. Por, ajo asnjëherë nuk ka synuar që duke e konsoliduar njësinë politike të kultivojë identitet nacional e kulturor të dallueshëm edhe ndaj kombit shqiptar të Shqipërisë.
Përpjekja që të kontestohet uniteti i identitetit kombëtar shqiptar, duke e kuptuar procesin e komb-formimit vetëm si proces të vendeve të modernizuara dhe industrializuara, do të thotë paragjykim dhe mosnjohje e rrethanave të përgjithshme të formimit të Kombeve. Ernest Gellneri në librin e tij “Nacionalizmi”, që pak a shumë është evoluim i pikëpamjeve të shprehura në këtë libër që e kemi objekt recence, konsideron se kombet u formuan edhe në ato zona që ende ishin të pa modernizuara e të pa industrualizuara dhe kjo vinte si vullnet i këtyre popujve për t’u diferencuar/mosasimiluar nga kulturat kombëtare të këtyre vendeve të zhvilluara(që në shumë raste ishin pushtuese). Në këtë drejtim këto vende (p.sh të Evropës Lindore), filluan lëvizjet e tyre politike/kulturore për krijimin e identiteteve të tyre kombëtare. Pra, nëse kombin dhe nacionalizmin i kuptojmë nga këndi i modernistëve, respektivisht me logjikën e modernistit Ernest Gellner, atëherë Lëvizja Kombëtare Shqiptare në krye me Rilindasit tanë, që për synim kishte krijimin e logjistikës kulturore/arsimore për krijimin e kombit, ishte pjesë përbërëse e mozaikut të lëvizjeve nacionale të nisura në Ballkan dhe Evropën Lindore.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi