Agron Tufa:Koha kur kërcënonte Kreshniku

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Agron Tufa:Koha kur kërcënonte Kreshniku

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Sep 08, 2012 8:26 pm

Koha kur kërcënonte Kreshniku

" Me çfarë do të na tërheqë, lehtë, mençurisht, ëmbël, plot vetëbesim drejt një pakti të përbashkët paqeje mes vedi, që ne të bëhemi jo vetëm formë, por trup shoqëror, me shpirt ëndërrues e vetëdijen e zotëve të fateve tona? Me rekuizitën banale të simboleve dhe detit të zërave euforikë, të trafikuara e të përkthyera nga kultura e pafajshme e futbollit kombëtarist? Apo me qelitë, bankat e akuzës dhe gjyqet e frymës komuniste që dënonin në mungesë?"...

Nga Agron Tufa

Deklaratat politike që po bën këto ditë partia “Aleanca Kuqezi” nuk mund të konsiderohen më pjesë e folklorit politik shqiptar. Pavarësisht se edhe më parë dozat folklorike kjo parti e re i ka pasur në doza të majme, me deklaratat e saj AK-së po i ikën edhe pika më fundit e së kuqes së turpit, për të treguar një fytyrë tjetër, gjithë zi e më zi. Lideri i saj, Kreshnik Spahiu, një ish-ekspert i forumeve më të larta shtetërore të Drejtësisë, ish-nënkryetar i KLD-së që ka braktisur profesionin për të konkurruar në politikën e angazhuar me alternativën e vet, duhet të marrë qartë një mesazh nga qytetarët shqiptarë, se po hyn në skenën politike nga dera e pasme nëpërmjet shantazhit publik dhe acarimit artificial të klimës demokratike. Habitem se si z. Spahiu, duke qenë vetë, përgjatë gjithë periudhës postkomuniste, në pozicionet kyçe, titullare të Drejtësisë, nuk shkëlqeu kurrë me asnjë gjest mbresëlënës në dënimin e korrupsionit rozë apo blu; vetëm tash po e shohim të shfryjë shakullin e mbledhur të mllefit primitiv me kërcënime publike, nominale, të drejtpërdrejta. Nuk e kemi parë, pra, z. Spahiu kurrë as në rolin e kalorësit të Drejtësisë për zbulimin, zbardhjen dhe finalizimin e ndonjë procesi të bujshëm të korrupsionit apo trafiqeve të lidhura me biznesin dhe politikën; as në rolin e denonciatorit, ndonëse të pafuqishëm, brenda sistemit (korruptiv) të Drejtësisë dhe, sidomos, nuk e kemi parë kurrë këtë levend politik të ngrejë qoftë edhe një herë, brenda llogores së Drejtësisë ku është kalbur dy dekada, të hapë ndonjë proces a të ngrejë ndonjë akuzë për krimet e komunizmit, siç kanë bërë kolegët e tij bashkëmoshatarë në Europën Qendrore e Lindore. Në kujtesën publike z. Spahiu ka mbetur një profil episodik sa herë ka dalë në ekran me ndonjë deklaratë relativisht kontekstuale dhe mendoj se qerrja e talentit, karrierës dhe nervit të tij të qytetar ka qenë e lidhur me koniunkturat e pushteteve, me të cilat, siç dihet, jo gjithmonë të ecën fjollë. Fryma e akuzave për korrupsionin qeveritar, për mosdënimin e krimit etj., është veçse një autogol politik (në frymën futbollistike të emrit të partisë së tij) i mëvonshëm, kur ai, për një moment, nuk arriti ta mprehë mirë qerren e tij me koniunkturën, siç i ka ecur vaj për 20 vjet. Është e tepërt të flasësh tashmë për krizën e thellë dhe shterpësinë katastrofike të vizionit të tij politik, që të mos zëmë në gojë çështjen e brishtë të identitetit në spektrin e pështjelluar të partive politike shqiptare. Gjithsesi, ajo çka receptohet marrtazi nga klithjet dhe kryqëzatat kaotike të tureve të tij populiste, brenda e jashtë atdheut, në kërkim të një auditori të ardhshëm elektoral, është kuja për gjendjen e rëndë, të shoqëruara me akuza e anatema, pa parashtruar as edhe një ide konkrete si alternativë. Ankesa për “gjendjen e rëndë” ka pasur gjithmonë. Kurrë nuk mbaj mend që bashkëkohësit të kenë thënë “jemi mirë e për mrekulli, lavdi Zotit”, përkundrazi. Por, ama, realiteti është krejt ndryshe nga përqarjet ankestare, dhe mjafton t’i kujtojmë: edhe pse kurrë s’kemi dëgjuar kënd të shpallë “jemi për mrekulli”, shoqëria jonë e tashme është pa dyshim shumë mirë në të gjithë treguesit, krahasuar me vitet nëntëdhjetë apo dy mijë. Evolucioni më i fundit i kulturës së akuzave dhe anatemave të AK-së, të përcjella e të performuara me një nacionalizëm demode, të vrazhdë e të trashë, është kalimi në ligjërata histerike kërcënimi dhe shantazhi, një ligjërim tipik protonazist apo komunist me refrenin “Hakmarrje! Hakmarrje!”. Të gjitha i kemi parë, e të përsëritura tashmë, përbëjnë një bufonadë dalëboje. Me çfarë, pra, do ta luftojë z. Spahiu dhe AK-ja e tij simpatinë e qytetarit shqiptar në një situatë tejet të polarizuar partiake? Me çfarë do të na i rrëmbejë zemrat e qenies sonë politike? Me çfarë do të na tërheqë, lehtë, mençurisht, ëmbël, plot vetëbesim drejt një pakti të përbashkët paqeje mes vedi, që ne të bëhemi jo vetëm formë, por trup shoqëror, me shpirt ëndërrues e vetëdijen e zotëve të fateve tona? Me rekuizitën banale të simboleve dhe detit të zërave euforikë, të trafikuara e të përkthyera nga kultura e pafajshme e futbollit kombëtarist? Apo me qelitë, bankat e akuzës dhe gjyqet e frymës komuniste që dënonin në mungesë? Nuk legjitimohesh dot në psikikën e asnjë zgjedhësi hipotetik duke paralajmëruar ardhjen në pushtet përmes gjyqeve dhe dënimeve që ke në mendje, vetëm në qoftë se shpresat i ke mbështetur në nostalgjinë e këtij populli për një format të djeshëm diktatori. Atëherë, përse duhet që një qytetar normal, që kërkon etikë dhe arsye në fjalën dhe gjestin e një alternative të re politike, përse të mbështesë një lider partie që mëton pushtetin, kur ky tund gjithandej, si paradhënie, dënimet e përjetshme? Mbi ç’bazë? Mbi ç’fakte? Cilat janë kriteret e kësaj drejtësie? Z. Spahiu duhet ta ketë lexuar përgjigjen që jep heroi në baladën e Gjergj Elez Alisë: “… pak pa mbrrijt, baloz, ti m’ke dredhue:/ m’ke lyp’ motrën para se mejdanin,/ m’ke lyp’ berret para se çobanin”. Si duket, z. Spahiu, me Aleancën e vet, që sa vjen e bëhet gjithnjë e më pak e kuqe e gjithë e më fort e zezë, vazhdon delirin duke shënuar gola spektakolarë… ajme, në përfytyrim. Them me vete: Sikur ta kishte pasur z. Spahiu të njëjtin frymëzim, prej dy dekadash, në luftë kundër korrupsionit apo xhelatëve të diktaturës komuniste, me të cilët ka qenë në rreshtuar në falangën parimore të Drejtësisë! Por, ajme! Nga ky front, asgjë të re për vetëdijen e Kreshnikut: paqe e butë, e kadifenjtë zyrash me kolegët ish-xhelatë të djeshëm, konformizëm 20-vjeçar me po ato fytyra të inkriminuara të djeshme e të sotme, silentium, me të tillë nënkuptim… për të njëjtat dukuri negative, të cilat sot i kërcënon dhe shantazhon në frymën e një infantilizmi naiv politik, në frymën “Ah, mbaje mend, se kur të rritem unë… ke me e pa se çfarë kam me t’ba”. Dhe nuk përjashtohet mundësia që z. Kreshnik të rritet, e kur të rritet, mendja e parë që do t’i vijë ka për të qenë – s’është çudi – një aleancë e rrufeshme me ata që tash po i kërcënon me burgim të përjetshëm, 8 vjet burg e përralla të thekura dimri si këto. Dhe ne, veçse shpresojmë që z. Kreshnik të rritet, të rritet sa më shpejt… për qerren e vet, sigurisht, jo për gjë tjetër. E sa për kërcënimet më burg e litar, atëherë, të gjitha këto indisiplinime të parakohshme hormoniale të kreshpçruara politikisht, do të kujtohen në repertorin e gjesteve të tij si “Koha kur kërcënonte Kreshniku”.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi