Semantika e shtetit

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Semantika e shtetit

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Dec 16, 2008 3:17 am

Semantika e shtetit


Shkruan: Ndue Ukaj


 


S'do mend se Kosova e sotme gjendet në një situatë të vështirë, me halle të panumërta e me mundësi të pakta. Në një pozitë të tillë çfarë e kemi, nuk ka sesi të mos shtrohen pyetje e dilema të mëdha, për shtetin tonë, të cilin sapo kemi filluar ta ndërtojmë. Në fakt, analizimi dhe interpretimi i realitetit, s'do duhej të na molepste, përkundrazi do të duhej të na këndellte për të kundruar të tashmen drejt, në mënyrë që ta projektojmë të ardhmen sigurt. Pikërisht kjo gjendje, kur tanimë Kosova po hyn në një proces të ri, ndërsa Misioni i Bashkimit Europian, EULEX po zëvendëson UNMIK un, do të duhej tumirej si moment reflektimi, për të pyetur e përgjigjur, ku ndodhemi ne realisht tash? Çfarë kapacitetesh shoqërore e politike kemi vënë në funksion të ndërtimit të shtetit? Apo imitojmë modele politike verbërisht dhe a po sorollatemi brenda vetvetes duke u vetëkënaqur pafundësisht? Duke u përgjigjur në këto pyetje, dalim tek një dilemë tjetër, thellësisht e rëndësishëm, pra, për të kuptuar e analizuar nëse shoqëria jonë është e vetëdijshme për përgjegjësinë e të bërit shtet? Dhe më tutje, në këtë kontekst, sa është shteti ynë funksional, që të ndihmoj për t'u kuptuar shteti në gjitha nivelet e tij? Këto pyetje, thellësisht përshkojnë gjendjen e vendit tonë, përpëlitjet e mundimshme për t'u konsoliduar dhe ambiciet për të qenë një shtet i suksesshëm. S'do mend se perspektiva e shtetit të Kosovës nuk është e zymtë, por lypset që proceset e brendshme t'i dimanizojmë, në mënyrë që e ardhmja jonë deri tek integrimi në perëndim, të kaloj në rrugë sa më të shpjet. Dhe kjo mund të ndodh vetëm atëherë kur do të ndodheshin transformimet esenciale brenda vendit tonë, në mentalitet dhe kulturë, ne politikë dhe ekonomi. Pra, shikuar në përgjithësi gama e problemeve tona duket e gjerë, ndërkaq nga klasa politike dhe shoqëria jonë kërkohet që këto procese t'i kalojmë shpejt. Prandaj, në mënyrë që të sendërtojmë sa më shpejt idealet e kamotshme për liri të mirëfilltë, për demokraci të mirëfilltë, për shtet ligjor të mirëfilltë, për mirëqenie të përgjithshme, lypset gjitha potencialet e vendit të akumulohen drejt së mirës së përbashkët. Kjo do të duhej të kuptohej si intenca e parë, për të cilën gjë duhet të vetëdijesohet së pari klasa politike, e së këndejmi gjithë shoqëria. Andaj, në mënyrë që vendi ynë të hyjë në një proces të mbarë, të konsolidojë radhët shtetërore, pikësëpari lypset ta ketë tablop reale të vendit, në mënyrë që pastaj të mund të identifikojë gjitha të ligat për t'u kuruar më pas ato. Kjo tablo, pa kurrfarë ekzagjerimesh, megjithë rezultatet sipërfaqësore, mbetet njëherë për njëherë tejet e zymtë. Prandaj njohja e kësaj pamje në hollësi, vetëdija e mbrehtë kritike, krijon mundësi që e ardhmja të shihet prej pozicionit real, pa megalomani, iluzione dhe vetëmashtrim të tepruar. Zaten nëse e analizojmë jetën praktike të qytetarit të Kosovës, fare lehtë mund të konstatojmë se ajo është tejet e zymtë, me halle të shumta e shpresa të pakta. Në të vërtetë, Kosova e karakterizuar nga një amulli e tërësishme politike e shoqërore, ka përpara vetes sfida të shumëfishta. Një ndër më të rëndësishmet mbetet njohja dhe kuptimi i semantikës së shtetit, në mënyrë që shteti të mos komprometohet dhe keqkuptohet. Duke e kuptuar vlerën sublime të shtetit, ne do të dimë të kontribuojmë për të, por njëkohësisht do të dimë ta ruajmë atë. Dhe tanimë kur shteti nuk është më ide, nevojë, dëshirë që thirret nëpër konferenca e takime me diplomat, por praktikë e paanashkaluar, shohim se konsolidimi dhe organizimi i mirëfilltë i tij nuk është fare i lehtë, përkundrazi ai ka filluar me çalime të shumta. Mbase sendërtimi i shtetit, duke qenë sfidë krejt tjetërfare nga që e kemi projektuar, tani na ka hedh para shumë të panjohurave. Në këtë aspekt një çështje e vështirë për Kosovën e ardhme, mbetet transformimi dhe reformimi i klasës politike. Në realitet, Kosova ka trashëguar një gjendje të rënd politike, një elitë të formësuar vetëm në teori dhe filozofizma pa përmbajtje reale politike. Një klasë të ndërtuar në padije dhe injorancë totale, parti politikë që janë konglomerat idesh e ideologjish pa esencë. Ndërkaq, pikërisht ky brez sot ka mbi supë një barrë të jashtëzakonshme, ndërtimin e shtetit në praktikë. E formësuar vetëm me teori, kjo klasë politike e ka vështirë të manifestoj dije praktike për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit funksional. Shikuar realisht, kjo përbën një ndër sfidat më të vështirë, e cila s'mund të kapërcehet fare lehtë. Shkaqet sa janë të kuptueshme, aq duken banale. Klasa politike në Kosovë, ashtu sikundër jeta politikë në përgjithësi, nuk ka bërë përpjekje serioze për të ndërtuar parti të mirëfillta politike, me ide e programe të realizueshme. Ndaj vërehet haptas mungesa e kapaciteteve njerëzore për të kuptuar shtetin, së këndejmi për ta ndërtuar atë. Mosvlerësimi i kësaj sfidë dhe mosvlerësimi i situatës së pas pavarësisë, për mendimin tim e ka çorientuar jetën politike përgjithësisht. Për ta komplikuar më shumë këtë, klasa politike tek ne ka bërë një lloj shkëputje me elitat e mirëfillta, në vend që të ndodhte e kundërta. Ajo është tkurrë në geto, duke mos çarë fare kokën se çfarë ndodh në realitetin konkret. Prandaj sot, jeta politike e shoqëroren Kosovë, vazhdon të ndërtohet me divergjenca jo të shëndosha, në luftë të pakompromis për ndikim. Ky model politikë ka fuzionuar dhe funksionon në harmoni të plotë me nepotizmin, i cili vërehet në gjitha nivelet e ndërtimit të shtetit. Ndërtimi i shtetit nuk bëhet me nepotizëm, me vlera të dyshimta të bazuara në dofarë të kaluarash të pakuptimta, në referenca pa përmbajtje e të rrema, në retorikë boshe dhe frazeologji odash. Shteti ndërtohet me dije dhe kapacitet njerëzore. Më tutje, ndërtimi i shtetit të mirëfilltë, bëhet me sjelljen e elitave, e atyre elitave të cilat mund t'i sjellin impakt zhvillimit dhe konsolidimit të mirëfilltë të shtetit. Kjo deri me tani shohim sheshazi se s'ka ndodh. Në gjithë këtë situatë tejet delikate, masmediat, politika e çorientuar, ngarendin që për çdo mossukses apo mos aftësi për të zgjidh problemet, të hedh fajin diku tjetër. Kjo logjikë ka prodhuar një pandehmë të politikës së improvizimeve dhe mashtrimeve, deri në absurd. Rezultat e kësaj mungojnë debatet e shëndosha, përmbajtjesore e qëllimmire. Në fakt, edhe ato pak debate që bëhen, kanë si tendencë më tepër persekutimin, ndëshkimin, hedhjen e fajit ndokujt, e shumë pak ose fare nuk janë të prirura nga krijimi i alternativave politike e kulturore të shëndosha dhe vizionare. Kësisoj, Kosova vazhdon të përdoret e manipulohet në mënyrën më të paskrupullt, si një terren i përshtatshëm, në të cilin grupet e caktuara realizojnë qëllimet e tyre sekondare, madje paturpësisht. E mira e përbashkët, që është paradigma dhe baza e qytetërimit perëndimor, këtu nuk ekziston. Ndaj edhe problemet tona, dalin më të vështira se kudo tjetër. ╙shtë për të ardhur keq se si ende në Kosovën e varfër, pa rrymë, pa ujë, pa përkujdesje të duhur shëndetësore, me një politikë dhe politikaj të korruptuar, me një sistem edukimi që është në fundojse, vazhdohet të manipulohet dhe luhet pafundësisht me tema e terma të mëdha patriotike. Një patetizëm që Kosovës po i shkakton dëme të mëdha. Në fakt, Kosova po përdoret si reminishencë politike, patriotike, mbase ajo po përdoret si arenë e përshtatshme për të shfryer epshet e tyre gjithë ata që synojnë të merren me punët e kombit. Kosova ditëve të fundit sërish ka dëshmuar se vërtet është një vend fragjil, me problemet të larmishme, të cilat janë të mundshme kurdoherë të shpërthejnë. Kjo gjendje ka krijuar një depresion politikë kolektiv dhe për shumë kënd ka shuar iluzionet se gjitha punët në Kosovë po vajnë si është më së miri. Tanimë kryefjala e bukur e politikës shqiptare, e përdorur për dekada, pavarësia, çdo ditë e më tepër po merr konotacione të shumëfishta e reale, pse të mos themi dëshpëruese, shqetësuese, duke u përkthyer me hallet e përditshme të njeriut tonë. Në fakt, gjithë kjo amulli dhe paqartësi që e shoqëron jetën në Kosovë ka krijuar një tip të politikës që aq shumë i ngjason mendimit të Hobsit: "lufta e çdo njeriu kundër çdo njeriu". Pikërisht kjo s'do të duhej t'i ndodh Kosovës, ngase ajo ka nevojë që gjitha potencialet të përbashkohen rreth idealeve të përbashkëta. Koha nuk pret, andaj duhet të shfrytëzohet maksimalisht.

avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi