LETËR E HAPUR E KËSHILLIT STUDENTOR TË UNIVERSITETIT TË SHKODRËS DREJTUAR SHKRIMTARIT TË MADH ISMAIL KADARE RRETH ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

LETËR E HAPUR E KËSHILLIT STUDENTOR TË UNIVERSITETIT TË SHKODRËS DREJTUAR SHKRIMTARIT TË MADH ISMAIL KADARE RRETH ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat May 26, 2012 1:06 pm

LETËR E HAPUR E KËSHILLIT STUDENTOR TË UNIVERSITETIT TË SHKODRËS DREJTUAR SHKRIMTARIT TË MADH ISMAIL KADARE RRETH ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT








KESHILLI STUDENTORUniversiteti i Shkodrës
"Luigj Gurakuqi"
Dt.26-05-2012

LETËR E HAPUR


Ø Drejtuar: Shkrimtarit të madh shqiptar, Mjeshtrit Ismail KADARE

Ø Lënda: Për çështjen aktuale politike të zgjedhjes së Presidentit të Shqipërisë


Fort i nderuar Mjeshtër,



Ju lutemi të pranoni në emër të studentëve të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi'' përshëndetjet më të ngrohta dhe të sinqerta. Urojmë, përmes kësaj letre të hapur, shëndet të plotë dhe sa më tepër lumturi pranë njerëzve Tuaj të dashur.

Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) i bindur në vlerat Tuaja letrare dhe në kontributin Tuaj kombëtar shpreh mendimin e mëposhtëm:

Ne, duke besuar në vlerat tuaja reale: letrare, artistike, kulturore, patriotike dhe humane, jemi të bindur plotësisht se Ju jeni njeriu i duhur në kohën më të pafavorshme, që keni në duar fatin e së ardhmes së vendit të shqiponjave dhe popullit të vuajtur shqiptar. E kaluara komuniste dhe kinse demokracia e sotme në vendin tonë e kanë sfilitur deri në palcë njeriun e ndershëm shqiptar, duke e ulur malsorin jo vetëm përpara kokrrës së misrit dhe qytetarin përpara ryshfetit të ditës, por duke e zhveshur krejtësisht me çka ka njeriun-shqiptar: duke e katandisur në mjerim dhe vuajtje sociale, pamundësi arsimore, liri dhe shprehje të kufizuar dhe dhunë verbale ndaj antikonformizmit etj. Kjo kohë e turbullt, e paqartë për ne shqiptarët, e krijuar nga një politikbërje aspak produktive dhe e papërgjegjshme për fatin e kombit tonë, kërkon një drejtim të ri, krejt ndryshe nga sa jemi mësuar deri më tani. Koha dhe situata ju thërret Ju. Ne kemi besim te përgjegjshmëria Juaj.

I dashur Mjeshtër vini në veprim ndjenjat tuaja të çilta, atdhetare dhe mendjen e hollë intelektuale për t'i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve dinjitetin që u takon brenda Europës së Kombeve.

I respektuar Mjeshtër, Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) beson te forca e vullnetit dhe angazhimit Tuaj për t'i ardhur në ndihmë popullit tonë shqiptar. Ngërçi politik dhe monopolizimi i jetës parlamentare e institucionale shtetërore nga dy forcat e mëdha politike në këto mbi 20 vite demokraci (PD dhe PS) kanë krijuar gjendjen e sotme politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, madje të paqartë edhe nga pikëpamjet e vlerave demokratike. Zgjedhja e presidentit të ardhshëm të vendit tonë paraqitet një proces delikat, i ndërlikuar dhe me shumë gjasa edhe i njëanshëm politik: me pasoja të rënda për demokracinë dhe zhvillimet e mëpasme të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve në vendin tonë.

Zoti Ismail Kadare, të nisur nga ndjenjat e larta patriotike dhe me synimin e vetëm për t'i ardhur në ndihmë si dhe sa mundemi vendit dhe qytetarëve tanë, ju shprehim mendimin tonë se ndërhyrja Juaj në këtë situatë të rëndë për fatin e demokracisë së vendit tonë është një domosdoshmëri urgjente. Nga ana tjetër ne shprehim konsideratën tonë të thellë se profili Juaj është profili i një Presidenti të Republikës së Shqipërisë. Jepjani këtë kënaqësi shqiptarëve të ndershëm dhe interesave të tyre kombëtare!

Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) shpreh falenderimet e tij për vëmendjen Tuaj kundrejt kësaj letre të shkurtër dhe të sinqertë, qytetare dhe fisnike. Ne besojmë në vlerat Tuaja intelektuale dhe më gjerë, ndaj shpresojmë dhe besojmë se Ju do të dini fort mirë t'i përgjigjeni si duhet realitetit dhe kërkesave aktuale të vendit tonë.

Shkëlqesia Juaj! Ju jeni presidenti që i duhet shqiptarëve: të ndershëm, intelektual, patriot dhe proeuropian. Ju jeni ndër thesaret më të çmuara të Shqipërisë së vërtetë: krenare për vlerat e saj ekzistenciale. Ju jeni një ndër ambasadorët më të shkëlqyer të vendit tonë, ju jeni e shkuara dhe e ardhmja, tradicionalja dhe modernja.

O burr i shqipeve, o shkrimtar i madh, po e mbyllim me shpresën që na keni kuptuar drejt në këtë letër të shtyrë nga dashuria e madhe për vatanin. Qofsh mirë dhe të urojmë jetë të gjatë e të lumtur!


KRYETARI

Redan BUSHATI

Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve: 33680
Age: 59
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi