ENVER BYTYÇI:“Mëkati” nacional i vetëvendosësve dhe kuqezinjve

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

ENVER BYTYÇI:“Mëkati” nacional i vetëvendosësve dhe kuqezinjve

Mesazh nga Agim Gashi prej Thu Oct 27, 2011 11:38 am

“Mëkati” nacional i vetëvendosësve dhe kuqezinjve



ENVER BYTYÇI


26/10/2011

Para disa kohësh një sasi boje e kuqe e vetëvendosësve e kishte nxirë rektorin e Universitetit të Prishtinës. Disa të rinj të kësaj partie parlamentare në Kosovë e kishin dhunuar profesorin në sy të studentëve, duke dëshmuar një akt të pashembullt në opozitarizmin e Kosovës. Askush nuk ishte distancuar prej këtij veprimi të dhunshëm nga pikëpamja fizike, psikike dhe morale, as kreu i “Vetëvendosjes”, as dikush tjetër që e përfaqëson këtë parti. Pardje të njëjtët njerëz kanë hyrë në sallën ku zhvillohej tryeza e diskutimeve për liberalizimin e vizave dhe kanë fyer ministrin e Brendshëm të Kosovës Bajram Rexhepi. Kanë fërshëllyer, kanë bërë zhurmë, kanë imponuar sjelljen e tyre të ngjashme me sjelljen kundrejt rektorit dhe më pas janë ankuar se policia kishte ushtruar dhunë kundër personave autorë të ngjarjes së turpshme. I pranishëm në këtë skenë dhune e turpi ka qenë edhe ambasadori i Francës, Zhan Fransua Fitu. Ai ka reaguar shumë ashpër rreth ngjarjes, duke thënë: “Kjo është Evropa e vitit 1943, ky është fashizëm. Vendi im, Franca, dhe Evropa nuk e pranojnë këtë frymë.” Dhe më pas ka shtuar: “Kjo është Bavaria. Ky është Hitleri i vitit 1943. Kosova nuk ka nevojë për këto gjëra, vendi im nuk ka nevojë për këtë, dhe as Evropa.”

Unë jam nacionalist dhe mburrem e nuk turpërohem aspak kur dikush me ironi apo me sinqeritet më prezanton si të tillë. Druhem se nuk e meritoj këtë atribut, sepse askush nuk mund të bëjë për kombin e tij më shumë sesa atdheu, vendlindja, shoqëria, familja i jep një personi. Ndaj dhe nuk mund të rri pa reaguar kur një grup aventurierësh thirren në emër të “Vetëvendosjes” për ta çmontuar vetëvendosjen e shqiptarëve. Nuk mund të hesht kur një grusht njerëzish, bashkëkombës të mi, thirren në emër të kombit e të flamurit për të na përdhosur e për të na denigruar në sy të Europës. Aq më pak mund ta bëj këtë kur unë e di se si na kanë denigruar akademikët, politikanët dhe priftërinjtë e Serbisë për një shekull, duke filluar nga Cvijiçi, Gjorgjeviçi, Pashiçi, Cubrolloviçi, Andriçi, Rankoviçi e duke përfunduar te Shejsheli, Milosheviçi, Koshtunica, Tadiçi dhe içët të tjerë të djeshëm e të sotëm serbë. E para se nacionalistët shqiptarë, themeluesit e kësaj filozofie, e dënojnë këtë lloj sjellje e fryme. Ata e kanë përcaktuar Europën si modelin e vlerave të sistemit zhvillimor të shqiptarëve. Atëherë ishte Europa, sot për më tepër është Amerika më shumë sesa Europa. E dyta se shqiptarët në një shekull i kanë provuar metodat e aventurës dhe kanë korrur furtunën dhe padrejtësinë, ndarjen dhe përçmimin e asaj pjese të botës së civilizuar që kishte autoritetin vendimmarrës për ne. Ende sot kjo vendimmarrje është dhe mbetet përsëri e kondicionuar nga faktori ndërkombëtar. Për t’u shpjeguar rreth kësaj, unë kam shprehur gjithnjë qëndrimin tim se faktori ndërkombëtar në kohën e sotme vepron mbi bazën e tre komponentëve: faktorit shqiptar, i cili nuk guxon të bëjë lëshime dhe të shfaqë pavendosmëri; ekuilibrit të forcës midis aktorëve në konflikt; interesit rajonal, kontinental dhe global, çfarë përkthehet në nevojën për paqe, stabilitet, qetësi e maturi.
“Vetëvendosja”, ashtu si dhe Aleanca Kuqezi në Shqipëri, janë shfaqur, së paku deri tani, si dy organizata politike të të njëjtit model, me frymëzim të majtë, madje ekstremisht të majtë. Prandaj vetëvendosjes nuk do t’i shkonte plotësisht krahasimi që ka bërë ambasadori francez Fitu. Ka pasur plot shembuj të tjerë në Europë, në Rusi, në Shqipëri e deri në Kinën e Revolucionit Kulturor, ndoshta dhe në Kamboxhian e Pol Potit, me të cilat Fitu mund të operonte në shembujt krahasues për veprimin e vetëvendosësve. Por le të kthehemi te thelbi i çështjes:
Lëvizja, ose partia “Vetëvendosja”, nëse i përmbahemi emërtimit që ajo ka marrë, do të duhej të kishte një mision tjetër, më fisnik, më pranues, më të logjikshëm dhe më burrëror. Nëse i përmbahemi parimit sipas të cilit vetëvendosja është rezultat i një identiteti të caktuar, të dallueshëm nga identitetet e tjera rrethuese, atëherë do të shkonim te përfundimi se partia, ose lëvizja “Vetëvendosja” do të duhej të ishte pjesë e përpjekjeve për të forcuar identitetin e kombit shqiptar. Ndoshta vetëvendosësit e Kosovës dhe kuqezinjtë e Shqipërisë mendojnë se i janë përkushtuar pikërisht këtij qëllimi, pra forcimit të identitetit shqiptar. Megjithatë, nga mënyra e veprimit, nga aktet që ndërmarrin, nga njëanshmëria në qëndrimet politike, nga përmbajtja e veprimtarive dhe diskurseve më rezulton se të dyja këto organizata politike, që kanë përkrahje në një masë të caktuar të shqiptarëve, të kenë manipuluar pikërisht me etiketën që ato i kanë vënë vetes. Një fjalë e urtë popullore na ka mësuar që njerëzve të mos u shohim gunën, por punën. Domethënë që ata të mos i vlerësojmë nga veshja, nga emri që i kanë vënë vetes, nga forma me të cilën shfaqen, por nga përmbajtja e veprimtarisë së tyre. Pardje, ashtu si dhe në raste të tjera, “Vetëvendosja” ka dëshmuar se dëshiron t’u japë shqiptarëve një identitet tjetër nga identiteti që kanë predikuar të mëdhenjtë e nacionalizmit shqiptar: identitetin e arrogancës, përçarësve, të njerëzve egoistë, që përveç egos së tyre nuk njohin partnerë, aleatë, kundërshtarë, diversitete, të kundërta. Mesazhi i veprimeve të vetëvendosësve dhe kuqezinjve është shpeshherë i kornizuar si mesazh i injorimit të ekzistencës së të tjerëve dhe absolutizimit të rolit të vetvetes. Kjo mënyrë e perceptimit të veprimtarisë politike e nacionale në kohët e sotme, ashtu si në të kaluarën, e ka dëmtuar identitetin shqiptar. Në fund të fundit, identiteti nuk është një pako si dhuratë, të cilën e blen, e zbukuron dhe ia jep dikujt. Identiteti nuk është gjithashtu një kufi i koracuar, që njerëzit dhe vlerat e tyre i mban në kafaz. Identiteti është shumë herë më tepër se kaq. Një person, një bashkësi, një fshat, një lagje, një qytet, por dhe një shtet e një komb, nëse janë fisnikë, luftojnë që përballë dikujt tjetër, qoftë ky dikushi njeri apo bashkësi njerëzish ose kombesh, të jenë vetvetja dhe të marrin komplimentet e domosdoshme për vlerat që shfaqin, për diturinë, maturinë dhe mënyrën si i mbrojnë këto vlera. “Vetëvendosja” në Prishtinë dhe kuqezinjtë në Tiranë nuk më duket se kanë shtuar ndonjë aset në formimin dhe forcimin e identitetit të shqiptarëve. Idetë që ata shfaqin më duken arkaike dhe folklorike, mënyra se si sillen është ekstremisht e papranueshme, fjalimet që mbajnë janë patetike dhe populiste. Dhe ajo çfarë më shqetëson më shumë ka të bëjë me faktin se kjo nuk vjen për shkak të injorancës që përfaqësuesit dhe udhëheqësit e këtyre dy lëvizjeve mund të kishin. Kjo buron nga qëllimet politike që ata ndjekin, domethënë nga nevoja për t’u promovuar në spektrin politik shqiptar, nga egoja e konkurrencës politike dhe sfidës së kundërshtarit. Dhe si kundërshtar të vetëm e të përditësuar kanë piketuar vetëm qeverinë dhe qeverisjen. Askush tjetër përveç ministrave nuk është bërë tabelë qitjeje ose objekt kritikash, edhe pse ka plot segmente të tjera shtetërore e joshtetërore që gabojnë çdo ditë e çdo javë në planin e strategjisë kombëtare. “Vetëvendosja” dhe kuqezinjtë, për të arritur qëllimin për pushtet dhe jo për identitet nacional, aq më pak për vetëvendosje, “sakrifikohen” ekstremisht, më pas bëjnë rolin e viktimës, më tej provokojnë përsëri, derisa t’i shtojnë diçka kapitalit politik për konkurrencë politike e aspak kombëtare.
Nëse këto dy forca politike do të vinin në pushtet, do të dëshmonin një frymë autoritare të llojit të diktaturave dhe do ta sundonin Shqipërinë ose Kosovën me dorë të fortë, duke injoruar parimet e demokracisë dhe të lirisë. Veprimi i pardjeshëm në Prishtinë do të mjaftonte që të mund të shihej se i vetmi parim i “Vetëvendosjes” dhe kuqezinjve është imponimi me forcë i pikëpamjeve të tyre, ose krijimi i një skene për shou televiziv, me qëllim që të shtohen simpatizantët e tyre. Por një mënyrë e tillë aksionizmi nuk e ndihmoi Edi Ramën, edhe pse ai dy vjet radhazi përdori mekanizmin e bllokimit e të bojkotit, të protestave dhe të dhunës mbi institucionet e shtetit.
Parë në planin tradicional, akti i vetëvendosësve mund të vlerësohet si mohim i traditës. E nëse vetëvendosjes i heqim traditën, atëherë e ia heqim mundësinë një kombi për të qenë i aftë të vetorganizohet e vetëqeveriset. Kuvendet shqiptare në asnjë kohë nuk ka mundur t’i dhunojë dikush nga brenda ose nga jashtë. Sesionet, konferencat, simpoziumet janë në kohën e sotme kopje e kuvendeve, sepse nga këto organizime përcaktohen politika të caktuara, strategjitë e zhvillimit dhe rrugët e progresit. Pardje vetëvendosësit e Prishtinës kanë dhunuar një institucion tradicional e modern, shqiptar e ndërkombëtar. Pikërisht për këtë ata i kanë dhënë Kosovës një pamje të shëmtuar të identitetit, duke e përçudnuar atë në sy të botës. Me këtë akt ata pesë apo dhjetë njerëz kanë dhënë efekte domino pikërisht në atë pjesë të përcaktimit që kanë, në vetëvendosjen e shqiptarëve. Po të ishte se shqiptarët do të vetëvendosnin dhe do të zhvilloheshin me veprime ekstreme si ato të pardjeshmet kundër ministrit Rexhepi, atëherë Shqipëria do të mund të ishte parajsa e botës në kohën e diktaturës komuniste. Ne tashmë e kemi mësuar faktin tronditës të mungesës së identitetit që na kishte shkaktuar izolimi, përçarja, lufta kundër njëri-tjetrit dhe mungesa e harmonisë në mendime dhe veprime. “Vetëvendosja” dhe kuqezinjtë vetëm se po na sjellin ndër mend atë çfarë ka ndodhur para njëzet vjetve dhe çfarë na pret nëse këta ekstremistë të fshehur pas flamurit do të vinin në pushtet. Përdorimi i simboleve kombëtare për qëllime politike është mëkati më i madh i atyre që duan të konkurrojnë në një demokraci. Në këtë rast gjithkush do të zhgënjehej, sepse fati i shqiptarëve nuk është i ndarë nga fati i botës që na rrethon. Shqipëria dhe Kosova nuk janë vende që jetojnë në një shkretëtirë pa fund dhe nuk shihen, nuk monitorohen e nuk vlerësohen nga të tjerët, duke filluar nga fqinji e deri përtej Atlantikut. Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë tashmë për ta ushtruar vetëvendosjen me parimin e vlerave, sepse ndryshe ato nuk do të mund të konkurronin. Madje, me ato vlera që na shfaqin vetëvendosësit e kuqezinjtë do të mund të falimentonin si shtet e si komb.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi