Minella Gjoni:"KAPETANATA E BREGDETIT" Mësues i Merituar Minella Gjoni

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Minella Gjoni:"KAPETANATA E BREGDETIT" Mësues i Merituar Minella Gjoni

Mesazh nga Agim Gashi prej Wed Sep 28, 2011 9:26 pm



Minella Gjoni:"KAPETANATA E BREGDETIT" Mësues i Merituar Minella Gjoni

HYRJE

Bregu i Detit Nivicë- Bubar- Palasë, me kryeqendër Himarën 3000- vjeçare është një krahinë heroike që në shekuj i ka rezistuar invazionit të huaj. Nuk kanë qenë vetëm malet e larta e humnerat e frikshme që penguan armikun të mos shkelte Bregdetin. Nuk do të mjaftonte trimëria e luftëtarëve të regjur që të ruhej liria e fituar e të mos prekeshin venomet, në qoftë se ajo popullsi nuk do të kishte një organizim shoqëror aq të aftë e aq të qëndrueshëm, sa të përballonte me sukses forcën shtypëse ushtarake të Perandorisë Osmane. Ndryshe do të ishte mbytur në vorbullën e anarkisë.

Objekti i këtij punimi është Kapetanata e Bregdetit të Jonit shqiptar. Kjo sepse është e njohur kjo Krahinë për numrin e madh të kapedanëve. Dhe për vetë specifikat historike që ka pasë Bregdeti gjatë gjithë historisë së tij deri në fillim të shekullit XX, ka bërë të mundur krijimin dhe institucionalizimin e “Kapedanit” dhe “Kapetanatës”. Pra, tërësia e Kapedanëve bashkë me kontributet e tyre luftarake, organizative, inteligjencën e marrëdhëniet e tyre me vendlindjen dhe Krahinën, me ndikimet deçizive në lidhjet e zgjidhjet e marrëveshjeve me mbretëri e perandori të mëdha të kohës përbëjnë Kapetanatën e Bregdetit.

Himara, me rrethinat e saj, është nga qendrat më të vjetra të banimit në Bregdetin Jonian shqiptar. Ka qenë i banuar qysh në shekullin XII p. l. K. Këtë e dëshmojnë qartë gërmimet arkeologjike, varret dhe qeramika në kalanë e Badhrës në Borsh e shek. XII p. l. K. Pasojnë kalaja e Himarës e shek V - IV p. l. K, kalaja e Sopotit e shek. IV p. l. K, kalaja e Karosit dhe e Dhoknës e shek III - II p. l. K.[1] Emrin e saj Kimera e përmend Homeri te “Odiesea”. “...nga Perëndimi,/ kur rrugët e i mbulojnë hijet e natës,/arritëm në kufijtë e oqeanit,/ku truall e banesa kanë kimerët./Jeton ky popull krejt mbuluar me mjergull /edhe me re, pëlhurë që kurrë s'e çan/të thuash një rreze dielli, as kur ky /i ngjitet qiellit as kur zbret nën dhe./Mbi ata të mjerë kish rëne nata e amshuar..."[2] Emri i saj gjendet në listën e Teodorokëve të Delfit për Epirin, të cilët ishin lajmëtarë që dërgoheshin në krahinat fqinje për të njoftuar zhvillimin e lojërave greke. Nga kjo listë, e datuar midis viteve 220- 189 p.l.K., merret vesh se Thoras Thrasimahos K. (en Kemarai Thoras Thrasimahos K) qe dërguar në Himarë për të dhënë lajmin e zhvillimit të lojërave mitike në Delf. Dy shekuj më vonë shkrimtari romak Plini e përmend Himarën si Kështjellë të Epirit, me emrin Chimera (lat. In Epiri ora castellum in Akrocerauniis Chimera).[3]

Në trajtën Himairai, ajo përmendet në shek. VI pas K. nga Prokopi i Çezaresë, si një nga kështjellat e rindërtuara prej Perandorit Justinian.[4]

Në listën e vendeve të fortifikuara të Epirit që jep studiuesi anglez N. Hammond, kalaja e Himarës shënohet si kështjellë me muret rrethues midis 500- 1000 m gjatësi.[5]

Vendosja e qendrës së Peshkopatës së Himarës qysh në shek. VIII pas K. dëshmon për atë se ajo ka qenë qendër tepër e rëndësishme në Bregdetin Jonian. Për vlerat që pati kjo kryeqendër, me emrin e saj u pagëzua gjithë Krahina që përfshinte Bregdetin, Kurveleshin, Lumin e Vlorës deri në Lekël të Tepelenës. Në vitin 1020 dokumentohet se Peshkopata e Himarës varej nga Kryepeshkopata e Ohrit (Regione ed episcopate di Chimara).

Sipas një tradite të vjetër, e ndjekur nga autorë të huaj, që ka vazhduar deri vonë, u përdor në shkrime emri gjeografik Malet Akrokeraune në vend të Himarës. Në ndonjë dokument të shek. XIII krahina e Himarës del me emrin Begenetia, zanafillën e të cilës s’e njohim, por duke qenë emërtim i huaj nuk pati përdorim të mëtejshëm.[6]

KAPETANATA

Fjala “kapedan” ndodhet e shkruar qysh herët te vepra “Meshari” e Gjon Buzukut. E përshtatur gjerësisht “kapetanjë” a “kapedan” quhej kryetari i një çete a i një ushtrie si kombanant i një kompanie a skuadroni kavalerie. Ky emërtim lidhet me latinishten e hershme “capitanens”, në italishten e vjetër “capitanio”, apo në venecianishten e vjetër “capitagno”. Kjo fjalë është e përhapur, e pëlqyeshme dhe për atë që e meriton një lloj krenarie individuale, duke qenë i nderuar dhe i respektuar për ata që i rrethojnë. Emërtimi “Kapedan” në fshatin Nivicë – Bubar është kthyer në mbiemër fisi, ashtu siç është kthyer dhe emërtimi i fisit “Duka, Dukshi, Duklasku, Duktodhri”. Duhej shumë mençuri e shumë dyfek që ta meritojë këtë titull.

Çdo epokë, çdo luftë në Bregdet ka pasë kapedanët e vet. Është e përhapur kjo fjalë në çdo fshat bregdetar se çdo fshat ka nxjerrë kapedanët e tij. Sikurse ka dhe një fshat në Bregdet, Qeparoi, që i thonë “fshati i kapedanëve”, emër privilegj, i fituar me shumë gjak e sakrificë.

Kapedanët kanë qenë krenaria e Krahinës, krenaria për çdo fshat, por dhe krenari fisi. Nuk mblidhej Krahina apo fshati që t’ua jipte këtë titull. Ai vinte natyrshëm, duke fituar besimin e bashkëfshatarëve e bashkëkrahinarëve të tij. Prova e parë jepej në Kuvende, të cilat nuk ishin të rralla, sa herë kërcënohej Krahina e Bregdetit. Mënyra si fliste kapedani në Kuvend, sa qe i zoti ti dëgjohej fjala, sa qe i zoti të mirrte rreth vetes sa më shumë luftëtarë e cilësonte atë të parë, kapedan, komandant. Prova e dytë qe fusha e betejës. Nëse ai, kapedani, merrte përsipër të ishte çelëtar, do të ndodhej në ballë të luftës me shpatë a me dyfek në dorë e të qe një organizator i rrallë për të dalë gjithmonë fitimtar në betejë.

Ata nuk ishin qenie mitologjike, por luftëtarë mes luftëtarësh. Megjithatë, për popullin që i vlerësonte bëmat e tyre, ata ktheheshin në legjendë. Epitetet: “kapedani me lezete, kapedani me fletë, protopar në vilajete, kapedan me pallë, kapedan përmbi beja, kapedan me sputhi, kapedan përmbi ta” etj. sjellin madhështinë e secilit kapedan mbi të tjerë. U ka pëlqyer në Bregdet që kapedanët të qenë me fustanellë me pallë, të fortë si shkëmbi, të shpejtë si tramundanë, burrë me pallë, sorkadhi që lëshon zjarr, kambribardhë, kalander, stipendier me stoli. Gjithmonë kapedanët janë të hipur në kalë, në fregadhë, luftëtarë të paepur si në stere dhe në det.

Kapedanët e Bregut janë ata që në shekuj e kanë sfiduar armikun. Thuhet:
“Mos më dil përpara kalit/ Se të marr lulen e ballit”.

Janë nga ata që kanë luftuar për vatan, se sa “për besën e Venetisë, që është si besa e rruspisë” që i thonë Papës: “Po të duash na jep dorë, ti vemë turkut sinorë”, “Janë gjeneralë me të rënda, që një herë i kish bërë mëma”. Janë “burra me sqimë, kur dëgjojnë kërcëllimë, nisen me sokëllimë”. Janë “të gjatë si qiparisi, të fortë si dru lisi”, që “mbajnë kallamaret me penë dhe gjuhën që lidhte dhenë”. Mençuria dhe zgjuarsia e tyre janë të treguara në vendimet e drejta të marra në situata të vështira, në shtruarjen dhe zgjidhjen e shqetësimeve, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që janë hasur, por që janë përballuar.

Në kohë e situata të veçanta Krahina e Himarës shumë herë është vënë para alternativës për mbijetesë. Burrat e gratë, trima e të mençur, u kanë thënë “jo” atyre që i shfaqeshin si hije e zezë në kufijtë e Krahinës.

Ndonëse nuk i kemi të plota listat e të rënëve në shekuj, kemi plot të dhëna mbi datat historike, ngjarjet dhe ata që i drejtuan ato ngjarje. Ata qenë kapedanët e Bregut. Fati i historisë i ndihu të tregonin trimërinë dhe të fitonin emrin e nderuar “kapedanë”. Ata kanë luftuar para 400, 200 a 100 vjetësh, por po të hapen fletët e historisë, ata afrohen shumë në kujtesën dhe parafytyrimin e njerëzve.

Për bregdetasit që ishin rreshtuar në formacionet luftarake në Napoli, në Venetik, Spanjë, Rusi, Austro-Hungari, Francë, Greqi, Turqi, Egjipt emri “Kapedan” shoqërohej me grada gjeneralësh, kolonelësh e majorësh.

Luftë me turqit, luftë me tradhëtitë, luftë me grabitësit e tokave. Thotë një fragment kënge
“Se ky dhe e këta gurë/ S’dheksën të huaj kurrë/ As dhe brenda në qivurë”.

Emërtimi “Kapedan” e ka pasë të drejtën e qytetarisë deri në shekullin e XIX dhe fillimin e shek. XX në krahinë. Më pas ky emërtim u venit. Vendin e tij e zunë organizmat shtetërore.

Dokumentat arkivore, por dhe këngët popullore që u bëjnë jehonë kapedanëve të Bregut, na tregojnë jetëshkrimin e atyre që u shquan apo që ranë në luftë. Na jepen betejat, vendet historike, lidhjet e zgjidhjet e marrëveshjeve me mbretëri e perandori të mëdha të kohës, inteligjenca e marrëdhëniet e tyre me vendlindjen e Krahinën, dashurinë e respektin që ata gëzonin mes bregdetarëve të të gjitha moshave e kohëve. Janë thurur për ta këngë në kohën e tyre. Thuren dhe sot, sa herë që njerëzit njerëzit i thërrasin kujtesës historike.

Bregdetasi i kthen shpesh sytë nga historia. Është krenar për të, por në piedestalin e kësaj historie qëndrojnë kapedanët e Bregut, qëndron imazhi i tyre me fustanellë, me tirqe e me shollë me xhufka, me kamë e pallë ngjeshur, hipur në kuaj, zbukuruar me punime dore shumëngjyrëshe.

Natyra mahnitëse bregdetasve u dha si stoli mençurinë e trimërinë, simbolizuar kjo te kapedanët e Bregut.

KRAHINA E HIMARËS DHE VENOMET

Krahina e Himarës qe e vetmja rrethinë që Perandoria Osmane i njohu zyrtarisht të drejtën e vetëadministrimit sipas ligjeve të saj tradicionale. Këto me një emër u quajtën Venome.

Shpesh shtrohet pyetja: Krahinarët himariotë ia morën me forcë Perandorisë Osmane Venomet, apo ajo vetë ua dhuroi? Ka vetëm një përgjigje: Nuk ua dhuroi, ato krahinarët tanë ua morën me forcë, me luftë, me gjak.

Lufta për t’i ruajtur këto Venome përben dhe periudhën më të lavdishme mëse katër shekullore të historisë sonë. Është pikërisht kjo vendosmëri e përsëritur nga shekulli në shekull që nxorri dhe kapedanët e Bregut. Janë të shumtë, sa rrallë do të ketë krahinë në Ballkan që të ketë nxjerrë kaq kapedanë, gjeneralë, kolonelë, majorë në mbrojtje të lirisë së vendit të vet. E vërteton këtë kënga:

“Në qishë të Mitropolisë,/ Vartur pllaka e lirisë,/ Në bakër bukur ujdisë,/ Me

ferman të osmanllisë/ Këtë gramë parë-parë,/ Gjithë gjakë janë larë,/ I kemi larë me gjak,/ Nga çdo fis e nga çdo prak,/ Çdo sokak edhe çdo derë/I kanë mbajtur me nderë,/ Shëmbëlltirë për të tjerë”

Pllaka e bakërt ku u shkruan Venomet, humbi kur Ali Pashë Tepelena shkeli në Himarë. Thuhet se pllaka u mor nga himariotët e syrgjynosur nga Aliu në kënetat e Sollohorit e të Thesalisë, pasi ata kundërshtuan me vendosmëri heqjen e Venomeve. Ja si e përjeton kënga dokument:

Pa dëgjo more Pasha,/ Të kam të shumë rixha,/ Mos na ngit e mos na sha,/ E me ne mos bëj dava,/ Se për xhiye kam imza,/ Nga i madhi padisha,/ Janë ndër bakër me kura,/ Na e njohëm padishanë,/ Si veqil në këto anë,/ Që të mos na prish rehanë,/ Ta pleqësojmë vetë davanë,/ E ta vëmë vetë imzanë,/ Mos na dërgo më fermanë,/ Se e kemi kadimi, /Të jemi aftonomi”

Pra përgjigjia e pyetjes: “Na i dhanë apo ua morëm Venomet” është vetëm një: Ua morëm me forcën e armëve në momentin e parë, por që ditëm t’i ruajmë për 400 vjet e mbi tendencën për mbrojtjen e tyre u ndërtua gjithë historia e kjo histori nxorri ata kryetrima që populli me të drejtë i quajti “Kapedanë”.

QEPAROI – FSHAT I KAPEDANËVE

Privilegjin “Fshat i kapedanëve” në Bregdet e ka Qeparoi. Është fshat i themeluar në shek. IV p.l.K.. Fillimisht u ndërtua në vendin e quajtur Kastel mbi Gradishtë, tek kalaja e Karosit. Se kush janë qeparotasit, e thotë kënga:

“Qeparo gurëstralli/ Sa herë t’u poftis shejtani,/ Foli vetë jatagani,/ Me fise soje asllani/ ... ... ... ... ... ... Gjithë trima kapedanë,/ Levendër soj asllanë,/ Vdesin qeshur për vatanë .. ... ... ./ Kur është fjala për vatanë/ Nuk falën as vëllanë.”

Qeparoi në shekuj ka numëruar 29 kapedanë, luftëtarë të lirisë kundër pushtuesve e sidomos atyre osmanë. Shumë prej tyre e morën këtë emër përtej detit, ku shërbenin si ushtarë me rrogë në formacionet “Real Macedonia”.

Po i renditim emrat e kapedanëve qeparotas: Sokrat Leka, Gjikë Thanasi, Gjikë Spiro, Spiro Gjika, Qirjako Kasapi, Zaho Vlashi, Kristo Vlashi, Kiço Vlashi, Polo Mara, Dhimë Leka, Gjikë Leka, Miço Leka, Qesko Gjika, Jano Gjika, Gjikë Gjika, Polo Prifti, Jorgo Prifti, Gjikë Bogdani, Nikë Zhulani, Kostë Kushta, Dhimë Dede, Spiro Zaho, Dhimë Luçi, Dhimë Mërtiri, Dede Dhima, Vasil Gura, Polo Hoxha, Llambro Kaçi, Lame Gjoka.

Një numër i konsiderueshëm i kapedanëve të Qeparoit, kanë qenë të arsimuar dhe shumë prej tyre ishin me grada të larta ushtarake. Të tillë qenë: Sokrat Leka, Gjikë Thanasi, Gjikë Spiro e Spiro Gjika. Spiro Gjika dinte 6 gjuhë të huaja dhe kishte gradën e Kolonelit.

Dhimë Leka, Qesko Gjika, Polo Prifti, Jorgo Prifti, Kostë Kushta, Dhimë Dede etj. kishin mbaruar shkollën ushtarake në mbretërinë e Napolit. Kapedanë të tjerë qeparotas si: Zaho Vlashi, Polo Mara, Gjikë Leka, Spiro Zaho, Dhimë Luçi, Dhimë Mërtiri etj. ranë në mbrojtje të Ali Pashë Tepelenës, në ishullin e Janinës.

Zoti Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), në kalendarin e vitit 1898 kujton një shkrim të Emil Legran, profesor i gjuhëve të huaja për lindjen në Paris, i cili kishte gjetur një letër të shkruar në vitin 1668 nga Joan Kamillis, prift i ardhur nga Roma në Himarë, të cilin e priti imzot Arkadio Stanilla. Ndër të tjera atëhere Johan Kamilliti shkruante: “Himariotët dhe krejt bregdetasit kanë shumë gjëra të mira, sa ta kenë zili më të shumtat e anës së dheut. Ky vend ka erë të mirë si dhe ujët e pemët, sadoqë pemët janë të pakta, për shkak se tokat janë gurishte”. Në letër përsëritet shpesh se njerëzit janë shumë fisnikë, të fortë dhe zotërojnë çdo punë. Pse janë kaq të mirë bregdetasit e Himarës? Edhe pse jetojnë në varfëri të thellë e pa qeveri, janë të besës sa më s’bëhet.

Imzot Arkadio Stanilla thotë se shpirti i një apo dy himariotëve pëlqehet më shumë se i 100 njerëzve të çdo kombi tjetër. Për Qeparoin dhe kapedanët e tij janë thurur plot këngë lavdie. Po veçojmë:

“Qeparo buzë shkëmbi, /Pataksen pse s’lot nga vendi,/ Humbi Sokrat Lekë drëri, /

Humbi Sokrat Lekë i shkreti, /Pallë e namuz i Miletit

DHËRMIU DHE KAPEDANËT E TIJ

Rrëzë maleve të Akrokeraunëve ndodhet fshati Dhërmi, emri i lashtë i të cilit është Drimades. Përkon me emrin e lashtë të fisit Drimades. Dhërmijasit kanë jetuar në këtë vend mbi 2000 vjet më parë.

Më 23 maj 1668 misionari Padre de Kamilis shprehet për Dhërmiun: “... Janë pjellë luftëtarësh të apasionuar me armët, me të cilat edhe flenë dhe për t’i mirëmbajtur e siguruar, harxhojnë dhe kamjen e tyre.... Mbi të gjitha janë të predispozuar të jetojnë të lirë dhe nuk pëlqejnë t’i nënshtrohen askujt, as të tyreve ...”

Historia e dokumentuar luftarake e Dhërmiut fillon qysh në vitin 49 – 48 p.l.K. kur këtu zbriti Jul Çezari.

Fshati i trimërive, por dhe i mendjes Dhërmiu, ka nxjerrë kapedanë si: Domiani, Pano Bua, Mërkur Bua, Kapedan Kumiu, Pano Bixhili, Dik Bixhili, Strati Gjika, Jani Gjika, Dhimitër Leka, Nestor Gjika, Gjika Vreto, Jani Kocani, Andrea Pavllovreto, Kristo Papadhimitriu, Vasil Buço, Kozma Karavello, George Georgiu e shumë të tjerë. Shumë ushtarakë, akademikë, historianë, filozofë, udhëtarë kanë kaluar në Dhërmi. Kush e pa e nuk u befasua, kush e pa e s’u interesua për historinë e tij. Dhërmiu ka çfarë ti tregojë historisë së Bregdetit.

VUNOI DHE KAPEDANËT E TIJ

Në faqen perëndimore të Mjegulloshit është ngritur një fshat karakteristik bregdetar, Vunoi. I hershëm si vendbanim qysh në shek. II p.l.K.. Këtë e tregojnë rrënojat e kalasë së Pirgut, në lagjen Ilias si dhe gjetjet arkeologjike, qeramike e zbukurime të gjetura në vendin e quajtur fisi Pagnavat. Ka hipoteza që ky fshat dikur mund të ketë qenë në Jal, por që e braktisi për t’u vendosur faqe mali për një mbrojtje më të mirë për të eliminuar edhe dyndjet e vazhdueshme të piratëve.

Ka nxjerrë kapedanët e parë të Bregdetit qysh në shek. XV si Pilo kasneci. Fillojnë kapedanët e Vunoit qysh më 1400 dhe ka qenë një histori shumëshekullore e mbushur me kapedanë. Këta kapedanë kanë drejtuar Bregdetin, Shqipërinë e pse jo dhe figura të shquara në Evropë. Të tillë qenë Pilo Kasneci, Zaho Jorgo Kasneci, Jorgji Zaho Kasneci, Kolë Pilo Kasneci, Pilo Kolë Kasneci, Gjon Ilia, Jano Nestur Kasneci, Hristo Koka, Konom Thanas Kuçi, Kostandin Kasneci, Nestur Kola, Spiro Kristo Kasneci, Thanas Pipi, Stefan Kokë Kasneci, Pilo Nesturi, Maro Kasneci, Odise Kasneci, Miço Thomai, Pano Koleka, Nase Beni, Thanas Grillo, Fane Odise Kasneci, Epaminonda Koleka, Naço Koço, Kozma Nushi, Llambro Andoni, Zaho Koka etj.

Trimëria vunjotase në shekuj e në breza nuk ka qenë e shkëputur nga trimëria bregdetase. Veç ajo ka qenë modeli më i mirë i trashëgimisë trimërore në breza. Sa kontribut kanë dhënë vunjotasit e tregon dhe kjo këngë ku vetëm nga një mëhallë e Vunoit kanë dalë shtatë gjeneralë.

“Ka të thënë e ka të ngjarë, / Se Thopajtë e parë,/ ishin të fismë e bujarë,/Ishin të gjithë nga derë e parë,/ Shtatë ishin gjëndëralë,/Ndë krajli napolitanë.”

HISTORI KAPEDANËSH NIVICIOTË

Nivicë – Bubari, fshat i parë i Bregdetit, ka nxjerrë shumë kapedanë që i kanë dhënë vlerë historisë së Krahinës. Shumë bijë niviciotë shërbyen në Napoli e Venetik ku luftuan me trimëri e u graduan kolonelë e majorë. Të tillë historia njeh kapedanët: Qezar Kumiu, Spiro Duka, Logo Gashi, Vrana Spiro, Spiro Bodini, Gjikë Spirolaska, Ilia Spiro.

Spiro Duka njihet në analet e historisë napolitane me gradën “Kapiten”. Ndërsa tenente Duklaskua shërben në ushtrinë veneciane e spanjolle. Përmenden në shek. XVIII kapedanë si: Nikolla Gjika, Laskë Prifti, Nikolla Mensi, Dhimo Damo, Kostë Nikleka, Stefan Duka, Kostë Qezari, Dhimo Kola, Stillo Prifti, Polo Murgaçi, Laskë Gjika, Dhimo Duka e Vrana Martiko.

Në shek. XIX përmenden kapedanë me gjurmë të thella në histori si: Jano Kumiu, Kiço Dhuli, Stillo Papadhima, Pilo Leka, Kiço Leka, Pilo Dhuli, Andrea Murgaçi, Dukë Laska etj..

KAPEDANËT E FSHATIT SHËN VASIL

Fshati Shën Vasil dokumentohet nga gërmimet arkeologjike që në shek. III p.l.K. me kalanë e Dhoknës dhe me gjetjet si: sopata bronxi e ornamente vazosh pranë Manastirit.

Në fund të shek. XVII përmenden këta kapedanë shëvasiotë si: Spiro Buti, Sokrat Gjoni, Aleko Suli, Dukë Spiro, Niko Dajko, Thanas Shëvasioti, Vjero kosta, Stefan Jovani, Nelio Boçi, Mërtiko Laska, Nestur Kekezi, Dhimo Gjini, Spiro Prifti, Lasko Nova, Stillo Kosta, Athanas Prifti, Laskë Prifti e Stavro Themeli. Në shek. XIX përmenden kapedanët: Kostë Aleksi, Pilo Bituni etj..

HISTORIA E SHOQËRUAR ME FIGURA KAPEDANËSH


Etapat e zhvillimit të historisë së Bregdetit janë të shoqëruara me figura kapedanësh. Kapedanët e parë Foti e Nikonidhi i gjejmë qysh në luftën e Peloponezit në vitet 430 p.l.K duke drejtuar kaonët në ekspeditën luftarake kundër qytetit Stratos të Akarnanisë duke marrë anën e Spartës. Në krye të 500 himariotëve ata arritën suksese e fitore në këto luftime.

Më 1314 historia njeh Gjikë Pikernin nga Piqerasi si Qefali i Beratit. Po atë vit ushtria dhe flota e Despotatit të Beratit nën komandën e tij dhe të Prontativit të Vlorës Gjergj Goxhit kryen një inkursion mbi Artë nga toka dhe nga deti ku dolën fitimtarë.[7]

Më 1250 del figura e ndritur e ëngjëllorit Nifoni nga Lukova, fillimisht prift në vendlindje, më pas në Manastirin e Shën Kollit në Mesopotam, në Manastiret greke të Meteoras të Kallabakas në Agion Oros (Mali i Shenjtë) dhe në Halkidhiki. U emërua kryepeshkop i Selanikut dhe në vitet 1313- 1314 arriti gradën më të lartë: Patriark Ikumenik në Konstandinopojë.

Më 1444 i pari i Himarës në kohën e vet Pjetër Himarioti ka qenë firmëtar në një aktmarrëveshje me Alfonsin V të Napolit së bashku me Gjergj Arianitin, Gjin Muzakën, Simon Zenebishin, Gjergj Stres Balshën, Pjetër Spanin, Pal Dukagjinin, Muzakë Topinë e Karlo Takon e Artës. Mendohet se ka qenë dhe komandant ushtarak i krahinës së Himarës.[8]

Në epokën e Skënderbeut himariotët i qëndruan krahë atij. Me prijësin e tyre Gjergj Stresin u bënë gardianë të lirisë në malet Akrokeraune dhe kudo ku i thirri Gjergj Kastrioti. Në Kuvendin e Lezhës himariotët u përfaqësuan nga Gjergj Arianiti, Gjergj Stresi dhe Andon Linjerosa.

Në ushtrinë e Skënderbeut kishte edhe një njësi speciale që Barleti e quan “Gardë Pretoriane” prej 300 luftëtarësh. Në këtë njësi bënte pjesë dhe një njësi himariotësh, të komanduar nga Andon Linjerosa “nga më të mirët komandarë” që u vranë në betejën e parë me turqit në qershor të vitit 1444 në fushën e ngushtë të Torviollit.[9]

Pas vdekjes së Skënderbeut himariotët vijuan rezistencën duke pasur si komandant kapedanin e tyre dhe luftëtar të Skënderbeut Gjergj Stresin dhe më pas Spiro Kasnecin nga Vunoi.[10]

Pilo Kasneci nga Vunoi më 1462 mbaroi shkollën ushtarake në venetik. Për luftimet përkrah Skënderbeut Venetiku i dha gradën e gjeneralit(Gran de magiore) dhe titullin e qytetarit të nderit.[11]

Pilo Kasneci e Gjergj Stresi zunë rob Sulejman Pashë Eunukun e ia dhanë si trofe Gjon Kastriotit më 1481. Ky i fundit ia dërgoi mbretit të Napolit. Pilo Kasnecin kënga e cilëson:
“Kapedan përmbi beja/ Përmbi beja e sulltanë/ si me pend’ e jataganë.

Pas vdekjes së Skënderbeut në histori ka mbetur akti heroik i Damjan Himariotit që më 1537 në fushën e Qeparoit deshi të çante me thikë në çadrën e vet sulltanin Sulejman Kanuniun, por që u kap dhe u masakrua nga rojet personale të Sulltanit. Kuvendi himariot e mori trupin e Damjanit të gjymtuar dhe e varrosën me nderime të mëdha. U vajtua: “Domjan shpirt e Domjan xhan, e dhe jetën për vatan.”

Në luftë kundër turkut në këtë periudhë u dalluan tre Kasnecët nga Vunoi, Jorgji Zaho Kasneci, Kokë Pilo Kasneci dhe Pilo Kokë Kasneci të tre të shkolluar në mbretërinë e Napolit. Jorgji arriti gradën gjeneral, Koka kolonel dhe Pilua major në ushtrinë napolitane. Luftuan në formacionet napolitane, por dhe në vendin e tyre në rast kërcënimi nga turqit.

Manol Mormora, me origjinë nga Himara, në qershor 1570, së bashku me Sebastian Vounero, dolën në Sopot me 12 galera së bashku me shumë stratiotë grekë, shqiptarë e italianë që ishin në shërbim të Venetikut. Në luftën e Sopotit kundër turqve mori titullin “guvernator”. Ai u kap rob nga turqit, por duke u shkëmbyer me disa robër turq ai luftoi kundër turkut deri sa u vra më 1571 në Kalanë e Sopotit, ku hodhi veten në erë, por vrau edhe 500 ushtarë turq.[12] Thotë kënga:

“O Sopot kala me halle/ komandar mbi këto male/nuk u dhe e nuk u fale,/për hasmet nuk pyete fare,/ Mormorin me lot e qave.”

Të kësaj periudhe janë dhe Pano Bua e Spiro Dhimojani, Petro Lamçe e Petro Cungaro. Gjenerali Zhanopulli ka shërbyer në Spanjë me gradën e gjeneralit. Është dalluar në luftimet e Kazalisë në Lombardi më 1635 si dhe gjatë kryengritjes së Napolit më 1647. Thotë kënga:
More Zhanopull deli burrë/ i fortë si shkëmbë gurë/ ndë Spanjë të doli nami/ mor Zhanopull kapedani”.

Përmendim Kiço Buçin, ndërtues anijesh në Himarë në shek. XVII, Petro Gurrëna, burrë me sqimë, vetëtimë, Zaho Varfri arriti me gradën “Grande magiore të gjeneralit në Venetik”. Nga “Signoria” iu ngarkua detyra të mbronte rrugën për kalimin e anijeve të Republikës nga Kanali i Korfuzit. U bë shumë i njohur në rrethet e larta të Dozhës dhe iu dha titulli i lartë i kavalierit.

Me famë evropiane është gjenerali Mërkur Bua. Në autobiografinë e tij vetë Mërkur Bua ka pranuar se ka lindur në Dhërmi në “Akroqeravnia ori” (Malet e Vetëtimave). Ai me gradën e gjeneralit ka luftuar në ushtrinë venetikase. I shërbeu zotit të Milanos, Ludoviko Sforza. Luftoi në Gjenovë dhe më pas u vu nën urdhërat e Perandorit kundër Venetikut. Mërkur Bua ka drejtuar betejën e famshme të Fornovas kundër francezëve. U shqua në luftimet e Toskanës kundër ushtarëve të Pizës. Më 1500 Mërkur Buan e gjejmë në krye të 300 statiotëve bregdetarë duke luftuar në Mortava, në Pavia dhe më pas në Vigevano. Më vonë luftoi në Piemont në mbrojtje të Novaros. Më 1503 ai u bashkua me francezët duke mbështetur gjeneralin La Tremouille në betejën e Rocasseccas, ku bashkë me një kapiten francez thyen sulmin e 300 kalorësve spanjollë. Prandaj dhe mbreti francez e nderoi me titullin “Kont Aquios dhe i Rocasessccas”. Më 1503 e gjejmë në beteja të ndryshme si në Lazio e Garigliano. Po në shërbim të Francës, ai luftoi me stratiotët e tij në Bentivoglio, duke mbështetur Vatikanin.

Në historinë evropiane Mërkur Bua njihej si një nga stratiotët më të famshëm i cili do të merrte gradën “Gjeneral të kavalerisë franceze të mbretit Louis XII”.

Nga viti në vit Mërkur Bua krijoi figurën e tij legjendare. Në prill të vitit 1506 ai shkoi në ndihmë të monegaskëve (Monako) duke luftuar kundër 200 këmbësorëve gjenovezë. Në vitin 1506 në Milano mori pjesë në garat kalorësiake që organizoheshin aty dhe doli në krye të 400 stratiotëve. Në vitin 1508 ai luftoi në Flandre të Belgjikës kundër trupave të Dukës Gleldria dhe pastaj u sul drejt Gjermanisë ku mori pjesë në një betejë në Bavari. Më 1510 ai mori pjesë në rrethimin e Padovës dhe pastaj u kthye me shpejtësi në Friule. Në korrik të po atij viti ai luftoi kundër kalorësve kroatë dhe kapi rob një komandant të tyre.

Luftë i shkoi jeta Mërkur Buas. Për të është shkruar shumë. Ai vdiq më 1542 dhe u varros në kishën e Santa Maria Maggiore, ku më vonë skulptori italian Agostino Busti ndërtoi një asambël skulpturor për nder të tij me mbishkrimin “MERCYRIO BYA COMITI E PRINCBYS PELOPONESI, EPIROTARYM EQVITYM DYCTORI QUI GALUS IN ARAGONES DOMICA NTIB”[13] duke vazhduar me shërbimet e tij ndaj parizianëve, Ludovico Sforzos, Papës, Perandorit Maksimilan, mbretit francez François, në betejën e Marignanenit etj.

Nga Bregdeti me origjinë ka qenë dhe arbëreshi Axhislao Ulano (Milano) që qëlloi mbi mbretin Ferdinant të Napolit që keqtrajtonte arbëreshët.

Në këtë periudhë përmenden kapedanët: Gjon Ilia nga Vunoi, Pavllo Ilia nga Himara, Kostë Miri po nga Himara, Neço Nesturi nga Himara, Kostë Kushta nga Qeparoi, Niko Vranai nga Himara, Kostë Barka nga Himara, Kapedan Kumiu nga Dhërmiu, Dhimo Roko nga Himara, Aleko Kukaveshi nga Himara, Dhimë Karai nga Himara, Jorgo Stefan Pepe nga Himara, Dhimë Dede nga Qeparoi, Qesko Gjika nga Qeparoi, Pano e Gjikë Bixhili nga Dhërmiu, Kolë Midhari nga Himara, Polo Prifti e Jorgo Prifti nga Qeparoi, Jano Nestur Kasneci nga Vunoi, Hristo Ilia nga Himara, Kostandin Mikeli nga Piqerasi, Foto Kaja nga Himara, Kostandin Kasneci nga Vunoi, Thanas Rexho nga Himara e shumë të tjerë. Të gjithë këta ishin diplomuar në shkolla ushtarake në Napoli e në Venetik.

Bregdeti nuk ka pasur vetëm kapedanë ushtarakë, por edhe kapedanë të mendjes e diplomatë deri në Mbretërinë Spanjolle si Zhanopulli nga Qeparoi e Pano Bixhili nga Dhërmiu që shërbeu si ambasador i Rusisë në Shqipëri e në Greqinë Veriore me qendër në Artë më 1767. Kontribuoi për zhvillimin e arsimit në Bregdet, sa dhërmiasit si atë edhe vëllain e tij i përkujtojnë si shenjtorë çdo 30 janar të çdo viti. E portretizojnë kështu Pano Bixhilin:

“Pano Bixhili me derte,/ Që të prisnin me trumbetë,/ Kur vije poshtë e përpjetë/Me pallaska të argjendtë,/Me llafe me bereqetë.”

Polo Prifti e Jorgo Prifti, kapedanë nga Qeparoi, në luftën ruso- turke të vitit 1771 morën pjesë në anën e Rusisë në forcat e kont Aleks Orlovit. Ata luftuan e ranë duke kontribuar në flotën ruse.

Dhe periudha e sundimit të Ali Pashë Tepelenës në Pashallëkun e Janinës në Bregdet pati kapedanët e vet. Ishin kapedanët shëvasiotë Sokrat Gjoni, Spiro Buti e Major Lima që kundërshtuan Aliun, deri sa ai dogji Shën Vasilin, Nivicën, Hundecovën e Lëkurësin më 1798.

Me grada të larta kanë qenë kapedanët si Zaho Jorgua nga Himara që shërbeu në Mbretërinë e Napolit. Pilo Llambro Varfri nga Himara u gradua major në ushtrinë veneciane, por kontribuoi dhe për vendlindjen në luftë kundër reformave të Tanzimatit.

Përmendim Kostë Ndruco, Zaho Ndruco, Kostë Andruci, Milto Koloi, Spiro Zaho, Gjikë Leka, Thanas Kuçi, Iljaz Kabo, Zaho Zoto e Dhimitër Zoto, Jano Marko, Dhimë Leka e Vasil Gurra që i qendruan pranë Ali Pashë Tepelenës sa Zaho Vlashi e Polo Mara dhanë jetën së bashku me të më 1822.

Kapedani me një autoritet të rrallë në Krahinë ka qenë Spiro Gjika nga Qeparoi. Ende i ri, më 1790 ai rekrutoi 80 qeparotas dhe u drejtua drejt Egjiptit për të fituar fat e pasuri. Gjatë peripecive të tij nëpër Egjipt e Arabi u njoh me Veiz Pashë Saliçezmën me origjinë nga Kudhësi. Ai e ndihmoi Spiro Gjikën të kthehej në Qeparo shumë i pasur në mall, në armë, por dhe në famë. Lidhi miqësi me Mustafa Pashën e Delvinës dhe të dy u bënë kundërshtarë të Ali Pashë Tepelenës. Kur u rrëzua Mustafa Pashës, Spiro Gjika shkoi në radhët e ushtrisë ruse në Korfuz bashkë me Foto Xhavellën. Aty arriti gradën e kapitenit. I spiunuar nga Haxhi Bedua, Aliu s’vonoi dhe i rrëmbeu dy djemtë e mitur. I detyruar ai hoqi dorë nga rezistenca ndaj Aliut dhe u vu në shërbim të tij ku qëndroi deri në fund të epokës së Ali Pashë Tepelenës. Më pas u kthye në fshat duke vazhduar luftën antiosmane, duke u lidhur sërisht me Shahin Bej Delvinën derisa vdiq më 1852 në Qeparo.

Konstandin Kasneci, nga, Vunoi mori gradën gjeneral dhe ushtroi dhe detyrën e konsullit të Austro- Hungarisë në Bregdet. Për qëndrimin e prerë që mbajti ndaj Ali Pashës, ai e arrestoi dhe e mbajti 7 vjet në burg në Janinë. Thuhet në këngë:

“Thanë u lajthit Hristo Koka,/ Me bastun si Pasho Shkodra,/ Ndaj e ngriti Ali Pasha, Shtatë vjet në zverk sëpata.”

Shumë kapedanë bregdetarë kontribuan në Revolucionin grek të viteve 1821- 1829. Në këtë luftë çlirimtare të popullit fqinj morën pjesë 250 himariotë nga të cilët 40 prej tyre dhanë jetën me në krye Kostë Botën. Përmenden: Odise Andruci, Zaho Milo, Spiro Milo (i pari), Thanas Pipi, Qiriako Kasapi, Mihal Miho, Kostë Karai, Spiro Kristo Kasneci, Kristo Bega, Dhimitër Leka, Jano Marko e shumë të tjerë. Në këtë revolucion luftuan dhe çorriotët Gjergj Gjipali, Simo Dhima (Prifti), Stillo Koka, Thanas Ligori, Miço Gjipali, Dhimitër Dedi e dhanë jetën Zaho Milo, Dhimo Kristo, Kostë Kasneci, Stefan Spiro, A. Varfri, N. Çali, I. Prifti etj. .

Pyrrhus J. Ruches na sjell një episod interesant për fillimet e Revolucionit grek, asaj të kryengritjes së Aleksandër Ipsilantit, i cili pasi ngriti krye, u tradhëtua nga një prej prijësve rumun. Sipas tij “Trupat e Ipsilantit, jo pak nga ata epirotë, qëndruan heroikisht kundër turqve. Na thuhet se një prej këtyre kapedanëve, Thanas Pipi, nga Vunoi, Himara, që ishte rrethuar nga Turqit në një kishë jashtë Budapestit. Me vetëm 13 vetë dhe çetën e tij të epirotëve, i mbajti turqit për 32 orë. Dy mijë otomanë, të armatosur me mushqeta, topa dhe bomba, luftuan me çetën e vogël duke humbur 800 vetë para se anëtarët e çetës u kapën dhe u ekzekutuan”.

Nga Himara, sipas Dhimitër Grillos, ishte edhe udhëheqësi tjetër i Revolucionit grek Odise Andruci, Por siç shprehet Dhimitër Grillua tek “Arvanitët dhe shqiptarët në Revolucionin grek” për të dhe dy udheqës të tjerë, Karaikaqin dhe Kollokotronin: “Këta të tre kishin popullaritet të madh, gjë që natyrisht ishte e rrezikshme për interesat e parisë.” Odisenë e nxorrën tradhëtar, ashtu siç nxorrën dhe Karaiskaqin dhe Kollokotronin. Odisenë e kapën, e burgosën në një kështjellë të Akropolit të Athinës. E torturuan keq dhe në fillim të korrikut 1825 e vranë.[14]

Spiro Milo (i parë), i cili mori pjesë së bashku me vëllain e tij Zaho Milon, në Revolucionin grek, ngelet një nga udheheqësit e rëndësishëm të tij dhe udhëheqës i himariotëve në të. Historiani amerikan David Brewer në veprën e tij “The Greek war of Independence” botuar në 2001, shkruan se “25 vjeçari Spiromilos, nga Shqipëria e jugut, por me shkollë ushtarake në Itali, komandonte trupën e tij me rreth 200 bashkëpatriotë të tij; ai shkroi kujtimet e tij të qarta (ang. crisp) në të cilat nuk hezitoi të kritikonte ata që ishin të vonuar në dhënien e ndihmës” gjatë rrethimit të Mesollongjit, duke bërë një dallim me pjesën tjetër të prijësve të pashkolluar të Revolucionit grek.[15]

Milingeni në kujtimet e tij “Memories of the affairs of Greece”, botuar në 1831, e vlerëson këtë trupë 200 himariotësh si me “pamjen më luftarake mes gjithë ushtrisë... ” dhe e vlerëson kështu udheheqësin e tyre: “Kombinonte, me thellësinë dhe urtësinë thjeshtësinë e rrallë për moshën, si dhe midis bashkëpatriotëve të tij”. [16]

Ende sot në Mesolongji, ka një bust të Spiro Milos, sikurse edhe një rrugë qoftë me emrin e tij dhe të vëllait të tij Zaho Milo, që përkujtojnë përpjekjet e himariotëve në këtë betejë të përmendur. Sikurse portretet e tyre gjenden krahas portreteve të heronjve të tjerë të këtij Revolucioni ne muzeun e këtij qyteti.(illustrimet me poshtë)

Në Napoli ka vepruar për shumë vjet një formacion luftarak, i quajtur “Real Macedone” me stipendierë nga krahina e Himarës. Aty kanë shërbyer ushtarakë të lartë bregdetarë si Strati Gjika gjeneral leitnant(tenente general), Jani Gjika nënkolonel dhe nipi i tyre nga e motra, gjeneral Dhimitër Leka, të tre nga Dhërmiu. Dhimitër Leka u njoh dhe zuri miqësi me Jeronim De Radën. Jeronimi vëllimin e parë të “Këngëve të Milosaos” ia kushton Dhimitër Lekës me këtë dedikim: “ Shkëlqesisë së tij gjeneral brigadier komendator zotni Dhimitër Lekës këto këngë që të jenë dëshmi e afrimit ndaj zakoneve të lashta në gjindjen e humbur të Epirit.”[17] Thuhet në këngë:

“Ç’u hap mandati në drekë,/ Hajmedet o Dhimë Lekë,/Hajmedet se ç’të ka gjetë/ Gjenerali i Bregdetë,/ Kapedan trim me fletë, ë stere dhe në detë.”

Periudha që nxorri shumë kapedanë ishte periudha e luftës kundër reformave të Tanzimatit. Në Shqipërinë e Jugut porta e Lartë shpalli me bujë dekretin e Gjylahnesë më 1845. Kjo ndeshi në një rezistencë popullore. Për organizimin e mirë të qëndresës krerët e Shqipërisë së Jugut mblodhën kuvendin e tyre në Mesaplik në qershor 1847. Këtu morën pjesë dhe kapedanë bregdetarë. Thotë kënga:

“Mesaplik te Rrapi i Thatë,/ Për një ditë e për një natë,/ Vjen Himara si rigatë, /Gjika e Leka me armatë/ E të tjerë kapetanatë,/ Që nga Palasa në Gjashtë.”

Vendimi i Mesaplikut u firmos dhe nga bregdetasit Spiro Gjika e Gjik Thanasi nga Qeparoi, Llambro Rexho nga Himara. Ata u lidhën me kryetrimin e Labërisë Zenel Gjolekën. Me emrin e tij janë të lidhura dhe emrat e kapedanëve Foto Kopali, Malo Duka, Maro Konde nga Çorraj, Lazo Kofina nga Fterra, Pilo Dhuli, Jano Kumiu nga Nivica, Stefan Prifti e Kosta Aleksi nga Shën Vasili, Gjikë Spiro nga Qeparoi, Kristo Koka nga Vunoi, Konom Kuçi, Kol Pepa, Pano Kiço e Jani Kocani nga Himara. Ata patën lidhje e luftuan kundër turkut me Balil Neshon, Çelo Picarin, Tafil Buzin, Çobo Rrapushin e Demço Imon nga Labëria.

Përmenden në këtë periudhë Kiço Pano, Stefan Koka, Zaho Zoto, Avdul Vasili, Gjikë Barushi, Lame Gjoka, Pilo Bituni, Kiço Dhuli, Pilo Dhuli e Stillo Papadhima, Gjikë Llaçi, Simo Mërtiri.

Një periudhë e rëndësishme ka qenë Lidhja e Prizrenit. Figurë e shquar e kohës ka qenë Odise Kasneci nga Vunoi. Ai krijoi një grup kapedanësh bregdetarë rreth vetes si Sokrat Leka nga Qeparoi, Jani Kocani nga Dhërmiu, Kimon Zotua nga Himara dhe Kristo Vjero nga Kudhësi. Kënga i rendit:

“O Bregdet që s’u dhe kurrë,/ Qëndrove mbi shkëmb e gurë,/ Krreve kapedanë shumë,/ Ndë Vuno Leo Nesturë,/ Qeparo Sokratë nurë,/Konom Zoton deli burrë, / Ndë Dhërmi Jan Kocanë,/ Ndë Pilur Zerbin Çakallë,/Ndë Palasë Vangjel Janë,/Kristo Vjero kapedanë/ Që luftuan për vatanë.”

Odhise Kasneci është një nga kapedanët më të dëgjuar të fisit të Kasnecajve të Vunoit dhe të gjithë krahinës së Bregdetit. Kundërshtar i denjë i traktatit të Shën Stefanit, së bashku me Konom Zoton, Sokrat Lekën, Jan Kocani e Kristo Vjero kapedanë bregdetarë. Është një nga më aktivët në lidhjen e Prizrenit, sidomos në degën e Gjirokastrës më 1878 duke u zgjedhur anëtar i kryesisë së saj. Pas dështimit të Lidhjes Odhise Kasneci u zu nga forcat osmane dhe u internua në Konjë. Ka pasë lidhje të ngushta me Hasan Tahsinin. Më 20 korrik më 1908 u vra pabesisht në Vishë të Himarës. Vrasja e tij u prit me dhimbje në Bregdet. Thotë vaji:

“Ç’u nxi mali e ç’u nxi deti/ Obobo shokë ç’na gjeti,/ U vra Odhise Kasneci/... ... ... ... ... Ç’e vajtoi gjithë mileti”.

Sokrat Leka kapedan nga Qeparoi kishte lindur më 1828. Mbante nofkën “Pallergjëndi”. Për zotësinë e trimërinë e tij të rrallë u bë një nga krerët më në zë të krahinës së Bregdetit. Ka marrë pjesë në të gjitha kuvendet që kundërshtonin reformat e Tanzimatit në Krahinë e deri në Mesaplik e Picar. Ka mbrojtur me fanatizëm venomet e Krahinës. Bashkë me Odhise Kasnecin ka marrë pjesë në degën e Lidhjes së Prizrenit në Gjirokastër. Vdiq më 1894. Bëmat e tij përmblidhen në vargjet:

“Kapedan i Bregut të Detit/pallë e namuz i miletit,/sokëllimë e Kurveleshit,/nur i gjithë vilajetit.”

Pas vitit 1900 në vargun e nderuar të kapedanëve të Bregdetit renditen Epaminonda Koleka, Jani Rexho, Miço Sokrat Leka, Kostë Likoka, Kiço Jani, Sheh Sabri Preveza, Vasil Bubuçi, Lano Goxhi, Kiço Jovani etj.

Spikat figura e kapedanit Jani Rexho. Më 1892 ai ishte diplomuar për doktor në Athinë, duke u bërë mjeku i parë. Kishte një njohje të mirë të historisë së Krahinës. Mbante lidhje me Bajo e Çerçiz Topullin. Çerçizi luftëtarët e plagosur i dërgonte tek doktor Rexhua në Himarë duke u thënë: “Shkoni në Bregdet te jatroi ynë. Vetëm tek ai gjeni derman. Me ilaçet e tij edhe të vdekurin e ngre në këmbë. Dhe fjalët e tij janë më ilaç se ilaçi”.[18]

Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, Jani Rexho u bë një nga udhëheqësit e shquar të Krahinës së Bregdetit. Ka pasë korrespodencë me kapedanin tjetër vunjotas Epaminonda Koleka e të dy bashkë kanë pasë lidhje me Ismail Qemalin. Shpesh ka kundërshtuar heqjen e venomeve nga Pashai i Janinës. Shkuan për t’u ankuar më 1908 te Valiu i Janinës, por ai jo vetëm nuk i ndihmoi, por i burgosi dhe i torturoi derisa u erdhën në ndihmë himariotët. Kur u lirua nga burgu, doktor Rexhon Himara e priti si hero. Në fillim të vitit 1913 doktor Jani Rexho u sëmur rëndë e vdiq në maj të vitit 1914. Thotë kënga: “Jani Rexho kapedani,/Në Stamboll të vete nami”

Histori e mbushur me ngjarje në shekuj, por edhe histori e mbushur me figura kapedanësh bregdetarë. Nuk ka asnjë periudhë historike që Bregu të mos ketë nxjerrë burra të penës e të dyfekut që me të drejtë e morën emrin e nderuar “kapedan”.

Secili nga ata ka bëmat dhe heroizmat e tij, për secilin ka dokumenta historike, për trimëritë e tyre janë thurur këngë trimërie që trashëgohen në breza. Të gjithë këta janë përfshirë tërësisht në librin “Kapedanët e Bregdetit” shkruar nga studiuesi Minella Gjoni e dhënë për botim.

PËRFUNDIMI
Kapetana e krahinës së Bregdetit të Jonit shqiptar, është konsideruar një vlerë, origjinale e Krahinës. Për vetë specifikat historike që ka pasë Bregdeti gjatë gjithë historisë së tij deri në fillim të shekullit XX, ka bërë të mundur krijimin dhe institucionalizimin e “Kapedanit” dhe “Kapetanatës”. Që nga fillesat e pushtimeve turke në vendin tonë e deri në shek. XX, çdo fshat i kësaj Krahine ka nxjerrë kapedanët e vet. Tërësia e Kapedanëve bashkë me kontributet e tyre luftarake, organizative, inteligjencën e marrëdhëniet e tyre me vendlindjen e Krahinën, me ndikimet deçizive në lidhjet e zgjidhjet e marrëveshjeve me mbretëri e perandori të mëdha të kohës përbejnë Kapetanatën e Bregdetit.

Ndër fshatrat më të shquara për numrin e shumtë të kapedanëve, përmendim: Qeparoin i cili është cilësuar edhe fshati i Kapedanëve. Më tej Dhërmiu, Vunoi, Nivica, Shën Vasili. Ndër kapedanët më të spikatur në breza janë: Mërkur Bua, Gjikë Pikerni, Pjetër Himarioti, Andon Linjerosa, Gjergj Stresi, Spiro Kasneci, Domjan Himarioti, Jorgji Zaho Kasneci, Kokë Pilo Kasneci, Pilo Kokë Kasneci, Manol Mormora, Pano Bua, Spiro Dhimojani, Petro Lamçe, Petro Cungaro, Spiro Gjika, Odise Andruci, Sokrat Leka, Epaminonda Koleka, Jani Rexho, Miço Sokrat Leka, Kostë Likoka, Kiço Jani, Sheh Sabri Preveza, Vasil Bubuçi, Lano Goxhi, Kiço Jovani etj..

BIBLIOGRAFI



  1. Plinius. Naturalis storia, liber IV, I, 4
  2. Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë.
  3. N.G. L. Hammond, Epirus.
  4. A. Ducellier La facade martime de l’ Albanie au Moyen age- Durazo et Valona du XI e 04 XV siecle Thesaloniki 1981.
  5. Minella Gjoni “Se jam nga Bregdeti” bot. 2004.

6. Nilo Borgia “I monaci basiliani d’Italia in Albania, perioda seconda” Roma 1942.

7. Historia e Shqipërisë vëll. I bot. 2000

8. Luan Malltezi “Himara dhe qendresa kundërosmane në shek. XV.” Himara në shekuj” bot 2004.

9. Abaz Ermenji “Vendi i Skënderbeut në Historinë e Shqipërisë”

10. Llambro Spiru “Himara”

11. Arkivi “Hoxhi” Genaedhon, biblioteka e Athinës, dosja 59 dhe pema gjenealogjike

“Thopiajt” e Bregdetit dosja nr. 5

12. I. Zamputi “Manol Mormora”

13. Dokumente të shek. XV për Historinë e Shqipërisë vëll. 14.

“Botimi I Universitetit të Tiranës 1967

14. J. De Rada “Poezi shqipe të shek. XIX, “Këngë të Milosaos

bir i sundimtarit të Shkodrës” bot. 1956.

15. Dh. Grillo “Arvanitët dhe shqiptarët në Revolucionin Grek të vitit 1821- 1829.

bot. 1985.

16. David Brewer “The Greek war of Independence” botuar në 2001

17. Milingeni “Memories of the affairs of Greece”, v. 1831.

[1] Muzafer Korkuti tek “SudostEvropa Zwischen 1600 und 100 V.Chr.” Berlin 1982 .

[2] Homeri “Odisea”, Kënga XI. ( Përkthimi në shqip P. Gjeçit.)

[3] Plinius. Naturalis storia, liber IV, I, 4.

[4] Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë. fq. 440.

[5] N.G. L. Hammond, Epirus, fq. 61.

[6] A. Ducellier La facade martime de l’ Albanie au Moyen age- Durazo et Valona du XI e 04 XV siecle Thesaloniki 1981 fq. 192- 202.

[7] Historia e Shqipërisë vëll. I bot. 2000 fq. 273- 274.

[8] Luan Malltezi “Himara dhe qendresa kundërosmane në shek. XV” Himara në shekuj” bot 2004 fq. 102.

[9] Abaz Ermenji “Vendi i Skënderbeut në Historinë e Shqipërisë” fq. 40- 42.

[10] Llambro Spiru “himara” fq. 69.

[11] Arkivi “Hoxhi” “Genaedhon, biblioteka e Athinës, dosja 59 dhe pema gjenealogjike “Thopiajt” e Bregdetit” dosja nr. 5.

[12] I. Zamputi “Manol Mormora” fq. 341.

[13] Dokumente të shek. XV për Historinë e Shqipërisë vëll. 14 “Botimi I Universitetit të Tiranës” 1967

[14] Dh. Grillo “Arvanitët dhe shqiptarët në Revolucionin Grek të vitit 1821- 1829” bot. 1985 fq. 162- 163.

[15] David Brewer “The Greek war of Independence” botuar në 2001

[16] Milingeni “Memories of the affairs of Greece”, v. 1831, f. 201.

[17] J. De Rada “Poezi shqipe të shek. XIX, Këngë të milosaos bir i sundimtarit të Shkodrës” bot. 1956 fq.11.

[18] Foto Bixhili “Jipet e Iperit himariotët” v. 2004, f. 233.

Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve: 33689
Age: 59
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi