Berat Buzhala:Aleksandri ynë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Berat Buzhala:Aleksandri ynë

Mesazh nga Agim Gashi prej Sun Mar 29, 2009 10:42 pm

Aleksandri ynë
Më falni që po ua prish festën, por e kam një dilemë që do të doja ta ndaj me ju: A me të vërtetë mendoni se paraqitja e Skënder Hysenit në Këshillin e Sigurimit të OKB’së ishte kaq spektakulare, sa që ne duhet t’i duartrokasim atij për tërë jetën?






Nga Berat Buzhala më 25.03.2009 në ora 14:00

Më shumë se 100 komente urimi erdhën në ExpressOnline, në adresë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, për paraqitjen e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB’së. Pas disa javësh depresive, ai, që më së paku e prisnim, befasisht ktheu buzëqeshjen në fytyrat tona të ngrira. Disa dhjetëra mesazhe qytetarët kishin postuar edhe në Facebook, të entuziazmuar me Hysenin. Në kafe flisnin vetëm për shpërthimin diplomatik të Ministrit të Punëve të Jashtme. Edhe në biseda telefonike po thonë se “ky Ministri i Punëve të Jashtme doli burrë”.

A duhet prishur pak karakterin festiv dhe euforik të kësaj ngjarje interesante në Këshillin e Sigurimit? Së paku, kjo pyetje është e lejueshme. Ne jemi shoqëri që shpejt nxehemi e shpejt ftohemi – si teneqja ose si hirra. Jemi shoqëri që i pëlqen të vrapojë pas gjërave simbolike dhe jo pas qëndrueshmërisë dhe fuqisë së përhershme të argumenteve.

Ndoshta e vërejtët edhe nga prezantimi në media që iu bë kësaj ngjarjeje. Një ministër për të cilin të gjithë luteshim që t’ia shihnin shpinën një minutë e më përpara, tash e bëmë hero.
Nuk do të çuditesha aspak nëse i shoh Presidentin Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi duke e pritur Hysenin në Aeroport me lule dhe me tepih të kuq, madje edhe me një gardë nderi të FSK’së.
Pas kësaj duartrokitje të dalldisur kombëtare, jam i përgatitur psiqikisht që ta dëgjoj ndonjë rapsod të harruar dhe të pashpresë t’ia kushtojë edhe ndonjë këngë Ministrit tonë. Sikur Isë Boletinit në Londër.

E për çka?
Sepse na preku aty ku më së shumti na dhëmb. Ia tha në fytyrë Boris Tadicit para Këshillit të Sigurimit disa nga krimet e kryera prej shtetit serb.
Edhe? Çka tjetër?
E dëgjoi krejt bota.

Cila botë? E dëgjuam ne në Kosovë, serbët në Serbi dhe 15 ambasadorë të Këshillit të Sigurimit, të cilët që në start ishin pozicionuar ose kah ky i yni ose kah “lepotani” Boris Tadic, i cili, dorën në zemër, ishte shumë qesharak me grimasat e tij, derisa e dëgjonte Hysenin. Boris Tadic, ky politikan të cilin nacionalistët serbë dëshirojnë ta shohin në televizion vetëm si reklamues të shamponit.
Por, harroni të gjitha këto sepse unë e kam një dilemë të vogël, që do të doja ta ndaja me ju në ketë shkrim. Kuptohet se fjala është për performansën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.

Tash po më intereson ta di: A ishte kaq markant fjalimi i Ministrit tonë para ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit, apo ju u gëzuat aq shumë, sepse moti kohë nuk po llogarisni në shërbimet e kësaj Ministrie dhe të këtij Ministri?

A mos ndoshta po gëzoheni se një fëmijë që është dashur të flasë që në moshën dy vjeçare, ka filluar të flasë në moshën gjashtë vjeçare?
Apo ndoshta edhe ne nuk jemi asgjë tjetër veçse edhe ca ballkanas të tjerë që pushtohemi nga emocionet kur armikut ia përplasim për fytyre disa fjalë të vërteta?
E mandej rri e mbytë miza edhe për disa muaj të tjerë.

Unë ende e kam të freskët spektaklin që Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, e bëri në Davos. Kur i ulëriti në fytyrë Kryetarit të Izraelit për krimet që ky shtet po i kryente në Gaza. E vërtetë që popullariteti i Erdoganit katapultoi në vendin e tij. Ai u prit në Turqi prej miliona njerëzve me ovacione. Por, siç e dini, gjendja në Gazë mbeti ajo që ishte. Dhe ndoshta nuk e dini, por mediat më me ndikim në botë nuk ka javë që nuk e përmendin pak si me frikë eksplodimin e turkut gjaknxehtë.

Gjatë kohë shqiptarët kanë folur edhe për një paraqitje të diktatorit të Shqipërisë të mbajtur në Moskë në vitet ’60. Thuhej se Enver Hoxha më zë të lartë dhe me gishtin ngritur e kishte kërcënuar liderin suprem sovjetik, Nikita Hrushqov, se kishte devijuar prej stalinizmit. Shqiptarët edhe për 30 vjet tjera janë ushqyer me ketë fjalim dhe me pak patate. Ismail Kadare ka shkruar një roman për paraqitjen e xhaxhit Enver në Moskë, piktorët e zellshëm të realizmit socialist e kanë vizatuar bastardin nga Gjirokastra në pozë triumfaliste.

Apo në rastin tjetër, tash Nikita Hrushqov, kur në kulmin e luftës së ftohtë më këpucën e tij të zbathur si i çmendur e godiste foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vetëm mund ta paramendoni pritjen që i është bërë kur është kthyer në Moskë. Por, kjo nuk ua ka lehtësuar jetën banorëve të Bashkimit Sovjetik.

Tash më lejoni të them se Ministri Skënder Hyseni nuk është i krahasueshëm me asgjë, me asnjërin prej këtyre personaliteteve botërore, që për mirë a për keq i kanë lënë fërkemat e tyre në historinë e njerëzimit.

Aleksandri ynë nuk është aq i madh sa për të bërë gjëra të tilla, edhe po ta ketë ndërmend. Por, duke pasur parasysh përkrahjen që gjeti fjalimi i tij, unë shumë frikësohem se ai do ta vazhdojë avazin e tij të vjetër. Të bëjë punën që di ta bëjë më së miri: të mos bëjë asgjë.

Ai do të presë të kalojnë gjashtë muaj dhe të shkojë në Këshillin e Sigurimit për konfrontimin e radhës. Edhe pse jam shumë skeptik për ketë. Meqë populli dëshiron të shohë polemika live, në mes përfaqësuesve tanë dhe atyre serbë, tash herën tjetër në New York do të nisën ose Sejdiu ose Thaçi. Pse ta marrë kreditin Ministri Hyseni, kur secili banor i këtij vendi nuk e ka të vështirë t’i numërojë krimet e Serbisë.

Edhe më tutje unë po besoj që Ministri Hyseni nuk ishte i dobët në performansën e tij, ama nuk tha asgjë për të cilën ne tash do duhej ta amnistonim për mospunën e deritashme.
Edhe pas këtij fjalimi, ne mbesim një vend i pranuar prej 56 shteteve botërore.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi