Pavarsia e Shqipërisë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Pavarsia e Shqipërisë

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Dec 02, 2008 12:10 pm




Ismail Qemali
PAVARESIA

Greqia ndihmoi pa dashjen e saj Pavarësinë e Shqipërisë


Ja kleçka diplomatike e Ismail Qemalit


Pse shqiptarët nxituan ta ngrinin flamurin në 28 nëntor


Strategjia financiare e Qeverisë së Vlorës


Të gjithë planet ekonomike nga industria e lehtë, krijimi i një banke, doganat, valutat, konçensionet...

[size=16]

Jakovi që bënte fushatë për serbët


Një dokument i gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, vërteton se Kuvendi i shqiptarëve i cili do të shpallte pavarësinë, pritej të mbahej ditën e hënën, më 2 dhjetor 1912. Por ngjarjet nuk rrodhën siç ishte planifikuar. Çfarë i shtyu shqiptarët të nxitohen e ta shpallin ditën e flamurit edhe pse disa delegate nuk mund të vinin aq shpejt? Cili ishte roli dhe mbështetja e Greqisë në këtë përshpejtim? Ja pse flamuri u ngrit në Vlorë ditën e enjten më 28 nëntor 1912...


Nga Ledia Dushku


Kur Ismail Qemali u nis nga Stambolli për në Bukuresht, Lufta e Parë Ballkanike kishte hyrë në fazën e fundit. Ushtria osmane e thyer po mundohej më kot t’i bënte ballë sulmit të ushtrive ballkanike. Parimi i ruajtjes së status- quo-së, i pranuar nga Fuqitë e Mëdha pa plasur mirë lufta, ishte tashmë një kartë e djegur. Qëllimet “parimore” të fillimit të Luftës nga Aleatët Ballkanikë, ia kishin lënë vendin kontradiktave mes tyre në lidhje me ndarjen e trashëgimisë osmane. Ecuria e luftës dhe përparimi i ushtrive ballkanike në viset shqiptare, jo vetëm shqetësoi, por edhe ndërgjegjësoi më shumë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kishte ardhur koha për veprime konkrete dhe të shpejta, në mënyrë që Shqipëria të kishte të ardhme politike, në të kundërt, gjasat ishin që ajo të copëtohej mes shteteve fituese ballkanike. Merita e Ismail Qemalit dhe e mbështetësve të tij qëndronte pikërisht në vlerësimin e drejtë të një situatë të tillë, vlerësim që solli më pas reagimin në kohën dhe vendin e duhur për shpalljen e pavarësisë.


***


Po pse Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht? Përveç arsyes që lidhet me mbështetjen që ai, me të drejtë, mendonte se do të gjente tek shqiptarët e kolonisë së Bukureshtit, mendoj se ka edhe një arsye të dytë. Ajo mendoj se lidhet direkt me planin që Ismail Qemali pretendonte të realizonte. Lufta Ballkanike sigurisht që do të sillte një ri përcaktim të kufijve në Ballkan. Sipas tij, zgjerimi i frontit sllav ishte evident. Në një situatë të tillë, Rumania, Shqipëria dhe Greqia duhej të ishin pjesë e frontit të dytë në Ballkan. Kështu, së afërmi Ismail Qemali mendonte se Ballkani do të ndahej në dy kampe: nga njëra anë vendet sllave Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi nga ana tjetër Rumania, Shqipëria dhe Greqia. Vetëm kështu, ai mendonte se do të mund të arrihej një lloj ekuilibri në Ballkan. Dëshira për vendosjen e një ekuilibri të tillë ishte sipas tij, një nga arsyet pse Austro-Hungaria ishte aq e vendosur për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë. Për jetësimin e një ekuilibri të tillë, krijimi i Shqipërisë ishte domosdoshmëri dhe ai nuk duhej mbështetur vetëm nga Austro-Hungaria dhe Fuqitë e tjera të Mëdha, por të paktën edhe nga Rumania dhe Greqia.


***


Menjëherë sapo mbërriti në Bukuresht, Ismail Qemali u takua me ministrin e jashtëm rumun, Take Ionesku, i cili e siguroi për mbështetjen që Rumania do t’i jepte çështjes shqiptare. Ndër të tjera ky interes lidhej edhe me popullsinë vllahe, të cilën ajo pretendonte ta shkëpuste nga ndikimi grek, duke e bërë pjesë të shtetit të ardhshëm shqiptar. Ismail Qemalit i mbetej për të konfirmuar mbështetjen për çështjen shqiptare nga Fuqitë e Trepalëshit dhe Greqia.

Javën e parë të nëntorit, Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi e Kristo Meksi, la Bukureshtin dhe iu drejtua Vjenës, ku mendohej se do të gjenin mbështetje për të ardhmen e Shqipërisë. Në takimet që Ismail Qemali zhvilloi me përfaqësuesit austriakë e italianë, u bind se kishte ardhur koha për ta lënë mënjanë autonominë dhe për të kaluar drejt pavarësisë. Pasi arriti të sigurojë mbështetjen e tyre, mbetej për të biseduar edhe me qeverinë greke. Nëse ajo mbështeste pavarësinë e Shqipërisë, rruga për diskutime të mëtejshme me Greqinë mbetej e hapur.

Ashtu sikurse kishte ndodhur edhe në momente të tjera të rëndësishme për shqiptarët, Ismail Qemali nuk kishte hezituar të kërkonte mbështetjen e Greqisë zyrtare. Ai vazhdonte të mendonte se qeveria greke përkrahte luftën e popullit shqiptar dhe të besonte se ajo do të mbështeste interesat e përbashkëta të Greqisë dhe të Shqipërisë. Në fakt, Mbretëria Greke ishte në dijeni të lëvizjeve të Ismail Qemalit. Që më 6 nëntor të 1912, fill pas mbledhjes që Ismail Qemali bëri me përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ambasadori grek atje kishte njoftuar Ministrinë e Jashtme mbi qëllimin e Ismail Qemalit për të mbledhur në Vlorë, anëtarët e komiteteve brenda dhe jashtë Shqipërisë në një kuvend kombëtar, i cili do të themelonte një qeveri të përkohshme në krye të së cilës do të ishte ai vetë. Në takimin e mesit të nëntorit të vitit 1912, Ismail Qemali vuri në dijeni ministrin e jashtëm grek, nëpërmjet ambasadorit grek në Vjenë, në lidhje me iniciativën e tij për shpalljen e pavarësisë dhe mbështetjen që kishte arritur të siguronte nga Austro-Hungaria. Qeveria shqiptare që do të krijohej prej tij, nuk do të merrte pjesë në luftën ballkanike. Në atë kohë Greqia në dallim nga Serbia nuk kishte zbarkuar ende fuqishëm në territoret shqiptare. Ajo vetëm kishte rrethuar Janinën. Nëpërmjet një njoftimi të tillë, Ismail Qemali, duket se synonte nga njëra anë të ndalte okupimin e territorit shqiptar nga ushtria greke dhe nga ana tjetër të qetësonte disi Greqinë në lidhje me pjesëmarrjen shqiptarëve në luftë si pjesë e ushtrisë osmane. Duke qenë i vetëdijshëm në lidhje me problemet që mund të shkaktonte çështja e kufijve greko-shqiptare, ai i kërkoi Greqisë njohjen e qeverisë e tij me rezervën e një përcaktimi të kufijve në të ardhme. Në këmbim të predispozitave të mira që Greqia do të shprehte ndaj Shqipërisë, kjo e fundit merrte përsipër të mbështeste Greqinë kundër koalicionit sllav. Kjo mbështetje të lë të mendosh se Ismail Qemali vazhdonte ende të besonte në planin e tij për krijimin e një fronti antisllav, duke dashur ta shkëpuste Greqinë nga koalicioni ekzistues ballkanik dhe ta bënte pjesë të tij.


***


Por a ishte e gatshme Greqia të mbështeste shqiptarët në një ndërmarrje të tillë, tepër të rëndësishme për të ardhmen politike të viseve të tyre?

Brenda zyrtarëve greke kishte një rrymë që mbante një qëndrim më realist ndaj shqiptarëve. Ajo promovohej nga drejtori i zyrës shqiptare në Ministrinë e Jashtme Greke njëkohësisht edhe këshilltar politik i komandantit të ushtrisë së Epirit, Sahturis. Ai ishte njohës shumë i mirë i çështjes shqiptare, madje ishte edhe hartues i disa raporteve e studimeve të hollësishme në lidhje me të, për qeverinë greke. Duke mbështetur shqiptarët për shpalljen e pavarësisë në Vlorë, Sahturisi dhe përkrahësit e tij pretendonin të evitonin një pushtim të mundshëm të Vlorës prej Italisë dhe njëkohësisht t’i tregonin Evropës dhe pjesës dërrmuese të shqiptarëve qëllimet e mira që Greqia kishte duke ndihmuar në themelimin e shtetit shqiptar, por pa toleruar në çështjet kufitare. Nëpërmjet një ndihme të tillë, ajo rrymë mendonte të shkëpuste Shqipërinë nga ndikimi i Austro-Hungarisë dhe mbi të gjitha nga ai i Italisë. Por mbledhjet e qeverisë treguan se mendimet e Sahturisit ishin pakicë. Ato u mbështetën vetëm nga një ministër. Të gjithë të tjerët ishin kundër.

Qëndrimin e qeverisë greke në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, e shpreh përgjigja e datës 16 nëntor 1912, që qeveria greke i transmetoi konsullit grek në Trieste, për Ismail Qemalin. “T’i thuash - i rekomandonte ai, - se nuk ke marrë ende orientime nga qeveria jote, por je i mendimit se qeveria greke do të duhej të njihte kufijtë e Shqipërisë”. Në pamje të parë të duket se një tekst i tillë, mbështet shqetësimin që kishte edhe Ismail Qemali, pra atë të kufijve. Përgjigja të krijon përshtypjen se Greqinë nuk e shqetësonte akti i shpalljes së pavarësisë. Duket se kështu u kuptua ajo edhe nga Ismail Qemali. Në takimin që ai pati me konsullin austriak në Durrës, para se të nisej për në Vlorë, i konfirmoi atij premtimin që qeveria greke i kishte bërë atij për shpalljen e pavarësisë.


***


Duket se qeveria greke nuk ishte e gatshme të deklaronte hapur qëndrimin e saj. Jam e prirur të mendoj se pavarësisht simpative reciproke që ajo dhe Ismail Qemali kishin pasur në vazhdimësi për njëri-tjetrin, qeveria greke nuk ishte e gatshme ta mbështeste pavarësinë e Shqipërisë për shkak të marrëdhënieve të afërta me Serbinë, qëndrimit që ajo kishte marrë tashmë në mbështetje të planit serb për copëtimin e territoreve shqiptare dhe frikës se shqiptarët do të kërkonin që territoret jugore të pretenduara prej saj të ishin pjesë e shtetit shqiptar. Por, ajo nuk kishte as fuqi që ta pengonte shpalljen e saj, sepse Ismail Qemali kishte siguruar mbështetje ndërkombëtare të Fuqive të Trepalëshit. Në një situatë të tillë, qeveria greke u përpoq ta vononte shpallje e Pavarësisë, të paktën deri në mbajtjen e Konferencës së Londrës. Në mungesë të reagimit shqiptar, Austro-Hungaria dhe Italia do ta kishin më të vështirë të mbronin çështjen shqiptare dhe fqinjët më të lehtë për të legjitimuar pretendimet e tyre në viset shqiptare.

Një politikë e tillë u shpreh së pari në mos heqjen e bllokadës së Vlorës, duke e detyruar anijen austriake me Ismail Qemalin në bord, të drejtohet për në Durrës. Së dyti në atmosferën penguese që atij ju rezervua në Durrës nga mitropoliti i qytetit, Jakovi. Qëndrimet e tij si ndaj shpalljes së pavarësisë ashtu edhe ndaj pushtimit të qytetit nga ushtria serbe, ishin në mbështetje të politikës greke. Zbritja e ushtrisë serbe në Durrës, shikohej nga shtypi grek, si faktor frenues i aktit të Shpalljes së Pavarësisë. I cilësuar nga një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve si “nacionalist anadollak”, Jakovi, në marrëveshje me autoritetet osmane të qytetit, doli në mbrojtje të sistemit të vjetër osman duke kundërshtuar hapur ngritjen e flamurit shqiptar në Durrës nga Ismail Qemalin. Meshat e mbajtura prej tij, kishin lënë mënjanë punët fetare për t’i përkushtuar punëve politike. Në to, Ismail Qemali cilësohej të ishte një fanatik mysliman e aventurier, dhe Pavarësia e Shqipërisë si prishëse e harmonisë mes të krishterëve e myslimanëve. Me asistencën edhe të konsullatën greke në Durrës, ortodoksëve të qytetit iu ishte bërë thirrje për t’i mbajtur shpresat tek pushtimi i shpejtë i qytetit nga forcat serbe. Ndërkohë me anë fletushkash, tregtarëve ortodoksë durrsakë u bëhej thirrje, ta shihnin me kënaqësi pushtimin e qytetit nga serbët, sepse komanda serbe do t’u jepte atyre përkrahje. Jakovi së bashku me një kryqëzor grek ishte nga pritësit e parë të serbëve në Durrës. Parullat e hedhura nga besnikët e tij shprehnin hapur kënaqësinë e pushtimit të qytetit nga serbët.


***


Në fakt, Greqia, megjithëse e dëshiroi vonesën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pa dashjen e saj ka gjasa të ketë ndikuar në të kundërtën. Nga një material i gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin e Ismail Qemalit, Kuvendi i shqiptarëve i cili do të shpallte pavarësinë, pritej të mbahej ditën e hënën, më 2 dhjetor 1912. Mbajtja e tij në atë datë sipas materialit në fjalë, lidhej me ardhjen Myfid Libohovës nga Janina, ku kishte shkuar të takonte komandantin e ushtrisë osmane, Esat pashë Janinën dhe kishte arritur të shmangte arrestimin e Ismail Qemalit nga forcat osmane. Duke tentuar të priste lidhjen telegrafike nënujore, Vlorë-Otranto, e cila pretendohej se përdorej nga organet osmane për të transmetuar lajme të rëndësishme ushtarake, Greqia duhet t’i ketë detyruar shqiptarët të shpejtonin mbajtjen e Kongresit, pa pritur ardhjen e Myfit Libohovës dhe të një pjese të delegatëve. Të vënë në dijeni mbi përpjekjen greke, përfundimi me sukses i të cilës shkëpuste edhe lidhjen e Vlorës me botën e jashtme dhe pengonte njoftimin e shpalljes së pavarësisë, delegatët shqiptarë të mbledhur në Vlorë shpallën pavarësinë e Shqipërisë, disa ditë përpara, të enjten më 28 nëntor 1912.


---------------------

vijon

Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve: 35391
Age: 60
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Pavarsia e Shqipërisë

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Dec 02, 2008 12:15 pm

Qeveria e Vlorës, Planet për ekonominë e vendit


Nga nëntori 1912 deri në janar 1914, u shënuan shumë përpjekje të qeverisë së Vlorës për të ngritur në këmbë ekonominë e vendit. Pikësynimi i saj qe t’i jepte hov zhvillimit të tregut kombëtar dhe të çonte përpara zhvillimin kapitalist. Cilat ishin aspektet e politikës ekonomike të kësaj qeverie duke nisur nga industria e lehtë, krijimi i një bake kombëtare, doganat, valutat, konçesionet, etj…


Nga Prof.dr. Kaliopi Naska


Shpallja e Pavarësisë Kombëtare ishte një ngjarje me rëndësi të madhe historike për fatet e vendit. Ajo i dha fund sundimit shekullor osman dhe i hapi rrugën zhvillimit politiko-shoqëror dhe ekonomik, në kuadrin e shtetit të lirë shqiptar. Në këtë vështrim Qeveria Kombëtare e Vlorës u mundua të përpunonte dhe të vinte në jetë një politikë ekonomike demokratike. Për këtë qëllim ajo hartoi një program, me drejtimet kryesore ku do të mbështetej dhe do të zhvillohej ekonomia e vendit. Pikësynimi i saj qe t’i jepte hov zhvillimit të tregut kombëtar dhe të çonte përpara zhvillimin kapitalist. Ajo mendonte të zhvillonte industrinë shtëpiake, (ishte fjala për industrinë e lehtë) dhe ta merrte atë në mbrojtje nga konkurrenca e huaj, duke e kufizuar me tagër doganor importin e atyre artikujve që prodhoheshin në vend. Lidhur me marrëdhëniet agrare, ajo mendonte të bënte disa ndryshime të vogla në pronësinë e tokës e mbase edhe një reformë të kufizuar agrare dhe të përqëndrohej sidomos në tharien e kënetave dhe përmirësimin e tokave bujqësore. Një drejtim tjetër në politikën ekonomike të saj përbënte zhvillimi i tregtisë, i rrjetit të transportit hekurudhor dhe rrugor.


Politika financiare


Këto drejtime të politikës ekonomike, qeveria i shprehu në artikujt e botuar në organin zyrtar të saj, “Përlindja e Shqypnies”. Mirëpo realizmi i tyre kërkonte të ardhura financiare, të cilat qeveria mendoi t’i siguronte, si nëpërmjet burimeve të mundshme të brëndshme, ashtu edhe me marrjen e ndonjë huaje të jashtme. Ato kërkonin gjithashtu një organizim të administratës ekonomike. Për këtë qeveria krijoi organizmat përkatëse, të cilat do të merreshin me zgjidhjen e detyrave që dilnin në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit. Këto organizma dhe detyrat e tyre u përcaktuan në rregulloren e parë të administratës shqiptare, të quajtur “Kanuni i Përtashëm” (i përkohshëm), i cili u botua në nëntor 1913, në organin zyrtar. Sipas këtij Kanuni, drejtoritë kryesore që do të merreshin me ndjekjen e problemeve ekonomike do të qenë, drejtoria e financave, detyrat kryesore të së cilës kishin të bënin me mbledhjen e të ardhurave publike, me mbikëqyrjen e monopoleve, me kontrollin e llogarive të përgjithshme, me hartimin e zbatimin e ligjeve financiare, si dhe ndjekjen e problemeve të bujqësisë, tregtisë, punimeve publike, të industrisë, të rregullimit të rrugëve dhe ndërtimit të hekurudhave, tramvajeve, të godinave të ndryshme etj. Drejtoria e industrisë do të tregonte kujdes për nxjerrjen dhe përpunimin e metaleve. Qeverisë i dilnin vështirësi të mëdha edhe nga prapambetja që trashëgoi nga pushtimi shekullor osman, nga shkatërrimet e dëmet e shumta që pësoi vendi si pasojë e luftërave ballkanike dhe nga ndërhyrja e Fuqive të Mëdha në punët e brendshme të Shqipërisë.


Problemi financiar


Në politikën dhe veprimtarinë ekonomike të Qeverisë së Vlorës, pa dyshim një vend të rëndësishëm zinte problemi financiar. Çdo shtet, që të ndërmarrë një politikë ekonomike, duhet të sigurojë burimet e nevojëshme si dhe institutet e organizmat financiare që i japin mundësi të zbatojë një politikë të tillë. Në këtë drejtim, si në çdo gjë, Qeveria kombëtare filloi nga e para.

Shteti i ri shqiptar i sapoformuar, nuk mund të ekzistonte pa taksa, të cilat përbënin bazën themelore të mbajtjes së tij. Këtë e diktonin edhe kushtet e Shqipërisë së prapambetur, me nivel të ulët forcash prodhuese dhe me burime financiare të pamjaftueshme. Gjendja e rëndë financiare keqësohej edhe më për shkak të pranisë së ushtrisë turke, në territoret e vendit dhe nga shkatërrimet e luftërave ballkanike. Në këto rrethana, për t’i dhënë rrugëzgjidhje problemit financiar, Qeveria e Vlorës mori disa masa dhe bëri disa përpjekje, ndonëse të pamjaftueshme. Në zonën ku ajo ushtronte kontrollin e saj, vendosi që të ardhurat të kalonin në arkën e shtetit shqiptar, duke i dhënë fund kështu njëherë e përgjithmonë grabitjes fiskale nga ana e Qeverisë Osmane.


Një bankë kombëtare


Ndër masat e para e të menjëhershme që u morën pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, qe likuidimi i Bankës Bujqësore Osmane në Shqipëri. Kjo bankë që ishte një institut krediti bujqësor, në bazë të Statutit jepte hua me afate të shkurtra, të mesme, dhe të gjata. Me rastin e likuidimit, gjithë nëpunësit e degëve të kësaj banke në Shqipëri u urdhëruan që të njoftonin llogaritë e tyre me hollësi e pa gabime. Ministri i Bujqësisë, Pandeli Cale, njoftohej nga Qeveria, që të merrte sa më shpejt masa për të nxjerrë në shesh, gjendjen e arkës së Bankës Bujqësore me të holla efektive, sa ishte interesi e sa ishin kreditë etj.

Në përpjekjet për zgjidhjen e problemit financiar, një vend të rëndësishëm zinte krijimi i bankës kombëtare, si institut emetimi i monodhës dhe dhënies së kredive, për mëkëmbien dhe organizimin e veprimtarive ekonomike në vend, për përkrahjen e nismave në këtë fushë, në rradhë të parë nga borgjezia vendase. Vetë idea e krijimit të një banke të tillë ishte pozitive e me rëndësi. Asnjë shtet i pavarur nuk mund të bëjë pa një bankë kombëtare dhe ekonomia e vendit pa këtë institucion nuk mund të organizohet e të eci normalisht. Në vendin tonë atëhere qarkullonin monedha të vendeve të ndryshme, nuk kishte njësi monetare e monedhë kombëtare, kursi i valutave të huaja ndryshonte nga njëra krahinë e vendit në tjetrën. Prandaj Qeveria e Ismail Qemalit mendoi se me krijimin e bankës mund të siguronte zhvillimin ekonomik të vendit. Me këtë veprim kryetari i qeverisë mendonte të “siguronte të dytin fitim”, siç e quante ai, nga ana politike dhe ekonomike, pas Shpalljes së Pavarësisë. Për këtë qëllim, mbas bisedimesh të gjata, qeveria pranoi propozimin e bërë nga Banka austriake (Ëiener Bank Verein) dhe nga Banka italiane (Banca Commerciale Italiana) për të themeluar së bashku Bankën Shqiptare. Marrëveshja me dy bankat e mësipërme u nënshkrua më 4 tetor 1913. Ajo parashikonte krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me një afat prej 60 vjetësh, me kapital austro-italian.

Gjatë bisedimeve për themelimin e bankës, kryetari i qeverisë luftoi kundër orvatjeve të grupeve financiare austriake e italiane për t’i imponuar qeverisë kushte skllavëruese dhe ia arriti deri diku qëllimit. Këto grupe pranuan një varg kërkesash të tij, të cilat gjetën miratimin në akt-koncesionin. Sipas këtij akti Banka do të administrohej nga një këshill, që do të qe i përbërë nga përfaqësues të dy grupeve dhe me elemente shqiptare. Qeverisja e saj do të bëhej sipas ligjeve në fuqi në Shqipëri. Qeveria Shqiptare kishte të drejtë të emëronte dhe të kontrollonte nxjerrjen e biletave, por nuk do të ndërhynte në administrimin dhe studimin e punëve të bankës etj. Me këto masa banka do të ndihmonte konkretisht në krijimin e sistemit monetar dhe të kreditit në Shqipëri.

Ismail Qemali e konceptoi atë si një institut, që nuk duhej t’i shpëtonte kontrollit të shtetit shqiptar e që nuk mund të bënte si të donte. Ai e kuptonte se pavarësia e vendit nuk duhej lejuar të cënohej. Mirëpo perfundimi i saj i dha shkas shpërthimit të një kundërshtimi të mjaft rretheve shqiptare që u shqetësuan nga ndërhyrja e huaj, të cilën e kuptuan si një rrezik për pavarësinë ekonomike dhe politike të vendit. Kjo e detyroi kryetarin e Qeverisë të jepte disa shpjegime në fjalimi që mbajti më 21 tetor 1913. Krijimin e bankës e gjykonte si “pas kohës që gjendemi” si një forcim të pozitave të brendshme dhe të jashtme të shtetit shqiptar. Kamata që do të merrte banka, qe me leverdi dhe për pagimin e saj “as njeri nuk do të gjendej në shtrëngim”, vinte në dukje Ismail Qemali. 10 milionë franga të bankës do të përdoreshin nga shqiptarët për çdo punë, me kamatë 4.5 e 6 % e jo me kamatë 20,30 e 70 %, siç praktikohejnga fajdexhinjtë.

Krijimi i bankës do të shërbente edhe për ndërtime industriale, për ndërtimin e hekurudhave, të limaneve etj. Në këtë drejtim qeveria do t’i jepte asaj të drejtën e përdorimit të investimeve vetëm aty ku ishte leverdia më e madhe.

Me gjithë kushtet që i vuri Ismail Qemali marrëveshjes së bankës, krijimi i një banke me kapitale shqiptare do të qe zgjidhja më e drejtë. Por këtë me s’a duket, shokët e tij dhe ai vetë e shikonin të vështirë dhe preferuan, bankën me kapital të huaj, por nën kontrollin shqiptar. Por ky koncesion nuk u aprovua nga një pjesë e mirë e opinionit publik shqiptar, për shkak se sistemi monetar, krediti bankar dhe financat e vendit do të viheshin nën kontrollin e Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Por banka e krijuar, nuk arriti të zhvillojë ndonjë veprimtari. Ajo u kundërshtua nga fuqitë e Antantës, të cilat e vendosën Shqipërinë nën kontrollin e të gjashtë fuqive, duke përfshirë dhe anën financiare të saj.


Doganat dhe valuta


Qeveria e Vlorës i kushtoi rëndësi edhe mbledhjes së të ardhurave nga tagri doganor. Me Shpalljen e Pavarësisë, organizimi i administratës doganore u kufizua kryesisht në doganat e Durrësit dhe të Vlorës. Shkëputja e vendit nga Perandoria Osmane nuk solli donjë ndryshim në regjimin doganor, administrata shqiptare vijoi të zbatonte legjislacionin e mëparshëm. Taksa e doganës ishte 11% mbi vleftën e mallrave që importoheshin. Qeveria e Vlorës ndryshoi vetëm taksën e importit të duhanit, që u shtua deri në 30%, për t’i vënë fre importit, që konkuronte prodhimin vendas dhe rrënonte prodhuesit e vegjël dhe trëgëtarët. Qeveria mori një vendim për vleftën e arit në doganë. Duke filluar nga 1 shtatori pagesat në doganë do të bëheshin në ar (flori). Lira turke do të merrej për 100 grosh, napoloni per 88 dhe mexhidja për 18. Ndërsa në treg, lira do të prishej me 108 grosh, napoloni me 95 dhe mexhidja me 20 grosh. Nga ato pak masa që mori Qeveria të ardhurat nga dogana u shtuan, sidomos pasi ,u hoq rrethimi i Vlorës nga flota greke.


Taksat


Në politikën financiare të qeverisë një kapitull më vehte ishte vjelja e taksave nga popullsia. Ndër taksat kryesore që ajo vilte ishte ajo mbi bagëtinë e imët, ose xhelepi, e cila merrej mbi bazën e numurit të krerëve të bagëtisë, taksa e karantinës dhe e veterinarisë, taksa e së dhjetës, që e jepte dhe me sipërmarrje, taksa e rrugës që e paguante çdo person mashkull dhe merrej për meremetimin e rrugëve dhe të urave, me shpalljen e pavarësisë kjo taksë u quajt taksë kalimi. Kështu në Durrës më korrik të vitit 1913, si taksë kalimi merrej 5 groshë nga ata që shkonin jashtë shtetit dhe 1 grosh për ata që shkonin nga një qytet në tjetrin.


vijon

Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve: 35391
Age: 60
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Re: Pavarsia e Shqipërisë

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Dec 02, 2008 12:16 pm

Politikat agrare


Shpallja e Pavarësisë Kombëtare e gjeti Shqipërinë një vend thellësisht agrar me mbeturina të theksuara feudale. Në fillimet e veprimtarisë së saj, qeveria nuk qe në gjendie të dilte me një program ekonomik të qartë e të përcaktuar që t’i kushtohej problemit të fshatarësisë. Pavarësisht nga vështirësitë që kishte ky problem nuk mund të mbetej jashtë vëmëndies së saj. Rezultat konkret në këtë punë qenë përpiekjet për shpëtimin e pronës shtetërore mbi tokën nga grabitjet e çifligarëve privatë. Për zbulimin e pasurive shtetërore të grabitura qeveria formoi një komision hetues, i cili do të mbronte kamjen e të varfërve dhe të qeverisë dhe t’u jepte fund paudhësive siç e quante ajo. Komisioni kishte për detyrë të vendoste kufijtë e vërtetë të çifliqeve, pronarët e tyre duke marrë parasysh tapitë, dëshmitë e vëndasve dhe gjithë të dhëat e tjera të cilat mund t’i shërbenin këtij qëllimi. Komisioni veproi deri në muajin dhjetor 1913 dhe kryesisht në Myzeqe. Me gjithë përpiekjet që u bënë, komisioni i hetimit të tokave nuk e shtriu veprimtarinë e tij në të gjithë territorin ku ushtronte kontrollin e vet Qeveria e Vlorës, kështu që kjo masë nuk u çua deri në fund. Sa kohë që qe në fuqi Qeveria e Vlorës nuk e shtroi për zgjidhje çështjen agrare. Këtu ndikuan një sërë rethanash, si koha e shkurtër e qëndrimit të saj në fuqi dhe problemet e tjera të rëndësishme që qenë në rend të ditës si çështja e kufijve dhe ruajtjes së sovranitetit të vendit.


Konçensionet


Në kushtet politike që kalonte vendi kryetari dhë qeveria nuk mundën të linin jashtë vëmëndies gjetjen e burimeve financiare për të nxjerrë vendin nga prapambetja. Pasi shoshitën mundësinë e brendshme dhe pasi e panë që shumë pasanikë që kishin kapitale hezitonin t’i vinin në përdorim (si për arësye të pasigurisë politike ashtu dhe të mungesës së përvojës) menduan të kërkojnë ndihmë financiare nga jashtë dhe t’u jepnin konçensione të huajve. Me këtë qeveria mendonte jo vetëm të zhvillonte ekonominë por edhe të siguronte mbështetjen e fuqive. Ismail Qemali ishte i mendimit se koncensionet nuk i duheshin dhënë vetëm një Fuqie të Madhe, por disave prej tyre, sepse ruajtja e ekuilibrit ndaj fuqive që ushqenin synime ndaj Shqipërisë, mund të shmangte rrezikun e futjes së saj nën vartësinë ekonomike e politike të njërës apo tjetrës. Kështu për shëmbull qe dhënia e konçensionit të ndërtimit të Tramit Vlorë-Uji i Ftohtë një kompanie të përbashkët austro-italiane për 36 vjet, për ta përfunduar brenda 7 muajve. Ai u dha me këto kushte të parashikuara nga Qeveria e Vlorës: do të ishte nën kontrollin e qeverisë dhe nëpunësit do të ishin shqiptarë; çmimet do të vendoseshin nga qeveria, e cila do të kishte të drejtën për të marrë 30 % nga fitimet. Konçensioni jepej mbi parimin e garancisë reciproke, që do të vendosej me rregullore të veçanta. Të tilla veprime ndërmorri mjaft qeveria në kohën e shkurtër që ajo veproi, duke influencuar që në konçensionet që jepte ato të përfundonin sa më parë , pasi pozita e saj politike vështirësohej mjaft me ardhin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fuqive të Mëdha në vend.


Mbyllja e ëndrrës


Qeveria e Vlorës ju bëri mjaft kërkesa fuqive të interesuara në Shqipëri për investime që të sillnin specialistë të huaj. Po kështu ajo me anë të shtypit u bëri thirje inxhinjerëve dhe specialistëve shqiptarë që qenë jashtë të fushave të ndryshme të ekonomisë të ktheheshin në vend, për të punuar për mëkëmbjen e ekonomisë dhe ndërtimit të vendit. Por ky aksion i ndërmarrë nga qeveria u ndërpre, sepse në Shqipëri në tetor të 1913 erdhi Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i cili pezulloi të gjitha veprimet e Qeverisë së Vlorës në fushën politike dhe ekonomike. Ismail Qemali më 22 janar të vitit 1914 u detyrua t’ja dorëzojë pushtetin këtij Komisioni. Qeveria e tij me gjithë kohën e shkurtër që qe në fuqi ndoqi një politikë ekonomike, që kishte në vija të përgjithëshme synime dhe përmbajtje demokratike. Me veprimet që ndërmori qeveria e tij u përpoq të ruante dhe të siguronte pavarësinë politike të vendit.


------------------


Shtypi dhe Pavarësia


Dita e Flamurit


Nga Gjergj Bubani


Sot, gjithë fryma shqiptare, bren da dhe jashtë Atdheut, kremton madhënisht kujtimin e ditës së lume kur në Vlonë dora e një plaku ngrinte një Flamur - Flamurin e Skënderbeut - dhe ngjallte një Shtet - Shqipërin’ e lirë!

Tetëmbëdhjetë vjet mbushëm sot nga dita e shënuar e 28 Nëntorit 1912. Në tërë këtë kohë Shqipëria e lindur prej gjestit të asaj dite, kaloi fazat më të vështira që pruri me vete çdo fillim jetese, dhe ja se ku po hyn, e ringjallur, e fortë e plot ashk për punë e përparim, në një fazë të re konstruktive, e cila shpejt do ta shtyjë në krahët e qytetërimit të vërtetë.

Sa mundime e sa therori u deshën derisa ia mbërritëm kësaj dite! Sa shpirtndritur idealistë u sakrifikuan, përpara dhe pas indi-pendencës shqiptare, në altarin e shenjtë të Atdheut, për të vaditur me gjakun e tyre fisnik shelgun e Lirisë Shqiptare, për të mbrojtur me gjoksin e tyre të çelniktë nderin e namin e Flamurit Kombëtar!

Shqipëria u bë, liria jonë u sigurua, vetëqeverimi ynë u çimentua, por shumica e atyre që punuan një jetë të tërë për realizimin e Ëndrrës Shqiptare, flenë nën dhe, pa e gëzuar dot ditën e sotme.

Këta martirë të Kombit, le t’i kujtojmë sot me veneratë. Me ndërgjegje të pastër le të ngrehim zemrat tona deri te naltësia kulminante e idealit të shenjtë që i pati udhëhequr, dhe le të mundohemi të tregohemi të denjë gjurmashë të tyre. Trashëgimin që na lanë, ta ruajmë me shenjtëri, ta zbukurojmë në kohë paqeje me djersën e ballit dhe ta mbrojmë në kohë të keqe me gjakun tonë.

Gjenerata që kaloi përpara nesh, e bëri detyrën e saj, e lau borxhin e saj. Nga puna e nga përpjekjet e saj u lind Shteti Shqiptar dhe Flamuri krenar i fatosit tonë Gjergj Kastrioti valon sot i lirë mbi tokën shqiptare. Por vepra nuk është e plotë. Dhe duhet plotësuar. Ata e nisën, ne na bie barra ta mbarojmë.

Një pjesë e madhe e tokës sonë katragjyshore rënkon në robëri. Gjysma e fisit shqiptar rron nën thundër. Këto sende s’duhet asnjë grimë t’i harrojmë. Një luftë e re, më e keqe dhe më e ashpër nga e para ka filluar për shqiptarët e vërtetë. Dëshmorë të rinj po bien dita-ditës për idealin e naltë kombëtar dhe vargu i tyre nuk do mbyllet veç ditën kur trumbeta e lirisë do tingëllojë mbi çdo mal, bjeshkë, kodër e fushë shqiptare, veç ditën kur Flamuri i Kuq me Shkabën Dykrenore do valojë, krenar e madhështor, mbi gjithë Shqipërinë, mbi çdo çip toke ku zotëron gjaku shqiptar, ku tingëllon gjuha shqiptare.

Këtë duhet ta ketë parasysh çdo burrë në rembat e të cilit valon gjak i pastër arbënor. Ëndrra jonë duhet të jetë: “Shqipëria e lirë gjer në kufiret e saja ethnografike.” Dhe kësaj ëndrre të mos i ndahemi.

Çdo vepër e madhe bëhet me punë dhe me bashkim. Ne punës nuk i shmangemi, por të bashkuar në mes tonë s’jemi. Kjo është fatkeqësia. Dhe në dorë tonë qëndron ta zhdukim këtë fatkeqësi. Për hir të Atdheut, pra, sot, në këtë ditë të shënuar, le të hedhim prapa krahëve çdo kujtim të keq, çdo mëri dhe nakar, dhe le të lidhemi si një trup, që të mundim t’i gatitim Shqipërisë një tjetër ditë si ajo e 28 nëntorit 1912.


Shqipëri’ e Re, 28 nëntor 1930, v. XII, nr. 447, f.


-------------------------


Jakovi që bënte fushatë për serbët


Në atmosferën penguese që ju rezervua Ismail Qemalit në Durrës duhet veçuar ajo e mitropolitit të qytetit, Jakovi.


Në marrëveshje me autoritetet osmane të qytetit, doli në mbrojtje të sistemit të vjetër osman duke kundërshtuar hapur ngritjen e flamurit shqiptar në Durrës nga Ismail Qemalin.


Në meshat e tij Ismail Qemali cilësohej të ishte një fanatik mysliman e aventurier, dhe Pavarësia e Shqipërisë si prishëse e harmonisë mes të krishterëve e myslimanëve.


Ai u bënte thirrje ortodoksëve të qytetit për t’i mbajtur shpresat tek pushtimi i shpejtë i qytetit nga forcat serbe.


Me anë fletushkash, tregtarëve ortodoksë durrsakë u bëhej thirrje, ta shihnin me kënaqësi pushtimin e qytetit nga serbët, sepse komanda serbe do t’u jepte atyre përkrahje.


Jakovi së bashku me një kryqëzor grek ishte nga pritësit e parë të serbëve në Durrës. Parullat e hedhura nga besnikët e tij shprehnin hapur kënaqësinë e pushtimit të qytetit nga serbët



Milosao


www.zemrashqiptare.net

Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve: 35391
Age: 60
Location: Kosovë
Registration date: 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi