Teki Dervishi:Sparksi po kujton se është francez

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Teki Dervishi:Sparksi po kujton se është francez

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Apr 29, 2011 10:17 pm


Sparksi po kujton se është francez


Shkruan Teki Dërvishi
Sheshi në sirtar


Unë nuk e kam ndërmend t’ia përkujtoj zotit Sparks historinë e gjatë të luftërave të Francës me Anglinë, por dua t’ia përkujtoj se në ato luftëra midis Francës dhe Anglisë, gjithnjë ka dalë e humbur Anglia.

Sparksi, shumë herë i apostrofuar në shkrimet e mija, (e unë për të mirë s’e apostrofoj asnjë ndërkombëtar) gjithnjë e më shumë po i nxjerr dhëmbët-proteza të ujkut të çalë. Sot tha se ai (demek) do të kërkojë sqarim nga Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, sepse ministri ka pasur guxim që të vlerësojë punën e “misionarëve” të EU-lex-it francez si një punë “jo efikase”. Nuk ka pasur të drejtë ministri, sepse EU-lex-i ka qenë dhe është shumë efikas në ruajtjen e “status quo”-në Kosovë, efikas në ndarjen e Kosovës Veri-Jug dhe në kryerjen e punëve të administratës policore të shtetit zyrtar të Serbisë në selinë e EU-lex-it në Prishtinë dhe Mitrovicë.

Tash merreni me mend, polici ndërkombëtar (“rendi” dhe “ligji” kolonizator ndërkombëtar i gjithë botës mbarë në Kosovën e vogël) do ta marrë në pyetje dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Ministri i Punëve të Brendshme. Mos e merrni për censurë, por ministri nuk bën të flasë pa marrë leje në EU-lex) ose pa u paraqitur në bisedë informative në policinë e EU-lex-it (ose Sparksit, si të doni) siç e kishte zanat policia serbe dikur (dhe sot) në EU-lex. Polici e merr në përgjegjësi ministrin e punëve të brendshme të shtetit!!! Ky është “rendi” dhe “ligji” pra sistemi dhe procedura e tij policore që doni, hajt, le të jetë edhe “ligjore”. Po si jo, por ministri i takon një shteti të cilën nuk e pranon policia sundimtare e “ligjit” të shtetit të ministrit. kurse polici nuk është i një shteti të papranuar, por është polic ndërkombëtar, që do të thotë edhe polic rus, në rastin konkret, polic anglez që kujton se është francez me vetë faktin se është zv.shef i EU-lex-it, që do të thotë i UNMIK-ut, që do të thotë i Këshillit të Sigurimit, që do të thotë i Rumanisë ose BE-së, njësoj. Mos kujtoni ju se Sparksi… jo more, Sparksi…

Kur ishte ambasador i Anglisë në Kosovë i gjori Sparks, seç i rridhte gjuha tambël e mjaltë kur fliste për “kosovarët” (për të ardhmen e tyre por jo për të sotmen e tyre evropiane, ata do të integrohen në Evropë kur ta mësojnë anglishten me theks britanik dhe ta harrojnë shqipen letrare, ta mbajnë mend shqipe krahinore provinciale dialektore) kështu që e mirëkuptonin edhe shqiptarët naivë popullistë të ekskomunikuar dhe diskriminuar ekonomikisht dhe kulturalisht.

Ore, po ju them, dëgjoni, është hidhëruar Sparksi! Nuk po e sheh cila ka qenë arsyeja që ministrit të dalë me këso deklaratash për punën joefikase të EU-lex-it. Ndoshta po i duket pak ministrit efekti i EU-lex-it në inkriminimin propagandistik ndërkombëtar kundër Kosovës, si shtet “i dështuar”, ndaj ndoshta po i duket pak ministrit mënyra si po e kultivon “sundimtari i ligjit” kontrabandën dhe krimin e organizuar serb në doganat që janë “kompetencë e “ligjit” dhe “rendit” ndërkombëtar të EU-lex-it, mbase po i duket ministrit joefikase puna e EU-lex-it në rundin e fundit të nokautimit të prestigjit të Luftës Çlirimtare të Kosovës, ndoshta nuk është treguar EU-lex-i shumë efektiv në burgosjen dhe njollosjen e gati çdokujt që ende guxon ta konsiderojë veten shqiptar e jo kosovar.

Sparksi patetik dhe i nervozuar si tipik politikan polic i EU-lex-it (reparti anglez), pyet në konferencë mediesh (në të cilën konferencë, çudi nuk e burgosi asnjë gazetar) pyet kështu: “A mendoni se kësisoj është gjendja”? (demek siç po thotë ministri Rexhepi). A mendoni (shumësi, kush jeni ju që “a mendoni”, kujt i drejtohet Sparksi si Enveri këtyre herësh, ku është adresa, kush janë ata që nuk guxojnë të mendojnë si ministri), a mendoni se gjendja është kësisoj? Po kjo pyetje i duket pak punëtorit anglez në misionin francez të Kosovës, dhe vazhdon kështu: “A mendoni se njerëzit kanë të drejtë të mendojnë kështu” (demek si ministri Rexhepi)? Nuk guxoni pra të mendoni kështu, hiqni mendimet negative mbi EU-lex-in, unë shtoj këtu, mos mendoni ju se EU-lex-i ka protokolle zyrtare mbi “rendin” dhe “ligjin” e shtetit të Serbisë, dhe mos mendoni se këtë rend dhe këtë ligj të Serbisë në Kosovë nuk e zbaton EU-lex-i në mënyrën më efektive të mundshme. E tejkalon edhe kërkesën e Serbisë. Nuk ka qenë Serbia kaq “protokolliste” me Kosovën, sa është ky farë Sparksi, më falni EU-lex-i.

Në fund Sparksi katarzisohet tamam si Hamleti kur kthehet nga Anglia në Danimarkë, dhe klith para gazetarëve, më shumë me sy sesa me klaviaturë mizantrope, e thotë: “Nëse është kështu, atëherë nuk ka asnjë qëllim që ne të jemi këtu” (demek nëse është kështu si thotë Rexhepi, EU-lex-i nuk ka kurrfarë nevoje të jetë këtu, në Kosovë. Ku-ku, e çka bëjmë ne pastaj pa repartin e policisë serbe në Kosovë?!

A dihet koha kur në Kosovë pushteti absolut i Serbisë filloi t’i “diferenconte” funksionarët politikë me tituj ministra në Krahinën Autonome? Kur një pushtet i huaj “i rendit” dhe “ligjit” i kërcënohet publikisht ministrave të pushtetit zyrtar, kjo i thotë të gjithë. Por një gjë le ta dijë Sparksi, në çfarëdo varianti, ky popull shqiptar do t’i dalë në krah çdo ministri që anatemohet dhe nënçmohet nga policia e huaj ndërkombëtare, e cila vërtet, nuk ka më nevojë të jetë këtu. Për një arsye të vetme, që Sparksi e quan “qëllim”? Për qëllimin e EU-lex-it tashmë dinë të gjithë. Ngadalë-ngadalë do ta thonë të gjithë, madje nëpër sheshet e qyteteve të Kosovës. Ky popull më shumë e duron dhunën sesa arrogancën e atij i cili nuk e pranon këtë popull, këtë shtet. Mund t’i burgosni e t’i vrisni, por mos i ofendoni shqiptarët!
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi