Enver Bytyçi:Kujt i shërben propozimi më i ri i Boris Tadiç?

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Enver Bytyçi:Kujt i shërben propozimi më i ri i Boris Tadiç?

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Mar 29, 2011 5:32 pm

Kujt i shërben propozimi më i ri i Boris Tadiç?


Enver Bytyçi

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar pardje në Bruksel se “Ne do të dëshironim të zgjidhnim konfliktet historike, që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet mes serbëve dhe shqiptarëve. Kjo është saktësisht ajo që po përpiqemi të arrijmë, që do të thotë të arrijmë një kompromis. Dhe jo të kemi një palë që humbet gjithçka dhe një tjetër që fiton gjithçka. Është e thjeshtë”. Këto negociata për kompromis Tadiç i ka kërkuar gjatë punimeve të forumit të organizuar në Bruksel nga German Marshall Fund, forum i cili zhvillon veprimtarinë e tij në kuadër të Aleancës së Atlantikut. Ndërkohë ai është shprehur që arritjen e këtij kompromisi ta realizojë jo me përfaqësuesit legjitimë të Kosovës, por me përfaqësuesit e shtetit shqiptar, pra me Tiranën zyrtare. Sipas tij “Një konflikt 100 vjeçar shqiptaro-serb u dashka zgjidhur përmes bisedimeve me Tiranën, duke anashkaluar Prishtinën”. Sipas Tadiç, meqenëse shqiptarët nuk duan të jetojnë nën sovranitetin e Serbisë, atëherë dhe serbët në Kosovë kanë të drejtën ta refuzojnë sovranitetin e një shteti shqiptar, çfarëdo të jetë ai, i një Shqipërie të Bashkuar, apo i një shteti të Kosovës. “Qëllimi im është të zgjidhim konfliktet historike që ekzistojnë në Ballkan”, është shprehur Boris Tadiç. Kjo deklaratë e cila ka bërë jehonë në shtypin botëror, ka per qëllim, siç shprehet Tadiç, ndarjen e Kosovës, pasi siç thotë ai, "Nuk është e drejtë që njëra palë (shqiptarët) t´i fitojë të gjitha dhe tjetra (serbët) t´i humbin të gjitha".

Se çfarë kërkojnë autoritetet serbe dhe se cila është prapavija e këtij opsioni të ri, i cili ishte lënë të nënkuptohej para disa ditësh gjatë një interviste të Tadiç për Baton Haxhiun, është momenti të analizohet dhe të gjykohet, me qëllim që më pas të proçedohet me një përgjigje adekuate dhe një qëndrim të drejtë. Nuk ka asnjë dyshim se presidenti serb ka për qëllim të forcojë pozitat e tij të brendshme e të jashtme dhe mbrojë gjithashtu interesat strategjike të vendit të tij. Ndërkaq është e lexueshme se ai po përpiqet të përfitojë nga ofertat euro-atlantike, sidomos nga oferta për pranimin e vendit të tij në NATO. Ambasadori i Rusisë në Beograd ka shfaqur pakënaqësinë e tij për një afrim të mundshëm të Serbisë dhe anëtarësim të saj në Aleancën e Atlantikut. Madje ai ka kërcënuar, duke paralajmëruar se zgjerimi i NATO-s me Serbinë cënon interesat strategjike të Rusisë. Në këto kushte Tadiç duket se ndodhet para presionit të radikalëve të Shejshelit, Nikoliçit dhe Koshtunicës në opozoitë si dhe para dilemës së përhershme serbe “Me Perendimin, apo me Moskën”?! Fakti që në forumin e German Marshall Fund ishin të pranishëm me shumicë përfaqësues nga Beogradi dhe asnjë nga Kosova dëshmon se NATO ka shfaqur një interes të veçantë për pranimin e Serbisë në Aleancë. Fakti që Tadiç dhe shumë personalitete të tjera janë përfshirë në veprimtaritë dhe forumet euro-atlantike, dëshmon gjithashtu se ata janë të gatshëm të integrohen përveçse në BE edhe në NATO. Por në Serbi pokeri politik është në nivelin e lojës virtuoze, ndërkohë që në Kosovë, së paku në Kosovë, politika është e tipit “Ok, si urdhëron”. Boris Tadiç ka zgjedhur që në procesin e pranimit në NATO të vendit të tij të vendosë disa kushte, të cilat ai mendon se mund t’i imponojë te faktori ndërkombëtar. Dhe me qëllim që kushtet të duken të pranueshme e “të logjikshme”shprehet për “dialog”, “bisedime”, “zgjidhjen e një konflikti 100 vjeçar” etj. Në këtë pjesë të politikës së tij ai ka projektuar propozimin më të ri për ndarjen e Kosovës në marrëveshje me Tiranën zyrtare.

Nga pikëpamja formale iniciativa e zgjidhjes së një konflikti njëshekullor tërheq vëmendjen e politikës dhe diplomacisë perendimore, edhe sikur të mos kishte qarqe dhe qeveri në Europë, të cilat janë të angazhuara pro Beogradit, e për rrjedhim kundër Kosovës. Por çfarë fshihet pas kësaj iniciative?

Së pari, Boris Tadiç synon që të tërheqë vëmendjen e opinionit serb. Në Serbi është tashmë e ditur se ish-kryeministri i vitit 1913, Nikolla Pashiç, u deklaronte Fuqive të Mëdha se “Shqiptarët nuk meritojnë shtetin së paku edhe për 100 vjet, pasi ata nuk janë të përgatitur për vetëqeverisje. Për rrjedhojë, thoshte ai, në këto 100 vjet për shqiptarët duhet të kujdeset dikush tjetër, në rastin konkret Serbia”. Duke artikuluar këtë deklaratë të para 98 viteve, Tadiç u thotë serbëve se ai “po realizon një parashikim të paardhësit të tij më “të lavdishëm”, Nikolla Pashiçit. Dhe serbët do ta pranonin këtë kurs politik të tij, sepse Tadiç u thotë njëkohësisht bashkëkombasve të tij se “Ai shqiptarëve po ua shkëput edhe një pjesë të territorit, Kosovën veriore, gjë që është shumë më tepër se ajo që Pashiç kishte parashikuar para një shekulli”. Pra, propozimi i presidnetit serb është një kurs politik në shërbim të forcimit të pozitave të tij të brendshme. Ndërkohë në këtë kurs ai bën presion te ndërkombëtarët: “Nëse ju jeni dakort me propozimin e ndarjes së Kosovës, atëherë unë do të jem në pushtet në Serbi dhe Serbinë do ta sjell në NATO”. Në funksion të këtij presioni ai e përdori vizitën e para disa ditëve të Vladimir Putinit në Beograd, vizitë e cila u duk se nuk kishte në fokusin e saj anëtarësimin ose jo të Serbisë në NATO, por që në të vërtetë këtë mesazh ka dhënë.

Së dyti, Boris Tadiç ka arritur disa rezultate të dukshme gjatë menaxhimit që ai i ka bërë çeshtjes së Kosovës, duke filluar që nga koha kur ndodhën bisedimet shtesë për statusin (2007) e deri te presioni i fundit për të realizuar bisedimet e ashtuquajtura teknike me Prishtinën zyrtare. Të gjitha aksionet e tij politike kanë rezultuar me një sukses të përkohshëm të admirueshëm, suksese të cilat kanë zbehur vendimin më të rëndësishëm e historik kundër vendit të tij, të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e kishte shpallur më 22 korrik të vitit të kaluar për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Propozimi i fundit i tij më së paku do të arrijë atë sukses që kanë arritur propozimet e mëparshme. Ai do të ketë një shans më shumë për t’u thënë përsëri vendeve të ndryshme në botë “Mos e njihni pavarësinë e Kosovës, sepse ne jemi në një proces bisedimesh, sepse ne synojmë një marrëveshje, duam një kompromis historik” e të tjera formula demagogjike, të cilat do të shkonin në dëm të Kosovës, të sovranitetit, integritetit dhe pavarësisë së saj. Nga ana tjetër ndikimi do të ishte i pamasë në komunitetin serb në Kosovë, të cilit i çohet mesazhi që ata të rezistojnë në mosnjohjen e sovranitetit shtetëror të Prishtinës, sepse në fund do të “arrihet një marrëveshje me Tiranën zyrtare për bashkimin e tyre me Serbinë”. Pra, më së paku, ashtu si bisedimet teknike, bisedimet me Tiranën zyrtare do ta dobësonin pavarësinë e Kosovës dhe do të krijonin praktikisht kushte shumë të favorshme për realizimin de jure të ndarjes së territorit të saj. Madje në këtë rast nuk do të kishte më nevojë të bisedohej për ndarjen e Kosovës, sepse praktikisht kjo do të finalizohej nga ana e Beogradit.

Së treti dhe më kryesorja: Boris Tadiç synon që ta përçajë faktorin shqiptar në Ballkan. Nëse Tirana zyrtare do ta pranonte propozimin e Tadiçit, atëherë përfaqësuesit legjitimë të Kosovës do te viheshin në pozitën e mosekzistëncës si faktor dhe si realitet. Nëse Tirana nuk do ta kundërshtojë kategorikisht propozimin e Beogradit zyrtar, do të këmi një përçarje të pariparuseshme të faktorit politik shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e me radhë. Faktori politik shqiptar edhe kështu është i përçarë e në konflikt. Tadiç vetëm se ka vendosur rubinetin e gazsjellësit “Gazprom” në vatrën e zjarrit midis shqiptarëve. Kjo do të lehtësonte qëllimin e Serbisë jo vetëm për ndarjen e Kosovës, por edhe për ndarjen e Maqedonisë, veriun e së cilës e dëshiron Beogradi nën sqetullën e vet.

Ka dhe faktorë të tjerë që e kanë nxitur presidentin serb që të iniciojë atë që vendi i tij e ka paraqitur si gogol në botën e qytetërurìar “të ashtuquajturën Shqipëri të Madhe”. Në të vërtetë ai nuk e ka hallin te “Shqipëria e Madhe”, ai përkujdeset që ta krijojë Serbinë e Madhe, brenda së cilës të jenë një pjesë e Kosovës, një pjesë e Maqedonisë, gjysma e Bosnjë-Hercegovinës, ndoshta dhe një pjesë e Malit të Zi. Kjo duket që në formulimin që ai ka dhënë: “Zgjidhje e problemeve 100 vjeçare në Ballkan”. Në funksion të kësaj shihet “zgjidhja” e konfliktit shqiptaro-serb. Por po të vemë re procesin e zhvillimit e të degradimit të këtij konflikti gjatë shekullit të XX, atëherë del qartë se konflikti shqiptaro-serb nuk i ka rrënjët në Shqipëri. Rrënjët e këtij konflikti kanë qenë historikisht në Kosovë dhe mjetet që Serbia ka përdorur për zgjidhjen e tij kanë qenë gjithnjë në ekstrem të dhunëshme. Në 100 vjet llogaritet që numri i viktimave të shqiptarëve të shkaktuara nga shteti, qeveritë, policia dhe ushtritë serbe të jetë mbi 120 mijë sosh, ndërsa numri i të shpërngulurve mbi 1 milion e 200 mijë, pa llogaritur valën e spastrimit etnik të vitit 1998-1999. Eleminimet fizike dhe shpërnguljet massive kanë qenë politikë e vazhdueshme, ndërsa fushatat ushtarako-policore kanë qenë në disa etapa, gjatë Luftës së Parë e të Dytë Ballkanike, pas Luftës së Parë Botërore, deri në vitin 1927, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e vitëve 1950 dhe së fundi nga viti 1981 e deri në vitin 1999, kur Kosova u çlirua nga thonjtë e Serbisë. Të gjitha këto etapa janë të njohura dhe të dokumentuara në medien botërore, në studimet e panumërta të autorëve shqiptarë e të huaj, në memorien kolektive të shqiptarëve. Në fund, kur gjithçka është në rrugën e zgjidhjes, Tadiç sheh si mundësi një marrëveshje me Tiranën për ndarjen e Kosovës. E pamundur! Asnjë qeveri në Tiranë, edhe ajo më proserbja, nuk do të mundë të nëpërkëmbë të drejtën e shqiptarëve në Kosovë për të vetëvendosur, sepse janë ata që kanë hequr në kurriz të gjitha vuajtjet shkaktuar nga dhuna e egër çnjerëzore, genocidi dhe fushatat ushtarake e policore të Serbisë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për fushata të ndodhura në anarki e në shenjë hakmarrje për t’iu përgjigjur dhnës së kundërshtarit, siç ka ndodhur te shqiptarët pak muaj në fund të Luftës së Dytë Botërore, ose pas hyrjes së NATO-s në Kosovë. Bëhet fjalë për pjesmarrjen e shtetit dhe strukturave politike, ushtarake, policore, shpirtërore, religjioze të Serbisë, me vetëdijen e vullnetin e plotë për të zhbërë kombin shqiptar. Moralisht është e papranueshme çdo lloj marrëveshje me Tadiçin si dhe me çdo përfaqësues tjetër të Serbisë, praktikisht është e pamundur të realizohet ajo.

Nga ana tjetër, kur presidenti serb flet për atë “Që nuk është drejtë që njëra palë t’i fitojë të gjitha dhe tjetra t’i humbë të gjitha”, ai nukshpreh e nuk mund të shprehë realitetin faktik. Serbët e Kosovës nuk kanë humbur asgjë, madjeata kanë fituar në dëm të të drejtave të shumicës, shqiptarëve. Plani i Ahtisaarit u ka dhënë atyre, megjithëse nuk janë homogjenë dhe përbëjnë vetëm 5-6 përqind të popullsisë së Kosovës, aq shumë të drejta, sa nuk i ka gëzuar asnjë pakicë në botë. Asnjë vend europian, i cili ka homogjnitet demografik si Kosova, ku shumicë dërmuese janë shqiptarët, nuk ka parashikuar në Kushtetutën e në ligjet e tij aq të drejta sa u ka dhenë serbëve Martti Ahtisaari. Beogradi nuk e pranon atë plan, por është fakt se presidenti finlandez mori Çmimin Nobel të Paqes edhe për shkak të zgjidhjes që ai i kishte dhënë statusit të Kosovës, thelbin e të cilës e përbëjnë të drejtat e serbëve. Për këtë arësye ëshët i pasaktë, i pavend, i paargumentuar dhe i palogjikë përfundimi sipas të cilit shqiptarët me pavarësinë e Kosovës i fitojnë të gjitha, ndërsa serbët i humbasin të gjitha. Me këtë formulë Tadiç dëshmon hapur se ai do të fitojë shumë, më tepër nga sa I takon Serbisë edhepse vendi I tij është ekzekutor i një genocidi permanent e të mirëplanifikuar kundër shqiptarëve në Kosovë. Për këtë arësye dhe për shumë të tjera formula e Tadiç duhet hedhur poshtë, duhet demaskuar si një formulë që sjell fatkeqësi të tjera në rajon.

Ndërkaq politika shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo ku jetojnë shqiptarët kanë shansin që të rekordojnë punën dhe veprimtarinë e përbashkët për të thelluar integrimet euro-atlantike. Në këtë mënyrë konsolidohet investimi I jashtëzakonshëm I bërë në kaq vite për njohjen e shtetit të Kosovës. Vendimi i Gjykatës së Hagës për legjitimitetin e shtetit të Kosovës nuk mund të shfuqizohet e delegjitimohet nga fantazitë e Boris Tadiç. Shteti i Kosovës ka nevojë të forcohet, me qëllim që t’I pritet rruga hamndësive dhe injorimeve si ato që përmban deklarata e fundit e presidentit të Serbisë. Por kjo është një temë më vete.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi