Spiunët shqiptarë të Lobit Serb në Kosovë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Spiunët shqiptarë të Lobit Serb në Kosovë

Mesazh nga Agim Gashi prej Sat Dec 18, 2010 8:30 pm








Spiunët shqiptarë të Lobit Serb në Kosovë

Shkruan: Teki Dervishi


Këtë shkrim ua dedikoj denoncuesve dhe kërcënuesve të shërbimit të rikonsoliduar spiunist pranë një partie politike në Kosovë, e cila po më kërcënon me vrasje (disponoj incizimet telefonike) për një shkrim këtu ku kisha ofruar argumentet e mia subjektive se në Kosovë gjendja është destabilizuar deri në buzë të një konflikti civil.

Nëse e lexojmë fare përciptas raportin e Dick Martit, do të shohim se të gjitha denoncimet e tij (pos supës me veshka njeriu) para se t’i dëgjojmë nga Dick Marti, i kemi dëgjuar në deklarime publike të individëve shqiptarë partiakë në Kosovë dhe në mediat e Kosovës na kanë bombarduar për çdo ditë mbi të “dhënat” e pafaktuara se Kosova qenka shtet i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, ashtu si i konvenon Serbisë ta përdorë këtë “fakt” si argument para bashkësisë ndërkombëtare, për të dëshmuar se Kosova nuk është shtet i së drejtës ndërkombëtare siç vërteton GJND-ja, nuk është shtet i ligjit, por qenka shteti i krimit të organizuar dhe i korrupsionit. Jo vetëm ky raport i Dick Martit, por edhe të gjitha “raportet e zeza” që vijnë nga instancat e BE-së dhe që e kualifikojnë shtetin e Kosovës si shteti më i korruptuar në botë, si shtet i bandave dhe i krimit të organizuar, i postojnë nëpër kanale të fshehta pikërisht spiunët e paguar me donacione evropiane të disa shoqërive civile në Kosovë, tashmë të involvuar në disa parti politike. Janë këta individë që nuk ia dinë fundin pasurisë së tyre, derisa e akuzojnë pushtetin si bandë e hajnave. Mediat në Shqipëri po komentojnë se të “dhënat” e Dick Marit janë siguruar (edhe) nga disa oponentë opozitarë në Tiranë dhe këta i kanë ofruar Martit këto të “dhëna” në kompensim që Evropa t’i postojë në pushtetin e Shqipërisë pas rënies eventuale të Berishës, si dhe në Kosovë pas rënies eventuale të Thaçit.

Por kush e konstruktoi krizën në Kosovë, partia që ishte dhjetë vjet në pushtet, apo një krah trevjeçar i saj në pushtetin e fundit? Partia e dhjetë vjet pushtetit për vetëm një muaj e mori rolin e opozitës dhe u distancua nga përgjegjësia e pushtetit dhjetëvjeçar që solli Kosovën në këtë gjendje ku është sot. Ja kush e konstruktoi situatën e sotme në Kosovë:

1. Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë e dha verdiktin se pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, dhe kjo e tmerroi Serbinë, e sidomos BE-në.

2. Me panik dhe në ngutje marramendëse për ta relativizuar verdiktin e GJND-së, pasoi projektrezoluta e Serbisë kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

3. BE e “luti Serbinë” që kjo të heqë dorë nga projektrezoluta e saj, dhe u miratuar (në OKB) një rezolutë tjetër e Serbisë e lidhur ndërmjet BE-së (pa prezencën e shqiptarëve) e cila obligon njëanshëm bisedime midis Kosovës dhe Serbisë, edhe pse GJND-ja kishte dhënë verdiktin se shteti i Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare, dhe këtu më nuk ka çka të bisedohet mbi verdiktin e një instance më të lartë në botë që mbron të drejtën ndërkombëtare.

4. Menjëherë në të kthyer nga Asambleja e OKB-së ku u miratua rezoluta serbe, pasoi dorëheqja e Presidentit të Kosovës që vinte nga LDK-ja për shkak se paskësh shkelur Kushtetutën, të cilën nuk e zbaton as nuk e njeh në Kosovë pikërisht Misioni i OKB-BE-së.

5. Ndiqet proceduara kushtetuese, emërohet kryesuesi i detyrës së Presidentit, zoti Jakup Krasniqi, për ta përgatitur fushatën e zgjedhjeve të parakohshme që i imponoi situata e dorëheqjes së Presidentit që vinte nga LDK-ja.

6. Por që të mos pritën as zgjedhjet e parakohshme, u desh të konstruktohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, sepse pasoi prishja e koalicionit qeveritar PDK-LDK me urdhrin e LDK-së që brenda nate ministrat e kësaj partie t’i braktisin institucionet. Pozita 10-vjeçare e pushtetit të LDK-së, kaloi në “opozitë” dhe qeverisjen dhjetëvjeçare të saj e ngarkoi si faj të një partie në koalicion trevjeçar më të. Non sens jo, por absurd.

7. Imponohen kështu zgjedhjet e jashtëzakonshme për shkak të vendimeve të LDK-së dhe media bashkë me “politikën” shqiptare krizën konstitucionale të shtetit e quajtën “krizë institucionale”.

8. Pas mosnjohjes së zgjedhjeve të 12 dhjetorit nga LDK-ja, konkretisht, realisht dhe faktikisht zbulohet se Kosova është në krizë konstitucionale shtetërore e joinstitucionale, sepse të gjitha institucionet e shtetit janë vakante, tashmë as në dorëheqje të pushtetit dhe shtetit që para 12 dhjetorit 2010 vepronte në dorëheqje.

9. Një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, pason “raporti” i Këshillit Evropian, kinse në emër të Dick Martit.

Kronologjia e ngjarjeve më lart prezanton jo vetëm pasojat, por edhe autorët që i konstruktuan ato zhvillime të këtyre ngjarjeve, dhe LDK-ja gjithkund del si iniciatore e ngjarjeve që pasojë e kishin krizën institucionale. Kronologjia e ngjarjeve më lart, dëshmi e pathyeshme e një fitoreje të Serbisë që arriti ta relativizojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse derisa kjo gjykatë e pranon validitetin juridik të shtetit të Kosovës, Serbia ia doli të dëshmojë se ai shtet i Kosovës de facto dhe de jure nuk ka institucione, që do të thotë - nuk ekziston. Pra shteti i Kosovës de facto dhe de jure nuk është më shtet konstitucional dhe është përmbysur nga vetë shqiptarët e disa partive majtiste nën instruksionet e spiunazhit ndërkombëtar në shërbim të Lobit Serb që vepron në Prishtinë, e sidomos nën ndikimin e disa ambasadave perëndimore. Prandaj kam konstatuar, në shkrimin e inkriminuar që më dënon me vdekje, se Kosova është në buzë të luftës qytetare. Kronika e të dhënëve mbi ngjarjet kontinuele të luftës perfide për ta destabilizuar Kosovën me instrumentin e luftës për pushtet, kanë bërë që shteti i Kosovës faktikisht të mbetet pa asnjë institucion zyrtar.

Tjetër punë është indoktrinimi që u është bërë qytetarëve nga mediat e shoqërisë civile për t’i bindur se “të gjitha luftërat kanë mbaruar”. As nuk dua të flas këtu për konstatimet e vetë KFOR-it se situata në Kosovë është një konflikt (i ngrirë), as nuk dua ta përkujtoj Holbrukun që në OKB kishte thënë se në Kosovë është arritur vetëm një armëpushim dhe asgjë tjetër.

Si fillojnë luftërat qytetare? Në fund të shekullit të kaluar shqiptarëve u ndodhi një luftë e tillë, ai Revolucioni “demokratik” ku u vranë mbi 20 mijë shqiptarë dhe ku ushtarët e shtetit grek marshonin me tanke rrugëve të “qytetit të jugut” dhe fotografoheshin mbi nëndetëset e Shqipërisë në brigjet e Adriatikut, dhe kur në veri të shtetit (Kuks, Shkodër, Tropojë etj.) qeveria e Milosheviqit shpërndante miliona marka gjermane, llogarinë e këtyre parave “për çka janë harxhuar” e kërkoi Shesheli në Parlamentin e Serbisë. Analistët kronistë e mbajnë mend se krejt atë fushatë në përpjekje për ta fshirë nga faqja e dheut Shtetin Shqiptar, po e nxitnin mediat e shkruara dhe radiofonike majtiste të Evropës, sidomos Dojçe Velle dhe BBC, komitete këto majtiste që nga Lufta e Dytë Botërore. Por ky apokalips serbo-evropian nuk e kishte qëllim Shqipërinë, por dobësimin e shtetit shqiptar, që mos të mund ta marrë në mbrojtje Kosovën, kishte për qëllim krijimin e terrenit të përshtatshëm në Kosovës për përgatitjen definitive të fushatës policore-ushtarake të Milosheviqit për t’i vrarë në masë dhe për t’i dëbuar nga Kosova të gjithë shqiptarët. Ngjashmëritë e asaj kohe “revolucionare majtiste” më kohën e sotme në Kosovë janë shumë të qarta, gjysma e Kosovës (e jo vetëm Veriu i saj) është nën juridiksionin dhe nën armët e shtetit të Serbisë, derisa institucionet e shtetit të Kosovës nuk funksionojnë për shkak të luftës së përgjakshme të shqiptarëve për pushtet, të cilit i mungon shteti i konstitucionuar.

Ju kujtohet Bllaca. Ajo nuk ishte produkt i shtetit të Maqedonisë, veç nëse dëshirojmë ta projektojmë Tragjedinë Kosovare si deri sot, sipas opinioneve të mediave majtiste të Evropës antishqiptare.

Modelet dhe instrumentet spiuniste për ndezjen e luftërave qytetare janë stereotipe, sepse janë të një modeli gjeneral në çdo kohë, në çdo vend. Ku model po shihet sot në Kosovë. Për ta ndezur një konflikt uninacional, pikë së pari kërkohet indoktrinimi mediatik i opinionit të gjerë, krijimi artificial i pakënaqësisë së popullit në situatën e krizës së konstruktuar nga ndërkombëtarët (në Shqipëri fenomeni i piramidave, në Kosovë fenomeni i “korrupsionit” të trilluar nga BE-ja) dhe emërimi i fajtorit kujdestar për këtë krizë. Në skenë dalin papritmas nga anonimiteti figura “karizmatike” “liderësh” kundërshtarë të pushtetit “të korruptuar”, pushtetit “antipopullor”, pushtetit “kartel i drogës” dhe pushtetit “trafikant” i organeve njerëzore. Këta “heronj në gomar” e mbrojnë popullin nga shteti i tyre në “këmbë të qelqta”, pikërisht në çastet kur shteti është pa institucione ashtu si kanë dashur Serbia dhe BE-ja. Spiunazhi ndërkombëtar në shërbim të Lobit Serb në Kosovë, i zbulon “heronjtë” që do ta “shpëtojnë” popullin nga pushteti i “korruptuar”, pikërisht në kohën kur zbulohet komploti ndërkombëtar kundër shtetit të Kosovës.

P.S. Këto ditë Daniel Server tha: “Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një komplikim të tillë, që tani duhet qartësuar situata pas zgjedhjeve”. Pra qytetarët e Kosovës që unë i quaj shqiptarë, nuk e meritojnë një komplot të kësaj përmase, që, në kohën kur Serbia po përgatit luftë në Kosovë, ata po luftojnë për pushtet.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi