Shembja e idhujve të diktaturës

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Shembja e idhujve të diktaturës

Mesazh nga Agim Gashi prej Fri Nov 05, 2010 2:33 pm

Shembja e idhujve të diktaturës



Amik KASORUHO


Sherri për ndërtimin e Parlamentit të ri të kujton një përdorim të shtrembëruar të të drejtave demokratike në Parlamentin e një vendi të lirë, ku të gjitha propozimet që i paraqiten opozitës nga mazhoranca, janë të papranueshme. Le të kujtojmë mosvotimin e Ligjit për Gjykatën Administrative së fundmi, një nga kundërshtitë më të paarsyeshme që paraqiti opozita si pretekste për JO-në e saj të radhës. Mendoj se edhe në sherrin Piramida, kundërshtimi lind vetëm sepse nga ana e opozitës "a priori" nuk pranohet asgjë e propozuar nga mazhoranca. Ndoshta ka edhe elemente nostalgjie në këtë qëndrim?
Gjithsesi, ky debat e pati edhe të mirën: ai uli në një tryezë bisedimesh Berishën me Ramën.
Po t'u besohet historive dhe legjendave me të cilat mbështillen piramidat, do të thotë se Parlamenti i ri është fatsjellës.
Piramidat e fundit janë ndërtuar në mijëvjeçarin e parë para Krishtit. Që nga ajo kohë deri tani kanë rrjedhur mjaft ngjarje dhe është shkruar historia e shumë vendeve. Natyrisht, piramidat apo mauzoleumet janë një dëshirë për të ringjallur kohë, filozofi e zakone të varrosura në kohë që nuk mbahen mend.
Nëse në lashtësi me arkitekturën e tyre të zhvilluar në lartësi, paraqitnin dëshirën e njeriut që t'i afrohej qiellit, të panjohurës, Zotit, në rastin e ndërtesave mortore të shekullit XX kemi jo vetëm kultin e lavdisë së përhershme, por edhe shkëputjen nga gjithçka tjetër që ndodhet e zhvillohet pranë vetë këtyre monumenteve. Jo kot zgjidhen gjithmonë vende - sheshe ku të spikasë "varri".
Madhështia theksohet edhe duke u shkëputur nga ç'e rrethon. Atë shkëputje ne e kemi ndier në kurriz për gati gjysmë shekulli me një lloj tjetër piramideje, ish-Bllokun e famshëm, të cilit nuk i afrohej dot kush. Njerëzit që jetonin brenda tij ishin krejt të shkëputur nga gjithçka jetonte e merrte frymë rreth e rrotull: njëlloj si në dinastitë e vjetra, të egra e mizore.
Ndoshta mauzoleu më i njohur prej nesh është ai i Sheshit të Kuq, mauzoleu i Leninit. Por që, po t'u besohet dëshmive të turistëve të shumtë, në të sot ruhet kopja në dyll e babait të Rusisë Sovjetike. Edhe ai mauzole është shndërruar në vend për të tërhequr turistët e asgjë tjetër, sepse ka një mumje brenda.
Po të vihet re, vetëm shtetet që kanë njohur regjime totalitare kanë ngritur monumente mortore të tipit piramidë apo mauzole. Shih Moskën, Pekinin me mauzoleun e Mao Ce Dunit, Vietnamin me atë të Ho Shi Minit. A kishte si të mungonte në këtë varg Tirana me Piramidën e Hoxhës? Dhe Piramida e Tiranës do të kishte një karakteristikë tjetër: në të nuk do të gjendej trupi i tiranit. Ironia e fundit me atë popull që i pati atribuar hosana? Rrengu i një njeriu që është tallur në mënyrë makabre gjithë jetën me të tjerët, sepse kishte fuqinë në dorë? Të ngrihet një ndërtesë (për atë kohë) madhështore për të mos strehuar asgjë, veç një zbrazëtie të frikshme?
Shtetet e ndryshme të Europës, por edhe SHBA, kanë patur njerëz të mëdhej si Oliver Kromuelli, Uinston Çerçilli, Xhorxh Uashingtoni, Abraham Linkolni, Napoleon Bonaparti, Bismarku. Për as edhe një prej tyre nuk ka as mauzole, e as piramidë. E shumta kanë vetëm varre monumentale, por vetëm aq.
Vetëm shtetet totalitare, apo filozofitë që lindin nga përvoja e këtyre shteteve kanë nevojë për emblema. Dhe kujtesa jonë ende ruan svastikat gjermane, fashot italiane, drapër e çekanin e komunistëve. Përse duhet të dëmtohet akoma më shumë kujtesa e kombit tonë me një Piramidë, të cilën e kujtojmë si emblem të shtypjes, të dhunës, të shkeljes së të drejtave themelore të njeriut nga një diktaturë model në llojin e vet?
Emblemat e ndryshme zëvendësojnë mungesën e vlerave të vërteta.
Shtetet demokratike, (por para tyre dhe disa monarki konstitucionale), kanë synuar që Parlamenti të fokusonte jo vetëm vatrën e jetës politike, por edhe krenarinë e kombit. Shih Parlamentin në Budapest, në Londër, në Vjenë ... janë vende që imponojnë respekt dhe civilizim.
Brezi im nuk e harron se i pari Parlament, komunist mbas mbarimit të luftës, e pati selinë në atë që më vonë u bë Teatri i Operas dhe Baletit: nuk besoj se ka simbolikë më elokuente për të treguar farsën që u luajt në kurrizin tonë. Alibia e vetme e nostalgjikëve të asaj kohe është se komunizmi ishte i mirë, sikur të mos ishte domosdoshmëria e diktaturës. Dhe është nonsensi më i madh që kam dëgjuar: a nuk është në themel të teorisë së komunizmit nocioni i luftës së klasave? Kaq kujtesë të cungët kanë ata që e thonë? Po liritë individuale të mohuara? Po shtrëngimi të jetosh pa lëvizur asgjëkund? Po rrëmbimi i pronave? Komunizmi ka patur edhe shumë "të mira" të tjera, por nuk është rasti t'i përmendim këtu.
Kuptohet që për të mbrojtur pikëpamje që mbahen me paterica, mund të përdoren edhe (mos)arsyetime si ai që u tha në një program televiziv s'ka pak netë më parë, "ç'na duhet një Parlament i ri, kur edhe ai që kemi mbushet vetëm përgjysmë"?
Arsyetimet e varfra tregojnë jo vetëm një mendje të kufizuar, por edhe një shpirt të varfër.
Edhe diçka të fundit: edhe pse kur u ndërtua ajo godinë u quajt ndryshe, vetvetiu iu ngjit nofka "Piramidë". Pseja është e qartë. Dhe jam i bindur që edhe mbas shembjes së saj, edhe kur në atë vend të ngrihet ndërtesa që do të simbolizojë demokracinë tonë, ai vend do të mbahet mend si "vendi i Piramidës". Por jo më shumë.
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi