Jetojmë në një shtet njëpartiak! Opozita duhet të bashkohet në rrëzimin e këtij pushteti

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Jetojmë në një shtet njëpartiak! Opozita duhet të bashkohet në rrëzimin e këtij pushteti

Mesazh nga Agim Gashi prej Tue Oct 26, 2010 11:26 pm

Jetojmë në një shtet njëpartiak! Opozita duhet të bashkohet në rrëzimin e këtij pushteti


Shkruan: Behgjet Pacolli


Gjendemi në mes të një krize të re, të parës në historinë e shkurtër të republikës sonë. Mu në mes të krizës, kur ajo s'ka pëlcitur ende, ne bëmë thirrje për një takim mes drejtuesve të opozitës në nivel kryetari. Ky do të ishte një takim mes të mandatuarish të barabartë me njeri tjetrin, pavarësisht se partitë tona janë në parlament apo jo, pavarësisht rezultateve në zgjedhjet e fundit. Unë thjesht isha thirrësi i tryezës, për më shumë në një vend që i takon popullit, siç është selia e parlamentit. Më vjen keq për ata që s'kanë ardhur në këtë tryezë. Ne e thirrëm takimin pavarësisht dasive tona programore, qëndrimeve tona politike, me një synim të vetëm: të gjejmë një emërues të përbashkët minimal për daljen nga kjo krizë. Askush që u ul në këtë tryezë nuk është sjellës i krizës. Ne po e pësojmë atë bashkë me qytetarin.
Pse një tryezë? Kudo në botë, partitë e ndryshme të opozitës kanë të paktën një emërues të përbashkët: të rrëzojnë qeverinë. Ne e thirrëm këtë takim për të arritur tek ky emërues i përbashkët. Ishte shumë interesante se disa parti që na kanë akuzuar se bashkëpunojmë me qeverinë, nuk e pranuan ftesën. Nuk pranuan kështu të gjejnë këtë emërues të përbashkët- të rrëzojnë qeverinë. Nuk di ndonjë vend të botës ku qeveria mund të bjerë nëse opozita nuk bëhet bashkë. Qeveritë nuk bien vetë, ato i rrëzon opozita. Nuk pranuan të uleshin me ne, por me qeverinë në të njëjtën godinë.
Qëkur u realizua martesa PDK-LDK, tre vjet më parë, unë ndërsa i uroja sukses, thashë se kjo ishte një martesë e panatyrshme dhe që nuk do të shkonte gjatë. Në fund të vitit të kaluar thashë se vështirë që kjo qeveri do të kalonte 2010. Jo për të bërë parashikuesin, por unë kam menduar dhe kam lënë të kuptoj, se kjo qeveri ra, se ishte e rënë që kur lindi. Ajo lindi e vdekur. Pra Kosova ka qenë më herët në krizë. Ka qenë në krizë ekonomike pasi mirëqenia e qytetarit veçanërisht këto vitet e fundit mbetet në rënie. S'ka investime të huaja. S'ka shumëçka. Kemi qenë dhe në krizë institucionale që më herët.
Kur Presidenti i Republikës shkel Kushtetutën që ditën e parë si kryetar i shtetit, madje për dy vjet rresht, atëherë vendi është në krizë institucionale prej tre vjetësh. Kriza e sotme është veç shpërthimi në sipërfaqe i një bombe me sahat që u kurdis kur presidenti shkeli Kushtetutën. Ne kemi arritur në atë pikë të krizës, kur askush nuk mund të thotë se nuk ka krizë, madje dhe ata që e gatitën. Madje duhet ta themi se është një krizë e rëndë.
Pse është krizë e rëndë? Sepse vendi është pa president! Kur vendi është në një krizë, Presidenti është garant i zgjidhjes së krizave. Por ne nuk e kemi garantin! Nëse Presidenti është i tepërt në një republikë parlamentare, atëherë hajt t'i propozojmë botës, që t'i heqë Presidentët nga hierarkia e institucioneve. Ne duhet të vazhdojmë atë që thotë Kushtetuta: ta shkarkojmë presidentin. Dikush mund të thotë se ne kemi zëvendësuesin e përkohshëm të Presidentit, zotin Krasniqi. Me gjithë respektin për ushtruesin e detyrës së Presidentit, në një edicion lajmesh e shohim me tre kostume. Në mbledhjen e kryesisë së PDK-së si sekretar i përgjithshëm i kësaj partie (nesër do ta shohim dhe në Kongresin e saj). E shohim pastaj duke drejtuar votimin e parregullt për strategjinë e privatizimit të PDK-së si kryetar parlamenti, dhe duke folur si President për të caktuar datën e zgjedhjeve! Kjo situatë nuk është normale!
Pse jemi në krizë? Vendi është pa 6 ministra dhe madje as disa zëvendësministra! Ne s'kemi gjysmën e qeverisë në punë, ata kanë dezertuar. Kur ministrat janë në krye të detyrës ata përgjigjen për politikat e dikastereve të tyre. Ata marrin vendime të rëndësishme për jetën e qytetarit. Ministrat përgjigjen për drejtësinë, për kulturën, për barnat, për spitalet tona, për ambasadorët, presin homologët e tyre diplomatë. Por ne na mungon gjysma e qeverisë. Ata i janë bindur urdhrit të partisë dhe jo të Kushtetutës. Ministrat nuk janë të tepërt në një republikë parlamentare. Nëse do ishte kështu, hajt t'i paraqesim botës një propozim që t'i nxjerrë ministrat si të tepërt dhe të padëshirueshëm.
Por mbi të gjitha kriza mund të jetë më e rëndë, vendi është me institucione të kontrolluara nga një ngjyrë politike! Nga ajo e PDK-së! Për herë të parë që nga arritja e lirisë ne jemi me një qeveri njëngjyrëshe, me një shtet njëngjyrësh njëpartiak. Si në kohën e komunizmit. A mund të pranohet kjo? A janë dakord me këtë ato parti që nuk morën pjesë në takim? Nëse nuk janë, cila është rruga që ato propozojnë për ta ndryshuar gjendjen? Me këtë situatë, pa president, pa ministra, me një shtet njëpartiak ne duhet dalim në zgjedhje. Vërtet do ta pranojmë gojëkyçur këtë realitet?
Mos harroni që jemi në vitet e para të kësaj republike, dhe në vitet e para të kësaj kushtetute. Nga mënyra si ne i zgjidhim krizat sot, do përcaktohet modeli i zgjidhjes së krizave për nesër. Hajde të zgjedhim një model të mirë dhe t'i tregojmë botës se Kosova e meriton shtetin! Hajdeni në parlament, ju të nderuar kolegë që ndoshta do donit ta thërrisnit ju tryezën, dhe bashkohuni idesë së një seance të jashtëzakonshme ku të debatojmë se ç'të bëjmë. Nëse s'ju pëlqeu tryeza jonë, në parlament le të vendosim ç'do të bëjmë: shkarkim të presidentit, mocion mosbesimi, apo çdo gjë tjetër që na kërkon qytetari me votën e vet.
(Autori është lider i Aleancës Kosova e Re)
avatar
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45956
Age : 63
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Shiko profilin e anëtarit

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi